Ndërlidhjet

logo-print

Situatë e pandryshuar në veri


Në takimin e sotëm të Komitetit të Sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të komunës së Mitrovicës u tha se gjendja e sigurisë në veri mbetet e pandryshueshme, si pasojë e barrikadave nëpër rrugët magjistrale.

Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se është pritur që pas marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për menaxhimin e integruar të kufirit barrikadat në veri të hiqen. Por, siç tha ai “barrikadat në rrugët e veriut, duke përfshirë edhe pjesën urbane të qytetit të Mitrovicës kanë mbetur, dhe si pasojë qytetarët kanë probleme të mëdha për lëvizje të lirë”.

Sipas Hazirit, autoritetet e sigurisë duhet të jenë të vendosura dhe të largojnë këto barriera nëpër rrugë, për të mundësuar normalizimin e jetës atje. “Nëse gjendja vazhdon të mos ndryshoj, atëherë ata banorë gjatë stinës së dimrit do të mbeten tërësisht të bllokuar”, ka thënë ai.

Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, përmendi si shqetësim për banorët në veri të shtënat e shpeshta me armë zjarri. Ai kërkoi nga strukturat e sigurisë që të ndërmarrin masa dhe të parandalojnë grupet që po shqetësojnë qytetarët.

Rreth konvojit me ndihma ruse ai tha se më tepër ka qenë një konvoj politik sesa humanitar, meqë janë sjellur mjete që ju ndihmojnë rojeve të barrikadave si gjeneratorë dhe tenda.
XS
SM
MD
LG