Ndërlidhjet

Falënderojnë burrështetasin


Praga mbanë zi për ish presidentin e ndjerë Vaclav Havel
Praga mbanë zi për ish presidentin e ndjerë Vaclav Havel

Demaçi: Na goditi vdekja e Havelit

Veprimtari i njohur kosovar Adem Demaçi, pas vdekjes se ish-presidentit të Çekisë Vaclav Havel tha se ai ka qenë një njeri i paqes dhe stabilitetit.

Ai ka qenë një njeri i drejtë, së pari për popullin e vet edhe i ka prirë popullit të vet në vështirësi të mëdha, në fortuna të mëdha dhe ka dalë faqebardhë. Ka qenë burrë i fortë dhe është treguar demokrat i vërtetë, atëherë kur me mjete paqësore pranoi ta njohë pavarësinë e Sllovakisë, edhe pse sllovakët shumë shpejt u penduan për atë që bënë”, tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, veprimtari Demaçi.

Demaçi vlerësoi lart, qëndirmin e ish presidentit çek në lidhje me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Gjithashtu edhe qëndrimi i tij ndaj pavarësisë së Kosovës dhe ndaj përpjekjeve të kosovarëve për liri, ka treguar që ai ishte një burrë për lakmi. Neve shqiptarëve na ka goditur shumë”, u shpreh Demaçi.


***


Mijëra çekë vërshuan të hënën për të shkruar ngushëllime dhe për të ndezur qirinj në kujtim të Vaclav Havelit, dramaturgut që u bë president pasi që udhëhoqi Revolucionin e Kadifenjtë, i cili rrëzoi komunizmin.

Një ditë pasi që vdiq në moshën 75 vjeçare nga një sëmundje e frymëmarrjes, qeveria pritet të takohet për t’u pajtuar me planet për një funeral shtetëror, që pritet të sjellë liderë dhe burrështetas nga tërë Evropa dhe bota. Mediat çeke raportojnë se varrimi do të mbahet të premten, para Krishtlindjeve.

Radhë të gjata për t’u nënshkruar në librin e ngushëllimeve janë bërë para Kështjellës së Pragës, në vendin ku Haveli hyri si president më 1989, vetëm disa javë pas revoltës pa gjakderdhje në Çekosllovaki dhe pas rënies së Murit të Berlinit, që i dha fund ndasisë së Luftës së Ftohtë të Evropës.


Nënshkrimi i Vaclav Havelit
Nënshkrimi i Vaclav Havelit

Libra të tjerë të zisë pritet të hapen në ndërtesa publike në Republikën Çeke, por edhe në Sllovaki, e cila u nda në vitin 1993.

Në Bruksel dhe në vendet tjera, takimet e Bashkimit Evropian kanë nisur me një minutë heshtjeje për të nderuar njeriun, dramat e të cilit qenë ndaluar për kohë të gjatë, dhe i cili ishte burgosur në mënyrë të vazhdueshme pas lansimit të Kapitullit 77, i cili në vitin 1977, kërkonte nga qeveria çeke që t’u bindet përkushtimeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Arkivoli me trupin e Havelit do të ekspozohet sot në një ish kishë të Pragës, të cilën Havel e pat kthyer në një qendër kulturore.

Nga e mërkura trupi i tij do të shtrihet në mjedis më formal në Kështjellën e Pragës- formalitete më të cilat ai kurrë nuk u mësua plotësisht dhe ku mjedisin e rreptë mesjetar kërkoi ta gjallërojë ndërsa ishte në krye të shtetit duke i ftuar të performojnë aty artistët, përfshirë edhe Rolling Stones.

Një ndihmës i Havelit tha se nga ata që pritet të marrin pjesë në funeral, është sekretarja e Shtetit Hillari Klinton. Burri i saj, atëherë president i SHBA-së, Bill Klinton, iu pat bashkuar Havelit në një klub xhezi në Pragë për të luajtur me saksofon gjatë një vizite zyrtare në vitin 1994.

Praga ndezë qirinj për ish presidentin e ndjerë...
Praga ndezë qirinj për ish presidentin e ndjerë...
Hero”. “I jashtëzkonshëm”. “I pakorruptueshëm”.

Këto janë vetëm disa nga nderimet që i bëhen nga figura të shquara botërore ish presidentit çek.

Presidenti amerikan Barak Obama ka thënë përmes një deklarate se Haveli paraqet "rezistencën paqësore që tronditi themelet e një perandorie dhe vuri në pah zbrazëtinë e një ideologjie shtypëse, dhe dëshmoi se lidershipi moral është më i fuqishëm se çdo armë".

Pasardhësi i tij, presidenti çek Vaclav Klaus lavdëroi Havelin në një deklarate televizive.

Vaclav Havel u bë simbol i shtetit modern çek. Ai luajti rol në themelimin e tij, përmes një luftë te pafrikë kundër totalitarizmit komunist dhe si një figurë udhëheqëse në Revolucionin e Kadifenjtë dhe si president i parë i shtetit tonë të lirë”, tha Klaus.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se vendi i saj ishte duke mbajtur zi për humbjen e "një evropiani të madh".

Nga ana e tij, ministri i jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, e vlerësoi Havelin si "shpirtin e revolucionit çek".

Ai ishte një burrështetas i madh dhe një kampion në të drejtat civile. Neve do të na mungojë Vaclav Haveli. Në veçanti ne gjermanëve, meqë i kemi shumë borxh, sepse bashkimi gjerman dhe ribashkimi everopian janë dy anë të së njëjtës monedhë”, ka thënë Vestervele.

Pragë...
Pragë...
Në Austrinë fqinje, presidenti Hajnc Fisher e quajti Havelin "një evropian të madh, shkrimtar dhe humanist".

Ndërsa, ministri i jashtëm, Majkell Spindeleger, e përshkroi presidentin e ndjerë çek si një "figurë të jashtëzakonshme dhe një intelektual të pakorruptueshëm".

Presidenti i Parlamentit Evropian, Jerzhi Buzek, tha se "Vaclav Haveli ishte dhe do të mbetet një hero".

Ministri i Jashtëm suedez, Karl Bildt ka shkruar në rrjetin social Twitter se Haveli ishte "një prej evropianëve më të mëdhenj të kohës sonë".

Ndërsa, ish-kreu i shtetit polka, Leh Valesa, tha se ai besonte që Haveli do të duhej të ishte nderuar me Çmimin Nobel.

Fjalë ndër më të mirat nuk munguan as nga qytetarët që mbushën shehsin kryesor të Pragës me të dëgjuar për vdekjen e tij.

Një mike imja ka shkruar një gjë të bukur. Ajo tha se duke iu falënderuar Vaclav Havelit, të rinjtë mund të flasin për komunizmin si për një të kaluar. Për këtë arsye jam këtu, sepse më pëlqeu ajo fjali, sepse i jam mirënjohëse. Ai ishte shkrimtar i madh, dramaturg i madh. Puna e tij është me vlerë”, tha një qytetare e quajtur Hanka.

Gjithmonë kam menduar se është tmerrësisht jokorrekte kur disa njerëz kanë bërë shaka me të, kur ai fliste për të vërtetën dhe dashurinë, sepse mendoj se kjo është me rëndësi dhe njerëzit duhet të mendojnë për këtë gjë. Ky është një çast vendimmarrës. Një pjesë e madhe e një epoke tashmë iku”, tha Eva Svoboda.

Kam ardhur ta nderoj presidentin, sepse një pjesë e madhe e jetës sime ka qenë e lidhur me të. Ai ishte njeri me përmasa historike, i cili i solli lirinë vendit tim”, tha Daniel Sërç. (a.i.)

Çekët e kanë nderuar ish presidentin, Vaclav Havel.
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:30 0:00
XS
SM
MD
LG