Ndërlidhjet

logo-print

Dialogu nuk çon në BE


Flamujt e shteteve anëtare të BE-së

Flamujt e shteteve anëtare të BE-së

Në mungesë të përparimeve në terren, Kosova dhe Serbia po përpiqen që rrugën e tyre për në Bashkimin Evropian ta shtrojnë përmes dialogut dhe përfitimeve në rrafshin diplomatik, thonë deputetë dhe analistë politik në Prishtinë.

Raportet ndër-fqinjësore midis dy shteteve në rajon janë tepër qenësore për t’u bërë pjesë e BE-së, thotë deputeti i AAK-së, Blerim Shala, ish shef i ekipit negociator të Kosovës në procesin e zgjidhjes së statusit.

Por, ai thotë po ashtu se përpjekjet e Kosovës dhe Serbisë që përmes dialogut të tregojnë se janë të afta për t’u bërë pjesë e BE-së nuk janë të mjaftueshme. Në kohën e krizave të mëdha ekonomike në Evropë, BE-ja, nënvizon Shala do t’i bëjë edhe më rigoroze kriteret kualifikuese për vendet që aspirojnë integrimet.

Mendoj që nganjëherë të dyja palët provojnë të përfitojnë përmes dialogut diçka që nuk iu takon apo nuk e meritojnë.
Mendoj që nganjëherë të dyja palët provojnë të përfitojnë përmes dialogut diçka që nuk iu takon apo nuk e meritojnë. Tash pas të gjitha këtyre krizave të mëdha ekonomike dhe financiare që kanë goditur Evropën, do të fuqizohen kriteret kualifikuese që në një shtet të bëhet pjesë e BE-së. Do të jetë gjithnjë e më vështirë të jesh pjesë e BE-së, prandaj Kosovën e pret një punë shumë e madhe”, thotë Shala.

Në prag të vizitës së kancelares gjermane Angela Merkel në Kosovë, por edhe gjatë vizitës së saj, nga autoritetet qeveritare ishte përshëndetur në shumë raste qëndrimi kundërshtues i Gjermanisë për statusin e kandidatit për integrim për Serbinë fqinje përderisa ky vend të mos i heq nga Kosova, sidomos në veriu, strukturat e saj shtetërore.

Një qëndrim i tillë i autoriteteve në Prishtinë shihet si kontradiktor nga ana e drejtorit të Klubit për Politikë të Jashtme Alban Bokshi.

Ai rikujton se ishte Kosova ajo që i bëri shumë favore Serbisë në rrugën drejt BE-së, përmes dialogut. Përderisa në anën tjetër përshëndetë qëndrimin parimor të politikës gjermane.
...kjo është ajo që Kosova nuk e ka pasur shumë të qartë se përse po futet në këtë dialog, por është futur duke besuar paksa qorrazi në integrimin evropian.

Këtu shprehet kontradikta dhe mungesa e vizionit të qartë të Qeverisë së Kosovës, në njërën anë participon në një dialog duke thënë se kjo është rrugë evropiane edhe i ndihmon Serbisë të njëjtën kohë, ndërsa në anën tjetër shpreh falënderim për Gjermaninë që ka bllokuar të fitohet statusi i kandidatit për Serbinë".

"Do të thotë kjo është kontradikta, dhe kjo është ajo që Kosova nuk e ka pasur shumë të qartë se përse po futet në këtë dialog, por është futur duke besuar paksa qorrazi në integrimin evropian”, vlerëson Bokshi.

Ndërkohë, analisti Shenoll Muharremi thotë se ndërlidhja e diplomacisë me proceset integruese është një perceptim i gabuar i autoriteteve.

Ai thotë se vendet që aspirojnë të jenë pjesë e Evropës së integruar duhet të punojnë më shumë në terren dhe reforma ligjore e demokratike, pasi që diplomacia përbën vetëm një përqindje në të arriturat e përgjithshme të një vendi drejt integrimit në BE.

Diplomacia dhe dialogu në proceset e integrimit në BE, janë ndoshta vetëm 5 për qind prej 100 për qind e angazhimit dhe punëve që duhet kryer.
Diplomacia dhe dialogu në proceset e integrimit në BE, janë ndoshta vetëm 5 për qind prej 100 për qind e angazhimit dhe punëve që duhet kryer. Andaj, mund të konkludojmë lirshëm se nuk ka diplomaci e mesazhe më të mira sesa të luftohet korrupsioni, të luftohet krim i i organizuar dhe të investohet në zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës”, thekson Muharremi.

Sidoqoftë, integrimet evropiane apo edhe liberalizimi i vizave, tashmë janë bërë pjesë e fjalorit politik në Kosovë.

Përparimet në këto procese po ndërlidhen ekskluzivisht me rezultatet e dialogut Kosovë – Serbi, që po ndërmjetësohet nga BE-ja.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG