Ndërlidhjet

Iraku lëshon fletë arrest për zëvendës presidentin


Qeveria irakiane ka lëshuar një fletë arrest për zëvendës presidentin Tarik al-Hashemi, zyrtarin më të lartë sunit të vendit, nën akuzat për terrorizëm.

Zëdhënësi i ministrisë së brendshme, Adil Daham, dha në një deklaratë për media, përderisa televizioni shtetëror transmetoi ato që u cilësuan si rrëfime nga terroristë të dyshuar se kanë lidhje me Al-Hashemi.

Hashemi dhe zëvendëskryeministri Saleh al-Mutlak, që të dy sunitë dhe anëtarë të
bllokut sekular irakian, janë vënë nën presion, pas arrestimit të tre truprojave të zëvendës presidentit dhe pas thirrjes së kryeministrit Nuri al-Maliki që Mutlak të shkarkohet.

Autoritetet thanë se tre truprojat e Hashemit janë arrestuar të shtunën nën dyshimet për aktivitete terroriste.

Të dielën, blloku irakian i Hashemit dhe Mutlakut, tha se do të bojkotojë parlamentin në shenjë proteste ndaj pretendimit për monopolizim të pushtetit nga ana e kryeministrit.

Një ditë më vonë, Maliki bëri thirrje për shkarkimin e Mutlakut.

Zhvillimet e fundit vijnë në kohën kur po rritet frika për përkeqësimin e situatës së sigurisë në Irak, pas tërheqjes së trupave amerikane.
XS
SM
MD
LG