Ndërlidhjet

Maqedoni: Polemika për buxhetin


Kuvendi i Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë


Në Kuvendin e Maqedonisë ka vazhduar debati për miratimin e buxhetit për vitin 2012.

Projektimet e parapara nga qeveria janë kundërshtuar nga opozita duke i quajtur ato të parealizueshme.

Debate janë zhvilluar në veçanti mes partive shqiptare.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) që është pjesë e qeverisë thotë se për herë të parë shqiptarët kanë arritur të sigurojnë ndarje të barabartë të fondeve buxhetore.

Kërkesa jonë ishte që në sferën e investimeve kapitale ndarja të bëhet ashtu siç është edhe përfaqësimi i komuniteteve në Maqedoni dhe kjo u arrit me atë që 25 apo 26 për qind të investimeve kapitale apo të pjesës së buxhetit për investime kapitale do të ndahen për projekte shqiptare”, shprehet Bujar Osmani nga BDI-ja, për të shtuar se në buxhetin për vitin 2012 është paraparë ndërtimi i objekteve të shumta që promovojnë kulturën dhe identitetin shqiptar.

Nga kjo parti gjithashtu thonë se në buxhet janë paraparë mjete edhe për përfundimin e zonave të lira për investime në Maqedoninë Perëndimore si dhe mjete për punësime të reja, me qëllim të arritjes së përfaqësimit të barabartë në Maqedoni.

Por, opozita shqiptare, nuk pajtohet me vlerësimet e këtilla.

Asnjë investim kapital nuk është planifikuar të realizohet brenda këtij viti.
Ajo thotë se me propozim-buxhetin për vitin 2012, shqiptarët diskriminohen në të gjitha sferat.

Asnjë investim kapital nuk është planifikuar të realizohet brenda këtij viti. Mjetet që janë ndarë në buxhetin për vitin 2012 janë vetëm për mirëmbajtjen e objekteve ekzistuese, infrastrukturës ekzistuese apo edhe të administratës shtetërore. Pretendimet e BDI-së se shqiptarët do të marrin 25 për qind që në vlerë monetare do të thotë diku rreth 700 milionë euro, janë mashtrim i rëndë. Shqiptarëve për vitin 2012 do të iu ndahet buxhet vetëm 1 për qind, ashtu sikur viteve të kaluara ”, thotë përfaqësuesi i PDSH-së, Agon Ferati.

Edhe Izet Zeqiri nga Rilindja Demokratike Kombëtare thotë se nuk mbajnë pretendimet e BDI-së për ndarjen proporcionale të mjeteve buxhetore.

Ajo që flitet në opinion se shqiptarët kanë marrë 25 % të buxhetit është e pavërtetë, po të analizohen projektet dhe programet në buxhet do të shohim se ato kapin diku shumën 15 deri 16 milionë euro si projekte dhe programe që duken në buxhet ”, deklaron Zeqiri.

Ndërkohë, replika janë shkëmbyer edhe mes partive maqedonase.

Propozim buxheti për vitin 2012 mund ta përkufizoj me disa fjalë. Ai është i rrejshëm, joreal dhe jo jozhvillimor”, shprehet Marjanço Nikollov, deputet i LSDM-së, sipas të cilit projekt-buxheti është kopje e viteve të kaluara duke mos ofruar asnjë zgjidhje konkrete për problemet ekonomike me të cilat përballen qytetarët.
Propozim buxheti për vitin 2012 mund ta përkufizoj me disa fjalë. Ai është i rrejshëm, joreal dhe jo jozhvillimor.

Por, nga VMRO-DPMNE-ja, thanë se parashikimet buxhetore janë reale kurse akuzat e opozitës “paushalle”.

Që nga momenti kur ju u larguat nga pushteti në Maqedoni janë hapur 95 mijë vende pune, në çdo qytet të Maqedonisë po ndërtohen objekte të reja, ka rrugë të reja, bulevarde, spitale të reja e kështu me radhë. Investime kapitale janë paraparë edhe për vitin që vjen. Ky është realiteti që ju nuk mund ta kuptoni”, tha Ilija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Buxheti për vitin 2012 që pritet të miratohet deri në fund të vitit arrin 2.7 miliardë euro, kurse deficiti buxhetor është parashikuar në 163 milionë euro apo 2.5 për qind të prodhimit bruto vendor.

Për investime kapitale, janë paraparë 442 milionë euro, apo 28 për qind më shumë sesa vitin e kaluar.

Sipas parashikimeve të qeverisë, rritja ekonomike për vitin e ardhshëm do të jetë 4.5 për qind kurse inflacioni do të sillet në rreth 2.5 për qind.
XS
SM
MD
LG