Ndërlidhjet

Shumë personalitete do marrin pjesë në varrimin e Havelit



Udhëheqës botëror do t’u bashkohen personaliteteve çeke për t’i kushtuar homazhe ikonës së Revolucionit të Kadifenjtë; dramaturgut dhe ish-presidentit çek, Vasllav Havel, në funeralin shtetëror në Katedralen e Pragës.

Në mesin e personaliteteve të njohura që pritet të marrin pjesë në këtë ceremoni janë presidenti francez, Nikollas Sarkozi, sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton dhe ish-presidenti amerikan, Bill Klinton, pastaj kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti izraelit, Shimon Perez, e shumë personalitete të tjera të njohura.

Edhe figura politike e udhëheqës nga Austria, Sllovenia, Gjeorgjia e Sllovakia e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë ceremoni.

Ditën e nesërme, përmes një marshi ceremonial, arkivoli i Havelit do të dërgohet në Kështjellën e Pragës, me anë të një karroce kuajsh, e cila ishte përdorur në vitin 1937 në funeralin e presidentit të parë çekosllovak, Tomas Masarik.

Arkivoli do të qëndroj në Kështjellë për dy ditë, e më pas, të premten, do të dërgohet në Katedralen “St.Vitus”, për shërbim mortor.

Më pas, duke respektuar dëshirën e familjes së të ndjerit, trupi i Havelit do të digjet.
XS
SM
MD
LG