Ndërlidhjet

WP: Vaclav Havel, presidenti parimor


Vaclav Havel

Vaclav Havel


“Washington Post”

Shkruan: Ish sekretarja amerikane e Shtetit, Medllin Ollbrajt



Sheshi i Vasllavit në Pragë vlonte nga protestuesit që këndonin parulla dhe valëvitnin shenja ku shkruhej “Zilja e fundit”.

Aktivistët bënin zhurmë me çelësa dhe imitonin tingujt e zileve, për të shënuar fundin e katër dekadave të sundimit komunist.

Nga një ballkon, prej të cilit shihej turma, qëndronte një burrë 53 vjeçar, i cili ishte arrestuar atë vit dhe brenda një muaji, do të bëhej president.

Pothuajse i vetëm në mesin e vendasve të tij, ai kishte parashikuar që ky çast triumfi do të vinte, pavarësisht represionit që njerëzit e tij e kishin vuajtur.

Në shkrimet e tij, për të cilat do të burgosej, Haveli paralajmëronte udhëheqësit komunistë se përpjekjet për të shtypur kërkesat e njerëzve për liri po e dënonin sistemin e tyre.

Nën udhëheqjen e Vaclav Havelit, rezultat ishte një lëvizje që përmbysi një qeveri brutale, jo në frymën e hakmarrjes, por në afirmimin e institucioneve demokratike dhe vlerave: ishte Revolucioni i Kadifenjtë.

Haveli, i cili ndërroi jetë të dielën, në moshën 75 vjeçare, kurrë nuk u rehatua plotësisht me idenë e ushtrimit të pushtetit politik.

Përgjatë dy mandateve si president, ai e ruajti psikologjinë e një të huaji, duke u shqetësuar lidhur me efektin që mbajtja e posteve të larta mund të ketë në mendimin e tij moral.

Ai ishte një njeri që joshej më shumë nga parimet sesa politika, nga ajo që ai e quajti poezi e revolucionit, në krahasim me prozën e qeverisjes së përditshme.

Ndarja e Çekosllovakisë, në fund të vitit 1992 e mërziti atë, jo për shkak se ua kishte zili sllovakëve për shtetin e tyre, por sepse ai mendonte se njerëzit gjithandej duhej të motivoheshin nga forcat inspiruese, sesa nga nacionalizmi.

Por preokupim i tij nuk ishte fitimi i lirisë; ishte shfrytëzimi i lirisë për qëllime të duhura.

Në janar të vitit 1990, unë shoqëroja një delegacion të Institutit Kombëtar Demokratik në Pragë.

Ai më priti me një përshëndetje gazmore: “Përshëndetje zonja Ollbrajt”.

Por marrëdhënia jonë prej aty u thellua. Muajin e ardhshëm ai erdhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe këshilltarët e tij e përdorën shtëpinë time si zyrë joformale, duke e mbushur atë me diskutime ngazëlluese dhe tym cigaresh.

Pjesa më kulmore e vizitës së tij ishte një adresim në Kongres, ku audienca e tij priste një festim kumbues të triumfit të Luftës së Ftohtë.

Në vend të kësaj, Haveli kërkoi ndihmë për Bashkimin e copëtuar Sovjetik dhe sfidoi të gjithë, Perëndimin po aq sa Lindjen, që t’i rishqyrtojnë vlerat e tyre morale.

Ky preokupim me etikën, disave iu duk naiv, por Haveli hodhi poshtë dobinë e ëndrrave të thjeshta.

Ishte pikërisht ai që planifikoi në javët e ardhshme strategjinë, që çoi në revolucion dhe më vonë kryesoi tranzicionin për një ekonomi të lirë që mbajti unitetin brenda Republikës Çeke, duke udhëhequr vendin e tij në NATO dhe gjithashtu përgatiti rrugën për hyrje në Bashkimin Evropian.

Nuk kishte asgjë naive te mbrojtja e Havelit për veprim kolektiv, për të ndaluar pastrimin etnik në Bosnjë dhe në Kosovë, apo te mbështetja e tij për veprimtarët demokratë në Kubë, Zimbabve, Kinë, Birmani dhe më gjerë.

Haveli ishte palëkundur në kërkim të një morali universal, por ai asnjëherë nuk vuante nga iluzioni se e jetonte një të tillë.

Lutja në zërin e tij vinte më pak nga pritjet e larta nga karakteri i njeriut, sesa nga ankthi që ai ndjente për ata që pranonin padrejtësitë, thjeshtë sepse ajo ishte më e lehtë për t’u parë nga larg, sesa t’i bëje rezistencë.

Me Havelin, mesazhi kishte rëndësi, por ishin vetë fjalët që depërtonin në zemër. Ai bën pjesë në mesin e udhëheqësve të paktë politik modern, që dinte të shkruante me origjinalitet, me thellësi psikologjike, me forcë dhe dhunti.

“Komunizmi është mposhtur nga rezistenca e njerëzimit për t’u manipuluar”.

“Esenca e bashkimit evropian nuk është që të gjitha vendet evropiane të bashkohen në një det amorf pan-Evropian, por është krijimi i një Evrope në të cilën askush që është më i fuqishëm të mos e shkelë atë që është më pak i fuqishëm”.

“Zyrtarët çekë dhe sllovakë që bashkëpunuan në Holokaust ishin vrasës të parrezikshëm”

Ndërsa, për një njeri që urren, Havel shkroi: “Ai është i paaftë të tregojë një barsoletë; vetëm një tallje të hidhur…Vetëm ata që mund të qeshin me veten mund të qeshin me të vërtetë”.

Sa i përket idealeve për qeverisje, ai konkludoi se: “Ne mund t’i qasemi demokracisë sikurse horizontit dhe ta bëjmë në mënyra që mund të jenë të mira ose të këqija, por asnjëherë nuk mund ta arrijmë plotësisht”.

Për të përmbledhur këtë shkrim, ai nuk deklarohej as optimist (“sepse nuk jam i sigurt se gjithçka përfundon mirë,”) e as pesimist (“sepse nuk jam i sigurt se gjithçka përfundon keq”) por, “jam një realist i cili bartë shpresë dhe shpresa është besimi se liria dhe drejtësia kanë kuptim…dhe se liria gjithmonë ia vlen”.(v.k.)
XS
SM
MD
LG