Ndërlidhjet

Beogradi s’pranon zhbërjen e strukturave paralele


Mitrovicë...

Mitrovicë...

Autoritetet serbe duket se nuk duan të mendojnë për zhbërjen e strukturave paralele të Beogradit zyrtar në veri të Kosovës.

Pas kërkesave të vazhdueshme nga Brukseli drejtuar shtetit serb për këtë çështje, në zyrat e qeverisë serbe e quajnë të pamundshme dhe të panevojshme shuarjen e strukturave paralele.

Sekretari shtetëror të ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, i tha Radios Evropa e Lirë se Serbia e ka obligim kushtetues të mbështet dhe të kujdeset për strukturat e tilla.

Oliver Ivanoviq

Oliver Ivanoviq

Me vëmendje po përcjellim të gjitha mesazhet nga Brukseli, por Serbia në anën tjetër ka obligim kushtetues ndaj qytetarëve dhe ky është prioriteti ynë. Nuk është e mundshme të shpërbëhen institucione që ekzistojnë dhe të cilat janë formuar në vitin 2008 pas zgjedhjeve lokale, sepse ato janë legale dhe legjitime, dhe nuk ekziston asnjë bazë ligjore diçka të tillë”, theksoi ai.

Komenti i tij pason deklaratën e së hënës të kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila sërish theksoi se në kuadër të normalizimit të raporteve me Prishtinën, Beogradi duhet të heqë dorë nga strukturat paralele serbe në veri të Mitrovicës.

Mirëpo, normalizimi i marrëdhënieve Prishtinë-Beograd që tashmë figuron në listën e kushteve të BE-së për marrjen e statusit të kandidatit nga shteti serb, sipas përfaqësuesve institucionalë në Prishtinë, nuk mjafton për ta bindur Serbinë që të ndërpres financimin e strukturave paralele.

Këshilltari politik në ministrinë e punëve të brendshme, Fisnik Rexhepi, foli për nevojën e një qëndrimi me të ashpër të BE-së ndaj Serbisë në këtë drejtim.

Beogradit duhet t’i bëhet edhe më tej e qartë që të ndërpresë strukturat ilegale që veprojnë në veri të vendit. Ne e dimë që Beogradi zyrtar ka investuar dhe vazhdon të investojë shuma të mëdha parash për mbajtjen e këtyre strukturave paralele në veri të vendit".

"Kur kemi edhe deklarime si ajo e zëvendëskryeministrit të Serbisë, i cili deklaron që kinse policia serbe duhet të mbetet në pjesën veriore të vendit për të mbajtur situatën nën kontroll, dëshmohet më së miri se Beogradi zyrtar ende nuk ka reflektuar dhe ende nuk është këndellur nga ajo që ndodhi në dhjetor në samitin e Këshillit të Bashkimit Evropian
”, u shpreh Rexhepi.

Beogradit duhet t’i bëhet edhe më tej e qartë që të ndërpresë strukturat ilegale që veprojnë në veri të vendit.
Për këtë çështje u prononcua gjatë ditës edhe ministri i mbrojtjes së Serbisë, Dragan Shutanovaq, i cili tha se strukturat paralele kërkojnë një qasje analitike dhe se ato nuk mund të hiqen brenda natës.

Mirëpo, hulumtuesi në Grupin Ndërkombëtar të Krizave në Kosovë, Naim Rashiti, theksoi se kërkesat e vazhdueshme të Bashkimit Evropian kanë të bëjnë me një proces politik ndërmjet Prishtinës e Beogradit për këtë çështje, pra, një transferim të kompetencave nga strukturat paralele serbe tek institucionet shtetërore të Kosovës.

Pikërisht këtë e ka problem Beogradi-që të pajtohet për t’u futur në një proces e për t’i transferuar këto institucione. Pjesa tjetër sa i përket financimit dhe operimit që janë direkt të autorizuara dhe të financuara nga qeveria në Beograd të shuhen, të tërhiqen, gjykatat të transferohen tek EULEX-i, të fillohet me operimin e Gjykatës së Qarkut e kështu me radhë”, tha Rashiti.

Strukturat paralele shihen si pengesa kryesore për integrimin e serbëve të veriut në jetën institucionale dhe shoqërore të Kosovës.

E vetmja mënyrë për të ndërprerë funksionimin e tyre thuhet se është ndërprerja e financave nga Beogradi, por vet ekzistimi i një ministrie enkas për Kosovën në qeverinë serbe flet për interesimin e këtij shteti në kontrollimin e serbëve kosovarë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG