Ndërlidhjet

logo-print

Polemika mbi qasjen e gazetarëve në Kuvend


Unioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin në lidhje me siç thuhet ngushtimin e hapësirës së punës së gazetarëve që përcjellin aktivitetet e Kuvendit të Kosovës, pas hyrjes në fuqi të një regullore të re të Kuvendit.

“UGK, konsideron se ky veprim i Kuvendit të Kosovës është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e përditshme të gazetarëve që përcjellin zhvillimet e legjislativit”, thuhet në reagimin e UGK-së.

Por, Kuvendi i Kosovës ka dalë me një sqarim shtesë në lidhje me zbatimin e rregullores për qasjen e mediave në Kuvend.

“Rregullorja është hartuar në bashkëpunim me OSBE-në dhe NDI-në, si dhe me pjesëmarrjen aktive edhe të gazetarëve, të xhiruesve e të fotoreporterëve, të akredituar në Kuvend”, thuhet në njoftimin për media të lëshuar nga Zyra për Media dhe Marrëdhënie me Publikun e Kuvendit.

Ndërsa UGK, kërkon nga Kuvendi i Kosovës “që menjëherë të shfuqizojë këtë rregullore, e cila sanskionon në mënyrë arbitrare qasjen e gazetarëve në një institucion të rëndësishëm për publikun”, Zyra për Media e Kuvendit ka cituar kryeparlamentarin Jakup Krasniqi të ketë hehdur poshtë një gjë të tillë.

“Edhe në Kuvendin tonë, sikurse në çdo Kuvend, mediat e kanë hapësirën e tyre të mjaftueshme për të kryer detyrat e tyre profesionale”, u ka pohuar Krasniqi deputetëve, duke marrë si shembull funksionimin e mediave në parlamentet e shumë vendeve që kishte vizituar.
XS
SM
MD
LG