Ndërlidhjet

Hetohen edhe në Kosovë


 Zvonko Veselinoviq
Zvonko Veselinoviq
Zvonko dhe Zharko Veselinoviq janë, po ashtu, pjesë e listës së të dyshuarve për incidentet dhe krimet e kryera në veri të Kosovës.

Të arrestuar të martën nga policia serbe në Kralevë, ata dyshohen nga Prokuroria kosovare për përfshirje në armëmbajtje pa leje, kontrabandë me naftë dhe për nxitjen e incidenteve në veri që nga muaji korrik i këtij viti.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë, Shyqyri Syla, tha se vëllezërit Veselinoviq po hetohen për të gjitha krimet e kryera në veri që nga paslufta.
Në listën e të dyshuarve janë edhe vëllezërit Veselinoviq - edhe për shkak të barrikadave, por edhe për shkak të sulmeve të fundit në Rudarë dhe në Jagnenicë ndaj ushtarëve të KFOR-it.



“Në listën e të dyshuarve janë edhe vëllezërit Veselinoviq - edhe për shkak të barrikadave, por edhe për shkak të sulmeve të fundit në Rudarë dhe në Jagnenicë ndaj ushtarëve të KFOR-it. Mirëpo, nuk do të thotë se këto hetime që po zhvillohen tani, kufizohen vetëm në periudhën e fundit, por janë të ndërlidhura me tërë ngjarjet gjatë tërë kohës që kanë ndodhur gjatë pasluftës në veri”, tha Syla.

Zvonko e Zharko Veselinoviq ishin identifikuar nga misioni i NATO-s në Kosovë për përfshirjen në aktet e fundit të dhunës kundër ushtarëve ndërkombëtarë të KFOR-it, te barrikadat në Jarinë dhe Jagnenicë, por nuk ka detaje se kur mund të lëshohet fletë-arresti ndaj tyre për këtë çështje apo për përfshirjen e tyre eventuale në krime të tjera.


Syla tha se hetimet për këta dy të dyshuar janë në fazën e mbledhjes së informatave dhe se pengohen nga barrikadat e vendosura në veri të Mitrovicës.

“Nuk mund të japim ndonjë datë të arsyeshme derisa nuk zhbllokohen barrikadat dhe derisa nuk mundësohet qarkullimi i lirë - edhe i policëve të EULEX-it edhe atyre vendorë, sepse pa qarkullim të lirë nuk mund të mbahen hetimet”, shpjegoi Syla.

Mësohet se që nga paslufta, Zvonko Veselinoviq ishte arrestuar pesë herë lidhur me dyshimet për trafikim me narkotikë, vjedhje dhe trafikim të automjeteve, por nuk është gjykuar asnjëherë për këto dyshime për shkak të, siç thuhet, mungesës së dëshmive.

Mbetet e paqartë, megjithatë, se a ka paraqitur EULEX-i ndonjë fletë-arrest për krimet e tjera të kryera nga Veselinoviq që nga 1999-ta në veri të Kosovës.

Zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeleviq, nuk e komentoi këtë çështje.
Momentalisht, nuk kemi asnjë koment lidhur me arrestimin e Zvonko edhe Zharko Veselinoviqit.



“Ne kemi protokoll policor me Beogradin, i cili shërben për shkëmbim të informatave. Por, unë nuk mund t'i komentoj hetimet, as detaje,t e as emrat e njerëzve, të cilët po hetohen - kjo nuk ndryshon as në këtë rast. Momentalisht, nuk kemi asnjë koment lidhur me arrestimin e Zvonko edhe Zharko Veselinoviqit”, theksoi Gudeleviq.

Mbi tridhjetë ushtarë gjermanë dhe austriakë të KFOR-it ishin lënduar në muajin e shkuar gjatë një aksioni të misionit me qëllim largimin e disa barrikadave në veri të Kosovës.

Ndërkohë, aksioni policor i autoriteteve kosovare për marrjen e kontrollit në dy pikat kufitare në veri në muajin korrik kishte rezultuar me vrasjen e një polici shqiptar, plagosjen e disa të tjerëve dhe plagosjen e disa serbëve protestues.
XS
SM
MD
LG