Ndërlidhjet


Qeveria e Kosovës vazhdon të zotohet se në veri të vendit do të vendoset rendi dhe ligji.

Një ndihmesë në këtë drejtim, besohet se po luan edhe dialogu Prishtinë – Beograd i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Prioritet i veçantë po i kushtohet vendosjes së rendit në pikat doganore me Serbinë në veri të vendit, edhe pse rrugët që qojnë për në këtë pjesë, vazhdojnë të jenë jo të sigurta për transportin e mallrave për shkak të barrikadave dhe bllokadave të vendosura nga serbët lokalë.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila thotë se qeveria po sillet konform marrëveshjeve të arritura në dialog.

Mimoza Kusari Lila

Mimoza Kusari Lila

Nga fusha e bashkëpunimit tregtar ajo thotë se ka një reciprocitet të plotë, kurse në asketet tjera politike e ekonomike, Kusari Lila thotë se Kosova nuk mund ta imitojë Serbinë, pasi që përcaktimi i Prishtinës zyrtare është për zbatimin e akteve dhe vendimeve në harmoni me standardet dhe vlerat evropiane.

Sa i përket reciprocitetit në sferën ekonomike e politike në përgjithësi, më duhet të theksoj se Kosova e ka një politikë të saj e cila është pro evropiane, e cila synon vlera të avancuara dhe se ne nuk mund të përcjellim gjegjësisht të bëjmë krejt çfarë bën Serbia për shkak se shpesh aktet e tyre nuk janë konform vlerave evropiane”, thekson Kusari Lila.

Përpjekjet që në veri të vendoset një normalitet, sipas zyrtareve vendorë por edhe atyre ndërkombëtarë duhet të përcillen edhe me shuarjen e strukturave paralele serbe që mbështetjen e kanë edhe në Beograd.

Por, zotimet e qeverisë për shuarjen e këtyre strukturave në veri nuk e bindin opozitën në Prishtinë.

Deputeti i Vetëvendosjes Glauk Konjufca mendon se pasiviteti i Qeverisë së Kosovës do të ndikojë që bashkësia ndërkombëtare të dalë vet me një propozim të dhimbshëm që do të mund të ishte edhe një kompromis i ri për veriun.

Glauk Konjufca

Glauk Konjufca

Nëse e kemi një qeveri e cila do të ishte ofensive e cila do t‘i bllokonte mallrat e Serbisë, e cila do t’i aplikonte masat e reciprocitetit me Serbinë, aplikon pra masat e reciprocitetit të plotë politik, ekonomik e tregtar me Serbinë, atëherë mendojnë se nuk do të kishte as zëra ndërkombëtarë të cilët thonë se ka nevojë për kompromise për veriun e Kosovës, për ndonjë status special, apo për ndonjë Ahtisari plus për veriun e Kosovës”, thekson Konjufca.

Në anën tjetër, përfaqësuesit serbë të strukturave paralele në veri, thonë se ata nuk janë ilegalë por përfaqësues legjitim të këtij komuniteti.

Një nga liderët e veriut, Millan Ivanoviq thotë se kërkesat e disa përfaqësuesve ndërkombëtar, siç ishte edhe ajo e kancelares gjermane Angela Merkel për shuarjen e strukturave paralele janë të papranueshme.

Shuarja e institucioneve tona do të nënkuptonte shuarjen e të drejtave elementare të njeriut, që si pasojë do të kishte spastrimin etnik të serbëve nga këto anë. Kjo do të thoshte dëbim i serbëve nga Kosova dhe për këtë arsye një propozim të tillë nuk duhet përkrahur pavarësisht çmimit që duhet paguar”, thekson Ivanoviq.

Sipas përfaqësuesve serbë në veri, nëse Serbia do të duhet të zgjidhte midis Kosovës dhe integrimit të saj në BE, atëherë Kosova do të duhej të vinte në rend të parë dhe jo integrimi.

Sidoqoftë, gjendja në veri, nga aspekti i sigurisë, aktualisht po menaxhohet nga forca shumëkombëshe e NATO-s, përkatësisht KFOR-i.

Ndërkaq, në mungesë të institucioneve të Kosovës, atje funksionojnë disa organe paralele serbe të cilat u premtojnë banorëve lokalë se nuk do të lejojnë shtrirjen e pushtetit të Republikës së Kosovës në atë pjesë të populluar me shumicë serbe.

Duke pasur parasysh se këto struktura janë mbështetur dhe inkurajuar në vazhdimësi nga Beogradi zyrtar, tani komuniteti ndërkombëtar ka shtuar trysninë mbi Serbinë që ta shuajë praninë e vet përmes këtyre strukturave në veri të Kosovës, nëse dëshiron një perspektivë të qartë evropiane.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG