Ndërlidhjet

IHT: Dramaturgu në Kështjellën e Pragës


Një mural me portretin e Vaclav Havelit, në Pragë.

Një mural me portretin e Vaclav Havelit, në Pragë.

“International Herald Tribune”

Shkruan: Xheri Llaber, një prej themelueseve të organizatës së njohur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch.




Më 18 tetor të vitit 1989, policia e sigurisë çeke më arrestoi mua dhe 15 disidentë çekë, në mënyrë që të na pamundësonte takimin në një vend publik në Pragë.

Vaclav Haveli ishte pjesë e grupit, por ai iu shmang arrestimit sepse arriti me vonesë.

Më vonë atë ditë, kur pothuajse shumica prej nesh ishim liruar nga qendra e paraburgimit, u takuam jo zyrtarisht në Hotelin Interkontinental.

Vetëm një muaj prej asaj dite, do të fillonte Revolucioni i Kadifenjtë i Çekosllovakisë, edhe pse askush prej nesh nuk mund të parashikonte një gjë të tillë në atë kohë.

Por ndryshimet po ndodhnin.

Disidentët ankoheshin për atë që e konsideronin si mungesë të udhëheqësish për të ardhmen.

“Ajo çka na duhet janë figura politike karizmatike dhe me programe”, thoshte Haveli.

“Po ti?”, e pyeta unë. “Unë do të filloj të angazhohem si amator, jo si profesionist”, u përgjigj ai, përderisa i uli sytë, siç bënte zakonisht kur fliste.

“Unë jam shkrimtar, jo politikan. Unë do të doja të kisha rolin kryesor, por të mos jem kryesori”, thoshte ai.

E studiova Havelin - një njeri i vogël, në dukje i turpshëm, me një bluzë të çrregullt e xhinse.

Një dramaturg, jo politikan. Dhe mendova: “Ai vërtetë e mendon këtë”. Por historia kishte plane të tjera për të.

Në vitin 1976, arrestimi i anëtarëve të rok grupit çekosllovak të quajtur “The Plastic People of the Universe” i dha jetë krijimit të lëvizjes disidente çekosllovake, të njohur si Karta 77.

Nuk ishte befasi kur Haveli më ftoi që t’i bashkohesha atij dhe shokëve të tij në një koncert roku në vitin 1988. Performuesit ishin nga një grup i quajtur “Midnight”, pasardhës të “The Plastic People”.

Ishte një vend i mbushur me tym e zhurmë, me plotë njerëz që ishin edhe më të rinj se Haveli dhe grupi i tij.

Posa hymë brenda, unë u ndava nga Haveli, edhe pse e shihja kohë pas kohe të kërcente çmendurisht me turmën. Ishte ky moment, kur Haveli mu duk më i lumtur se kurrë më parë.

Me humorin e tij të sforcuar e të gjallë, Haveli shumë shpejt arriti ta shihte jetën sikurse një teatër.

Në pamundësi ta linte vendin për të ardhur në Amerikë në vitin 1988, për ta marrë çmimin e vëzhguesit të të drejtave nga organizata Human Rights Watch, ai dërgoi në vend të tij Jakim Topol, një poet të ri e flokëgjatë.

Më vonë, si president i Republikës Çeke, ai caktoi një ambasadore të re në Uashington: Rita Limovën, e cila e fliste anglishten me një theks të Bronksit dhe ushqente një pasion të përhershëm që të vizitonte sërish Amerikën e adoleshencës së saj.

Pastaj, Karl Shvarcenberg, një princ bohem, më vonë disident, u bë kancelari i tij, duke sjellë një etiketë të duhur në Kështjellën e Pragës, të mbushur nga orenditë plastike e pa shije të komunistëve.

Zgjedhja e tij për ambasador në Bashkimin Sovjetik ishte disidenti Rudolf Sllanski, djali i një ish-udhëheqësi të Partisë Komuniste Çekosllovake, i cili ishte ekzekutuar me direktiva nga Moska. Ndërsa muzikanti i rokut, Frank Zapa, u bë ambasador i kulturës.

Haveli nuk ndihej rehat me procedurat e zyrës publike. Kur për herë të parë e vizitova si president në shkurt të vitit 1990, ai ende mbante të veshur bluzën e tij të përhershme dhe xhinset.

Në një vizitë tjetër, dy vjet më vonë, ai i ngjante më shumë një presidenti, pasi kishte veshur një kostum dhe kravatë, por modestia dhe sjellja e tij e druajtur kishin mbetur të pandryshuara.

Puna e tij si president kishte shumë prestigj por shumë pak fuqi. Ai e përdori zyrën e tij si platformë morale, pavarësisht se sa jo popullore mund të ishte.

Në dhjetor të vitit 2000, mora pjesë në festimin e Ditës Kombëtare Çeke. Qielli i Pragës atë natë ishte mbushur me fishekzjarrë. Kishte shumë tavolina përgjatë kështjellës së ndriçuar, ndërsa dhomat ishin të mbushura me rreth 4000 njerëz, përfshirë edhe disidentë të dikurshëm.

Edhe në atë ceremoni festive, Haveli nuk përmendi aspektet negative të kapitalizmit të ri çek.

Duke folur në hollin Vlladimir të Kështjellës së Pragës, ai shprehu dëshpërimin e tij mbi shkatërrimin e peizazhit çek, si dhe për qytetet e prishura nga një arkitekturë banale universale e imagjinatës e kreativitetit të lirë.

Pasi la presidencën, Haveli vazhdoi punën e tij të përhershme si aktivist i të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e të burgosurve politikë nëpër botë, përfshirë edhe fituesin e çmimit Nobel për Paqe, Liu Ksiaobo dhe shokët e tij në Kinë.

Eseja e Havelit, “Fuqia e të pafuqishmëve” vazhdon t’i inspirojë edhe sot njerëzit e shtypur nëpër botë. Ai vuante t’i kthehej plotësisht shkrimit, por vitet e fundit ishte rrënuar nga shëndeti i dobët dhe kërkesat e shumta.

Si gjithmonë modest, një hero ngurrues, ai më shumë më dukej një fytyrë e trishtuar, e nxitur në një jetë zyrtare të cilën nuk e kërkonte.

Megjithatë, ai pati një ndikim të madh në botë, përmes shkrimeve të tij, guximit të tij dhe qëndrimit të pamohueshëm moral.

Dikë si Havelin, nuk do të kemi mundësi të shohim përsëri.(v.k.)
XS
SM
MD
LG