Ndërlidhjet

Largohet ambasadori turk

  • RFE /RL

Një turk mban në dorë një parrullë ku shkruan "gjenocidi është gënjeshtër".

Një turk mban në dorë një parrullë ku shkruan "gjenocidi është gënjeshtër".

Ambasadori turk lë Francën

Ambasadori i Turqisë në Paris, është kthyer në Ankara për konsultime pas një votimi nga parlamenti francez për të ndaluar mohimin e gjenocidit armen.

Një zëdhënës i ambasadës tha se ambasadori pritej të kthehet në Ankara të premten pasdite.

Armenët thonë se deri në 1.5 milion njerëz u vranë nga turqit otomanë në vitin 1915.

Turqia argumenton duke thënë se kishte humbje të rëndë të jetëve në të dyja anët, dhe refuzon përshkrimin e gjenocidit.

Franca formalisht i ka quajtur këto vrasje si "gjenocid" në vitin 2001, dhe të enjten, dhoma e ulët e parlamentit miratoi një projekt-ligj i cili mohimin e këtij gjenocidi do ta cilësojë si vepër penale.

Ky projekt-ligj tani pritet të shkojë në senat, ku mundësitë për kalim mbeten të paqarta.

Pas miratimit të projekt-ligjit, Turqia njoftoi se do të pezullojë lidhjet politike dhe ushtarake me Francën.(a.i.)


Ankaraja reagon ndaj ligjit francez


Pavarësisht protestave të fuqishme nga Turqia, ligjvënësit francezë u pajtuan të enjten për ta cilësuar “krim” mohimin e vrasjeve masive në Armeni më 1915.

Nuk pati të dhëna zyrtare për votimin në Shtëpinë e ulët të Parlamentit francez, meqë ligjvënësit votuan përmes ngritjes së dorës.

Miratimi i kësaj iniciative ligjore tani pritet të kalojë në senat, megjithatë nuk dihet se si do të trajtohet kjo çështje më tej.

Ky ligj thuhet se mund të shkaktojë përplasje ndërmjet Francës dhe Turqisë -aleatin strategjik të shtetit francez dhe partnerin tregtar, i cili këmbëngul që konflikti i para 100 viteve të mbetet për t’u trajtuar nga historianët.

Franca formalisht pati pranuar vrasjet dhe gjenocidin në vitin 2001, por nuk kishte parashikuar dënime për të gjithë ata që mohojnë këtë fakt. Nisma ligjore parasheh dënimin me deri një vit burg dhe një gjobë prej 45 mijë eurosh për të gjithë ata që mohojnë ose “nënvlerësojnë egërsisht” vrasjet e turqve osmanë.

Ligjvënësit hodhën poshtë, siç e quajtën ata, përpjekjen propaganduese të Turqisë për ta tundur iniciativën e tyre.

“Ligjet e miratuara në këtë dhomë nuk mund të përcaktohen nga Ankaraja”, tha deputeti i partisë Qendra e Re, Zhan-Kristof Lagarde, në kohën kur turqit po protestonin jashtë Asamblesë Nacionale në prag të votimit.

Valerie Boyer

Valerie Boyer

Autorja e projektligjit tha se është e “shokuar” rreth përpjekjeve për të ndërhyrë në punën e Parlamentit.

“Ligji im nuk shënjon ndonjë shtet të veçantë”, tha Velerie Boyer, deputete e partisë qeverisëse UMP.

“Ai është i inspiruar nga ligji evropian, i cili parasheh dënimin e njerëzve që mohojnë ekzistencën e gjenocidit”, theksoi Boyer.

Mirëpo, autoritetet turke reaguan ashpër ndaj iniciativës së ligjvënësve francezë.

Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, dhe kryeministri, Rexhep Taip Erdogan, komentuan të mërkurën këtë çështje.

Kreu i ekzekutivit turk, Erdogan, tha se me veprimet e ardhshme, Franca po rrezikon prishjen e marrëdhënieve me Ankaranë zyrtare.

Rexhep Taip Erdogan

Rexhep Taip Erdogan

“Ne do të ndërmarrim një varg masash. Fjalimi im të enjten, sipas të gjitha gjasave, do të flasë kryesisht për hapat që do të ndërmarrim në fazën e parë, ndërsa do të bëjmë të ditur se çfarë sanksione do të ndërmarrim në fazën e dytë dhe të tretë".

"Por, mund të them në mënyrë të qartë se hapi absurd, të cilin presidenti francez, Nikolas Sarkozi, po ndërmerr për të fituar votimet, do të rrezikojë marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Francës”,
theksoi Erdogan.

Reagime të Ankarasë zyrtare paralajmëroi dhe shefi i diplomacisë turke, Davotoglu.

“Askush nuk mund të presë nga ne që të heshtim. Ne e kemi marrë parasysh këtë çështje dhe e kemi diskutuar me kryeministrin dhe presidentin tonë. Ne shpresojmë se Parlamenti francez përkrah vlerat që e karakterizojnë Francën. Ne shpresojmë se Franca nuk do të heqë dorë nga një miqësi e thellë dhe e moçme, e as nga vlerat franceze vetëm për arsye politike e elektorale. Por, nuk mund të presë askush nga ne që të mbesim të qetë dhe të mos reagojmë”, u shpreh Davutoglu.

Një nismë e ngjashme e Parlamentit francez kishte dështuar më herët këtë vit, meqë Senati e kishte hedhur poshtë kërkesën e miratuar nga Stëpia e ulët e Parlamentit para pesë vjetësh.

Turqia, e cila këmbëngul në heqjen e termit “gjenocid”, i kishte kërkuar Parisit zyrtar që të heqë dorë nga kjo iniciative duke kërcënuar me sanksione ekonomike e politike.

Turqia insiston që vrasjet masive të armenëve, të cilat, sipas vlerësimeve të historianëve, shkojnë deri në 1.5 milion, të kenë ndodhur gjatë kolapsit të Perandorisë Osmane, duke u shkaktuar humbje në njerëz, siç thuhet, të të dyja palëve.(e.p.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG