Ndërlidhjet

logo-print

Nazarbaev shkarkon disa zyrtarë në lidhje me krizën në Zhanaozen


Presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbaev, ka shkuar në rajonin perëndimor të goditur nga trazirat vdekjeprurëse dhe ka shkarkuar zyrtarë për shkak të krizës.

Zyra e Nazarbaevit njoftoi se ai ka shkarkuar guvernatorin e rajonit Mangystau, ku demonstrata e punëtorëve të naftës u shkallëzua në përleshje me policinë dhe së paku 15 protestues mbetën të vdekur.

Ai poashtu shkarkoi krerët e kompanisë shtetërore të naftës dhe gazit, KazMunaiGaz.

Pas shkarkimeve, Zhana Oishibaeva, ndihmëse e guvernatorit të sapo emëruar Baurzhan Mukhamedzhanov tha se ish guvernatori, Kusherbaev Krymbek nuk ishte përgjegjës për dhunën e 16 dhjetorit në qytetin Zhanaozen.

Oishibaeva tha se dhuna "ka ndodhur për shkak të veprimeve të zyrtarëve të paaftë të kompanisë KazMunaiGaz të cilët nuk duan të flasin me punonjësit e naftës".

Punëtorët e naftës në këtë zonë kishin qenë në grevë që nga muaji maj, duke kërkuar ndër të tjera paga më të mira.

Bashkimi Evropian, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, dhe Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje autoriteteve të Kazakistanit për të kryer një hetim transparent rreth dhunës.
XS
SM
MD
LG