Ndërlidhjet

Presidenti i parë i Çekisë, Vaclav Havel, në Kosovë po kujtohet si një nga figurat më të ndritura botërore.

Analistë dhe historianë flasin për personalitetin e Havelit, duke e konsideruar atë si një figurë qendrore që ka shënuar epokën e lëvizjes paqësore për të drejtat e njeriut.

Populli në Kosovë, thonë ata, mbeti pa mikun dhe njërin nga përkrahësit më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës.

Profesori Ismajl Hasani për Radion Evropa e Lirë thotë se zoti Havel ishte sinonim i një personaliteti me ndikim të madh.

Presidenti Vaclav Havel, konsiderohet personaliteti më me ndikim në erën e demokracisë në Evropë në përgjithësi, përkatësisht figura qendrore që ka shënuar epokën e lëvizjes paqësore në drejtim të zgjidhjes së problemeve, me të cilat jo vetëm Evropa, por gati e gjithë bota ishte mbarsur. pas fatkeqësisë që i kishte ndodhur me instalimin e komunizmit, përkatësisht sistemeve diktatoriale".

"Në këtë kontekst edhe shoqëria çeke ishte njëra prej atyre që ishte cenuar rëndë. Paraqitja e figurës së Vaclav Havelit, konsiderohet trend i ri në lëvizjet paqësore në epokën moderne
”, thekson Hasani.

Fehmi Rexhepi, historian, thotë se presidenti Havel do të kujtohet jo vetëm si shkrimtar, humanist e demokrat, i cili solli demokracinë për popullin e vet, por edhe për popujt tjerë që vuanin nën diktaturën e komunizmit.

Ne, shqiptarët e Kosovës kemi një arsye plus për ta respektuar këtë intelektual, shkrimtar, humanist dhe burrështetas të përmasave botërore, jo vetëm pse na përkrahu në momentet më të vështira, kur populli ynë nën udhëheqjen e presidentit historik, Ibrahim Rugova, po bënte luftë për jetë a vdekje, por edhe për faktin se Havel ishte një mik personal i presidentit Rugova dhe përmes tij edhe mik i shqiptarëve”, pohon Rexhepi.

Zoti Rexhepi humbjen e Havelit e cilëson si humbje të një humanisti përmasash të jashtëzakonshme.

Presidenti Havel edhe si opozitar në shtetin e vet , edhe si president më pas dhe humanist, kontribuoi në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për të drejtën historike të shqiptarëve të Kosovës, për të gëzuar të drejtat që i siguron demokracia, ku bie edhe e drejta e formimit të shtetit të Kosovës".

Vdekja e Havelit është humbje e madhe jo vetëm për popullin e vet, por për mbarë botën.
"Vdekja e Havelit është humbje e madhe, jo vetëm për popullin e vet, por për mbarë botën. Shqiptarët e Kosovës me vdekjen e Havelit mbetën pa mikun dhe përkrahësin e madh dhe, mbi të gjitha, pa humanistin e madh”, potencon Rexhepi.

Veprimtari i njohur kosovar, Adem Demaçi, pas vdekjes së ish-presidentit të Çekisë, Vaclav Havel, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se Havel ka qenë një njeri i paqes dhe stabilitetit.

Në deklaratën e dhënë që ditën e vdekjes së tij, Demaçi ka vlerësuar lart, qëndrimin e ish-presidentit çek në lidhje me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Presidenti i parë çek,Vaclav Havel, do të varroset të premten në një funeral shtetëror në Pragë.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG