Ndërlidhjet

Independent: Vaclav, kemi nevojë për ty më shumë se kurrë


Vaclav Havel

Vaclav Havel


"The Independent"

Gjatë ditëve të fundit, me mijëra qytetarë çekë u rreshtuan për orë të tëra, për të qëndruar për ca sekonda para arkivolit të Vaclav Havelit.

Secili prej tyre kishte një arsye personale se si Haveli kishte ndikuar në ndryshimin e jetëve të tyre.

Ai i kishte respektuar, i kishte larguar nga frika dhe represioni i përditshëm i ekzistencës së tyre, u kishte kthyer familjet në shtëpi, u kishte mundësuar të drejtën për të udhëtuar dhe takuar njerëz nga vende të tjera; ai u kishte kthyer kënaqësinë e lirisë së shprehjes.

Këta njerëz kishin shpëtuar nga katastrofa ekonomike e quajtur Komunizëm – nga një shtet që nuk mund t’i furnizonte qytetarët e vet as me portokaj, as me letra higjienike, e as me pothuajse asgjë.

Haveli nuk ishte një njeri hakmarrës.

Shpërthimi i revolucionit nuk shkaktoi gjakderdhje. Disa njerëz thonë se komunistët e vjetër do të duhej të burgoseshin, e megjithatë, edhe ata të cilët kishin kryer vepra penale të hapura, kurrë nuk u dënuan.

Por Haveli nuk i dënoi dhe me siguri kishte të drejtë; secilit njeri në këtë vend i duhej të përputhej në ndonjë mënyrë, që të mbijetonte.

Duke mos pasur ndonjë fëmijë që ta mbronte, Haveli u ndie më i guximshëm se shumica.

Tortura e tij fizike ishte pneumonia, që e morri në një burg të lagur dhe iu mohua trajtimi i saj, gjë që ndikoi në gjendjen e tij të brishtë shëndetësore që nga ajo kohë.

Por tortura mendore e mundoi çdo ditë, gjatë gjithë jetës së tij si i pjekur.

Në një fushë në afërsi të vilës së tij të fshatit, ku edhe ndërroi jetë të dielën, ai vërejti një ndërtesë dykatëshe dhe befasisht u shtang.

Ajo u kthye në një qendër mbikëqyrëse delikate të çdo lëvizjeje të tij.

Por jeta e tij ishte një paradoks i gjatë. Një njeri që vinte nga një familje borgjeze, të cilit iu kishte ndaluar edukimi i lartë dhe të cilit iu kishte caktuar nga shteti puna e bartjes së fuçive në një birrari.

Kur Haveli ishte vetëm tre vjeç, Çekosllovakia ishte e mbushur me nazistë.

Babai i tij ishte detyruar t’ia shiste protektoratit pasurinë e familjes, studion filmike Barrandov, e cila u bë qendra kryesore për transmetimin e filmave propagandues nazistë.

Më vonë, pothuajse tre vjet pas përfundimit të luftës, në vitin 1948, erdhi ankthi i komunizmit dhe gjithçka që familja kishte u konfiskua. Pavarësisht të gjitha padrejtësive, Haveli vazhdonte të mbante sjelljet e një zotërie.

Si president i parë i vendit pas rrëzimit të komunizmit, ai dha Pragës një stil unik bohem.

Megjithatë, çdo gjë e tij dukej e pakët në krahasim me pjesën tjetër të Evropës, por kjo për shkak se dramaturgut dhe grupi i tij i disidentëve kanë qenë amatorë.

Për më shumë se 40 vjet, elita komuniste kishte njerëzit që kishin lidhje me të huajt dhe dinin për biznesin e vërtetë dhe tregtinë ndërkombëtare.

Një nga gjërat e para që duhej të bëhej pas Revolucionit të Kadifenjtë ishte kthimi i pronave te pronarët e vërtetë, apo te pasardhësit e tyre.

Havelit dhe vëllait të tij, Ivanit, u takoi kompleksi i madh komercial, Lucerna, në sheshin e Vasllavit, që ishte pronë e gjyshit të tyre.

Por procesi ka pësuar nga individë, që dinin pak për kontratat komerciale e të biznesit. Trashëgimia tani është një prej formave të korrupsionit, duke bërë që të njolloset pothuajse çdo privatizim i madh.

Presidenti i tanishëm, Vasllav Klaus, është një komunist i zgjuar, por ajo çfarë u duhet çekëve është dikush që merr një pozicion moral ndaj lakmisë dhe korrupsionit, dikush që mund ta vazhdojë rrugën e nisur nga Haveli.

Gjatë kohës sa jetoi Haveli, edhe pse së fundmi nuk kishte fuqi të mjaftueshme zyrtare, kishte një lloj shprese se korrupsioni eventualisht do të zvogëlohej dhe shuhej fare.

Haveli ishte një njeri i veçantë dhe bota është një vend më i varfër pa të.(v.k.)
XS
SM
MD
LG