Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës do të mbyllë vitin 2011 me rritje ekonomike prej 5.3 për qind. Kështu, së paku, deklaron ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj. Ministri Beqaj thotë se kjo rritje ekonomike nuk është e mjaftueshme, por që në një periudhë afatmesme Kosova do të arrijë rritje ekonomike 7 deri në 8 për qind.

Besim Beqaj

Besim Beqaj

“Ne do ta përfundojmë këtë vit me rritje ekonomike prej 5.3 për qind. Rritja ekonomike, e cila ishte projektuar nga ana jonë prej 5 për qind, arriti në 5.5 për qind nga FMN-ja dhe realitetit doli të jetë 5.3 për qind, pra kemi një planifikim që është mjaft konservativ, por planifikim, i cili do të bazohet në ekonominë reale dhe në zhvillimet reale në vendin tonë”, thotë Beqaj.

Kosova, thotë Beqaj, do të ishte mirë të kishte rritje ekonomike 10 për qind, por realiteti, në të cilin po jetohet, është ky.

Sipas Beqajt, zhvillimi ekonomik nuk bëhet me një hapje dere dhe me një mbyllje dere, por është një proces për legjislacion, proces për reforma strukturale, proces për eliminim të barrierave. Dhe, siç shprehet ai, të gjitha këto janë duke ndodhur për të krijuar parakushte për një rritje të tillë ekonomike.

“Ne, rritjen e ekonomike e kemi planifikuar në bazë afatmesme 7 deri në 8 për qind. Për vitin e ardhshëm buxheti, i cili është i planifikuar jashtëzakonisht në mënyrë konservative, është mbi 5 për qind dhe nëse e realizojmë, të gjitha këto transaksione që i kemi paraparë, unë besoj që në fund të afatit trevjeçar, ne pa asnjë problem do të jemi në një rritje ekonomike 7 - 8 për qind”, thekson Beqaj.

Rritja ekonomike në Kosovë, gjatë këtij viti ishte diskutuar mjaft. Analistë të çështjeve ekonomike vazhdimisht kishin thënë se buxheti i Kosovës nuk është ai, i cili mund të sjellë rritje ekonomike të kënaqshme.

Rritja mund të jetë reale. Ne po iu besojmë statistikave zyrtare të Qeverisë dhe konsiderojmë se është reale në bazë të investimeve publike që janë bërë vitin e fundit. Mirëpo, problemi i ekonomistëve është, jo se sa është reale kjo rritje, por sa çon në zhvillim ekonomik dhe në uljen e nivelit të papunësisë, si dhe sa është e qëndrueshme kjo rritje ekomomike”, thotë analisti Alban Zogaj.

Problemi kryesor pse kjo rritje nuk është e qëndrueshme, Zogaj thotë të jetë për faktin se është e bazuar në investime publike dhe se ka një mungesë të investimeve private.

Megjithatë, analisti i çështjeve ekonomike, Alban Zogaj, thekson se pavarësisht kësaj rritjeje ekonomik prej 5.3 për qind, nuk po ka zvogëlim të nivelit të lartë të papunësisë dhe varfërisë.
Kosova ka nevojë për një rritje akoma më të lartë. Ne duhet t’i afrohemi shifrës prej 10 për qind.



“Kosova ka nevojë për një rritje akoma më të lartë. Ne duhet t’i afrohemi shifrës prej 10 për qind. Ne vazhdimisht themi që duhet të ketë 8 deri në 10 për qind rritje ekonomike pasi që kjo është e nevojshme që të kemi një ndikim në uljen e varfërisë dhe papunësisë”, vlerëson Zogaj.

Ndryshe, në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës thuhet se zhvillimet ekonomike në gjashtë muajt e parë të vitit 2011 sugjerojnë se aktiviteti ekonomik në Kosovë po vazhdon të zgjerohet dhe, si rezultat, rritja reale ekonomike për vitin 2011 parashikohet të arrijë në rreth 5.0 për qind krahasuar me 3.9 për qind që ishte në vitin 2010.

Lexoni edhe këto:
Rritja prej 5%, e pamjaftueshme
Rritja në 7 deri në 8 për qind, e paarritshme
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG