Ndërlidhjet

OKB-ja dënon dhunën në Siri


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka rënë dakord me dënimin e sulmeve vetëvrasëse me bombë të së premtes në kryeqytetin e Sirisë, Damask ku mbetën të vrarë të paktën 44 vetë.

Deklarata e Këshillit të Sigurimit shprehë ngushëllimet për viktimat e shpërthimeve, për familjet e tyre dhe popullin sirian - por nuk ofron simpati për qeverinë siriane, e cila është akuzuar nga vendet perëndimore për goditje të përgjakshme kundër protestuesve të opozitës për nëntë muajt e fundit.

Pavarësisht nga marrëveshja për të dënuar sulmet, Këshilli i Sigurimit ende nuk ka arritur të dakordohet mbi një rezolutë për dhunën siriane.

Të dërguarit perëndimorë kanë thënë se një propozim rus mbi masat për qeverinë siriane është ende shumë i dobët. Delegacionet perëndimore duan të kërcënojnë Sirinë me sanksione, si dhe me një embargo armësh.

Por Rusia, një aleate tradicionale e regjimit sirian, do që rezoluta të përmbajë edhe dënime për dhunën kundër forcave të sigurisë. I dërguari i Rusisë në OKB, Vitali Curkin, përjashtoi imponimin e embargos së armëve në Siri.

Një tjetër aleat i Sirisë - Irani - sot tha se "dënon fuqishëm" sulmet vetëvrasëse. Zëdhënësi i ministrisë së jashtme iraniane, Ramin Mehmanparast, ka ofruar ngushëllimet për familjet e të vrarëve dhe të plagosurve në këto shpërthime.

Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara, më shumë se 5000 njerëz janë vrarë në Siri që kur filluan protestat anti regjimit të Bashar al-Asadit, në muajin mars të këtij viti.
XS
SM
MD
LG