Ndërlidhjet

logo-print

Ndërhyrja e Qeverisë në Kuvend


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës as gjatë vitit 2011 nuk ka arritur që të mbikëqyrë Qeverinë e Kosovës, ashtu siç parashihet me Kushtetutë, ndërsa kjo e fundit me “sukses” ia ka arritur që ta kontrollojë Kuvendin, thonë analistët politikë në vend dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që monitorojnë punën e legjislativit.

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, konsideron se Qeveria e Kosovës në masë të madhe ka ndikuar në punën e Kuvendit.

“Ne sot jemi dëshmitarë që edhe gjatë vitit 2011 nuk ka shtyrë ndonjë avancim drejt mënjanimit të ndërhyrjes së Qeverisë në punën e Kuvendit të Kosovës - duke u bazuar edhe nga agjenda legjislative, me të cilën Qeveria e Kosovës i ka servuar Kuvendit dhe ka diktuar punën e atij”, thotë Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.

Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Edhe njohësit e rrethanave politike në Prishtinë thonë se Qeveria e Kosovës, ka ndikuar gjatë këtij viti në punën e Kuvendit.

Analisti Imer Mushkolaj vlerëson se në vend se ta kontrollojë ekzekutivin, Kuvendi është shndërruar në institucion të kontrolluar nga ai. Ky ndikim, sipas Mushkolajt, arrihet më së shumti nëpërmjet deputetëve të partive në pushtet.

“ Ne e dimë se zgjedhjet, sidomos këto të fundit kanë qenë në disa raste madje edhe skandaloze, kështu që ata njerëz, të cilët i ka futur partia e caktuar në Kuvend, natyrisht që duhet t’ia kthejnë borxhin partisë. Dhe, kështu, kur ka diçka që anëtarët e ekzekutivit, respektivisht përfaqësuesit e partive të prezantuara në Qeveri, që të fusin në rend dite në Kuvend, atëherë i kanë të gatshëm këta deputetë militantë”, vlerëson Mushkolaj.

Kuvendi i Kosovës nuk po arrin që të ketë një integritete të duhur për vite me radhë, deklaron Kryeziu për të shtuar se ka shumë raste që Qeveria nuk zbaton vendimet e Kuvendit.

“Kemi mocionin, të cilin e ka iniciuar Lëvizja Vetëvendosje dhe Kuvendi ka marrë vendim për çështjen e reciprociteti. Sot Qeveria e njeh si një dokument joobligues për të. Do të thotë, kemi parë tentativat apo ndërhyrjet e kryeministrit në bindjen e deputetëve për të miratuar ligjin për zonat në Prizren, pra kemi parë shumë ndërhyrje, të cilat kanë qenë shumë të dukshme për opinionin publik, e këto që i përmenda janë më të fundit”, shprehet Kryeziu.

Kuvendi nuk ka arritur asnjëherë që ta vë nën kontroll ekzekutivin e vendit, pasi që Qeveria vazhdimisht e ka mbisunduar Kuvendin duke e kthyer atë në një dikaster të vetin, vlerëson për Radion Evropa e Lirë, analisti Mushkolaj.

“Këtë unë e shoh si një dobësi të Kuvendit në aspektin e, ndoshta jo të mosnjohjes së kompetencave që i kanë, por mosshfrytëzimit të atyre kompetencave. Kështu që këtë farë dobësie të Kuvendit po e shfrytëzon shumë mirë ekzekutivi edhe po përpiqet të ndikojë në punën e tij duke e caktuar, madje, edhe agjendën dhe fatkeqësisht po ka sukses në këtë aspekt. Ne kemi parë gjatë gjithë vitit që shumicën e gjërave që ka dashur t’i fusë ekzekutivi në agjendën e Kuvendit, ia ka arritur ta bëjë”, thekson Mushkolaj.

Ndryshe, në Raportin e Progresit, në pjesën që ka të bëjë me punën e Kuvendit, është thënë se është arritur një progres i kufizuar, por ka vënë në pah shqetësime në zbatimin e rregullave dhe procedurave të këtij institucioni.

Por, se cila është pengesa më e madhe në drejtim të fuqizimit të Kuvendit të Kosovës, Ismet Kryeziu nga KDI, shpjegon:

“Ne, pa pasur një reformë zgjedhore, e cila do të prodhonte një Kuvend me integritet, nuk mund të presim edhe nuk jemi optimistë që mund të presim një integritet më të fuqishëm përballë ndërhyrjes qeveritare”.

Sido që të jetë, analistët thonë se për zhvillimin e një debati të mirëfilltë parlamentar në Kuvendin e Kosovës, po ndikojnë edhe partitë politike në vënien e strukturave që përfaqësojnë ato në këtë institucione.

Për më tepër vlerësojnë ata, asnjëherë nuk kemi njerëz të fuqishëm që do ta ngjallnin jetën parlamentare në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG