Ndërlidhjet

Maqedoni, polemika për gjuhën shqipe


Qeveria e Maqedonisë

Qeveria e Maqedonisë

Përdorimi i gjuhës shqipe në institucione sërish ka nxitur debate, në veçanti pas refuzimit të saj nga noterët, të cilët nuk pranojnë vërtetimin e dokumenteve në gjuhën shqipe.

Në fakt, dëshmitarë të mospranimit të shqipes nga noterët kanë qenë gazetarët, të cilët nuk arritën që dëshmitë e tyre për procesin e lustrimit t'i vërtetojnë në gjuhën amtare, me arsyetimin se aktet noteriale lëshohen vetëm në gjuhën maqedonase.

Kjo ka bërë që nga opozita shqiptare sërish të drejtojnë akuza në adresë të BDI-së në pushtet, duke thënë se situata e krijuar lidhur me shqipen, është pasojë e ligjit të miratuar për përdorimin e gjuhës shqipe, që është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Gjithçka mund të thuhet, por nuk mund të thuhet se ky është ligj, pasi është vetëm se një normë juridike që e kufizon gjuhën shqipe, pra nuk e legalizon amendamentin pesë të Kushtetutës së Maqedonisë. Kjo dëshmohet me dhjetëra e qindra raste, përfshirë edhe neve deputetëve këtu në Kuvend, ku amendamentet tona u refuzuan pasi ishin paraqitur në gjuhën shqipe. Kur ne, si deputetë, nuk mund ta shfrytëzojmë të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe, lëre më qytetarët e thjeshtë. Unë si deputet legjitimacionin e kam vetëm në gjuhën maqedonase ”, thotë deputeti PDSH-së, Orhan Ibrahimi.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim mbrojnë Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, duke thënë se ai tashmë ka dhënë rezultate të mira në aspekt të përdorimit të shqipes, ndërsa premtojnë zgjidhje edhe për pjesën që ka të bëjë me aktet noteriale.

“Miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe ka dhënë kornizën për përdorimin e gjuhës shqipe, fryma e të cilit duhet të reflektohet në çdo ligj ku përdoret gjuha dhe këtu kemi të bëjmë me qindra ligje ku është përfshirë përdorimi i gjuhës shqipe. Ndërkohë, në Ministrinë e Drejtësisë është përgatitur draft/ligji i parë edhe për ligjin për noterinë, ku gjuha shqipe duhet të jetë në përdorim zyrtar dhe së shpejti do të jetë në procedurë qeveritare dhe parlamentare. Pas kësaj, të gjitha materialet do të mund të bëhen edhe në gjuhën shqipe konform ligjit për përdorimin e gjuhës”, deklaron zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Por, ndryshe nga BDI-ja, ekspertët për çështje juridike thonë se polemikat rreth përdorimit të gjuhës shqipe mund të evitohen vetëm me miratimin e një ligji gjithëpërfshirës, i cili nuk do të linte hapësira për interpretime të ndryshme, siç ndodh tani apo siç mund të ndodhë në të ardhmen.

“Ka ngelur një mori e institucioneve, në të cilat nuk është i garantuar përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, e të mos flasin për personat tjerë privatë apo për ndërmarrjet publike ku nuk ka asnjë dispozitë për përdorimin e gjuhës shqipe”.

“Prandaj jam i mendimit se ne duhet të kemi një ligj gjithëpërfshirës për përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në nivel të shtetit”,
vlerëson ligjëruesi i së Drejtës Kushtetuese, Osman Kadriu.

Sipas Kadriut, përveç miratimit të një ligji gjithëpërfshirës, duhet të bëhen edhe ndërhyrje në Kushtetutë, që të definohet qartë pozicioni i gjuhës shqipe, e cila aktualisht njihet si gjuhë që e flasin më shumë se 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë.

Ligji për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike ishte miratuar para dy vjetësh nga partitë që tani janë pushtet, por ai në vazhdimësi ka qenë objekt për debate e polemika të shumta, me arsyetimin se me të nuk është përkufizuar qartë përdorimi i gjuhës shqipe në përputhje me amendamentin 5 të Kushtetutës ku thuhet se përveç maqedonishtes dhe alfabetit të saj, gjuhë zyrtare është edhe gjuha e bashkësive etnike, që janë mbi 20 për qind në Maqedoni, por që përdorim i saj rregullohet me ligj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG