Ndërlidhjet

logo-print

Vëllazëria Myslimane, përgjegjëse për sulmin vetëvrasës

  • RFE /RL

Sulmi në Damask...

Sulmi në Damask...

Mijëra njerëz dolën për funeralet e 44 njerëzve të vrarë në dy shpërthimet vetëvrasëse në Damask, më 23 dhjetor.

Shumë prej njerëzve të mbledhur që po përcillnin arkivolet, thërrisnin fjalë të mbështetjes për presidentin Bashar al-Asad, i cili është përballur me demonstrata të dhunshme kundër pushtetit të tij që nga muaji mars.

OKB-ja thotë se më shumë se 5000 njerëz në Siri janë vrarë që kur këto demonstrata kanë filluar.

Qeveria siriane fajëson Al-Kaidën për shpërthimet vetëvrasëse, por të shtunën një grup që e quan veten “Vëllazëria Myslimane e Sirisë” mori përgjegjësinë për sulmin.

Grupi tha në faqen e vet zyrtare se: "një operacion i suksesshëm u bë nga katër anëtarë tonë të nxjerrë nga njerëzit tonë më të mirë, duke lënë shumë të vdekur dhe të plagosur nga radhët e bandave të Asadit".

Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ra dakord me dënimin e sulmeve vetëvrasëse.

Deklarata e Këshillit të Sigurimit shpreh ngushëllimet për viktimat e shpërthimeve, për familjet e tyre dhe popullin sirian - por nuk ofron simpati për qeverinë siriane, e cila është akuzuar nga vendet perëndimore për goditje të përgjakshme kundër protestuesve të opozitës për nëntë muajt e fundit.

Pavarësisht nga marrëveshja për të dënuar sulmet, Këshilli i Sigurimit ende nuk ka arritur të dakordohet mbi një rezolutë për dhunën siriane.

Të dërguarit perëndimorë kanë thënë se një propozim rus mbi masat për Qeverinë siriane është ende shumë i dobët. Delegacionet perëndimore duan të kërcënojnë Sirinë me sanksione, si dhe me një embargo armësh.

Por Rusia, një aleate tradicionale e regjimit sirian, do që rezoluta të përmbajë edhe dënime për dhunën kundër forcave të sigurisë. I dërguari i Rusisë në OKB, Vitali Çurkin, përjashtoi imponimin e embargos së armëve në Siri.

Një tjetër aleat i Sirisë, Irani, tha se "dënon fuqishëm" sulmet vetëvrasëse. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Ramin Mehmanparast, shprehu ngushëllime për familjet e të vrarëve dhe të plagosurve në këto shpërthime.

Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara, më shumë se 5000 njerëz janë vrarë në Siri që kur filluan protestat kundër regjimit të Bashar al-Asadit, në muajin mars të këtij viti.(e.b)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG