Ndërlidhjet

logo-print

Grupi i vëzhguesve të Ligës Arabe arrin sot në Siri


Një grup i parë i vëzhguesve që përfaqësojnë Ligën Arabe pritet të arrijë në Siri sot, si pjesë e një plani që synon përfundimin e dhunës në këtë vend.

Këshilli Kombëtar i opozitës siriane u ka bërë thirrje vëzhguesve të shkojnë në qytetin e Homsit dhe në vende të tjera ku ata thonë se forcat e regjimit po vazhdojnë dhunën.

Ministri i jashtëm sirian, Valid Muallem ka thënë ndërkohë se ai pret që vëzhguesit e Ligës Arabe do të mbështesin qeverinë, sipas së cilës dhuna e nëntë muajve të fundit ka qenë kryesisht e kryer nga "terroristë të armatosur".

Ndërsa, qeveritë perëndimore dhe grupet e të drejtave të njeriut e kanë fajësuar regjimin e presidentit Bashar al-Asad për dhunën.

Grupi i parë i rreth 50 vëzhguesve të Ligës pritet të arrijë sot në Siri, ndërkohë numri total i vëzhguesve pritet që në fund të rritet në 150 ose më shumë.

Misioni është pjesë e një plani të paqes të mbështetur nga Liga Arabe, që u miratua edhe nga regjimi sirian në muajin nëntor.

Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se më shumë se 5000 njerëz kanë vdekur si pasojë e dhunës në Siri që prej muajit mars.

Në anën tjetër regjimi thotë se rreth 2000 anëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë.
XS
SM
MD
LG