Ndërlidhjet

NYT: Hakerët sulmojnë Stratforin


Ilustrim
Ilustrim
"The New York Times"


Të shtunën, disa hakerë që pretendonin se janë anëtarë të kolektivit të njohur si “Anonim”, kanë marrë përgjegjësinë për ndërhyrje në ueb faqen e grupit të agjencisë amerikane për studime strategjike Stratfor, dhe marrjen e listës së klientëve, e-mailave dhe të dhënave të kartave të kreditit, në një operacion që ata thonë se kishte për qëllim vjedhjen e 1 milion dollarëve, për t’i dhuruar më pas për bamirësi.

Hakerët kanë postuar në internet një listë që ata thonë se përmban listën konfidenciale të klientëve të Stratforit, si dhe detajet e kartave të kreditit, fjalëkalimet dhe adresat e shtëpive të rreth 4 mijë klientëve.

Ata gjithashtu thanë se kishin edhe të dhënat e më shumë se 90 mijë llogarive bankare.

Në mesin e organizatave të listuara si klientë të Stratforit ishin: Banka e Amerikës, Departamenti i Mbrojtjes, Mjekët pa Kufi, Llokhid Martin, Laboratori Kombëtar Los Alamos dhe Kombet e Bashkuara.

Grupi gjithashtu ka postuar pesë fatura online që thuhet se ishin donacione të krijuara përmes detajeve të kartave të kreditit.

Një faturë tregonte një donacion prej 180 dollarëve nga një punonjës i Sigurisë së Shteteve të Bashkuara, Edmond H. Tupaj, për Kryqin e Kuq Amerikan.

Një tjetër faturë tregonte një donacion prej 200 dollarëve për Kryqin e Kuq nga Allen Barr, një punonjës në pension nga Departamenti Bankar i Teksasit.

Asnjëri nga këta të dy nuk i është përgjigjur kërkesave për komente.

Zoti Barr tha se të premten ai ka zbuluar që 700 dollarë nga llogaria e tij ishin transferuar për bamirësi, duke përfshirë Kryqin e Kuq, Save the Children dhe CARE, por tha se ai nuk kishte qenë në dijeni se transferimi ishte i lidhur me një sulm ndaj faqes së Stratforit.

Drejtuesit e Stratforit nuk janë përgjigjur ndaj thirrjeve për komente të dielën.

Por, përmes një e-maili për abonentët, të dielën në mëngjes, shefi ekzekutiv i Stratforit, Xhorxh Fridman, konfirmoi se faqja e kompanisë është sulmuar dhe tha se kompania e tij ishte duke punuar për të zbuluar përgjegjësit.

“Ne kemi arsye të besojmë se emrat e abonentëve tanë janë postuar në faqet tjera të internetit, jemi duke hetuar me kujdes shkallën në të cilën informacionet e parapaguesve mund të jenë marrë", ka shkruar Fridman në e-mail.

Hakerët kanë marrë përgjegjësinë për sulmin e Stratforit në rrjetin social Twitter, dhe kanë thënë se ky sulm do të jetë fillimi i një jave të sulmeve tjera.

Shkelja e parë u shfaq të hënën, kur hakerët dëmtuan ueb faqen e Stratforit duke vendosur në të mesazhin e tyre "Merry Lulzxmas!", një referencë kjo për Lulz Security, një grup që lidhet me grupin “Anonim”. Pastaj mesazhin, "A jeni gati për një javë e kaosi ?"

Nga e diela pasdite, mesazhi është zëvendësuar me një mesazh tjetër që thoshte: "Ueb faqja për momentin është duke u riparuar. Ju lutem kontrolloni sërish së shpejti".

Sipas komenteve të hakerëve në internet, grupi ka votuar se në cilin sektor të bamirësisë të kontribuohet.

Në mesin e zgjedhjeve të tyre ishin hulumtimet për kancerin dhe AIDS-in, Kryqi i Kuq Amerikan, WikiLeaks-i dhe Projekti Tor, një softuer që mundëson anonimitetin online.

Sulmi thuhet se kishte për qëllim gjithashtu të vë në siklet grupin Stratfort, që është i specializuar për inteligjencë dhe siguri.

Hakerët thanë se ata patën mundësinë t’i marrin detajet e kartave të kreditit, sepse Stratfori kishte dështuar ti mbrojë ato.

"Gjëja e frikshme është se pa marrë parasysh atë që bëni ju, çdo sistem ka një nivel të cenueshmërisë", thotë Xherri Irvin, një anëtar i Task Forcës së Sigurisë Kombëtare.

"Sa më shumë të bëni nga një pikëpamje e avancuar teknike, gjëra më të zakonshme ju shkojnë pa u vënë re. Hyrja në një sistem me të vërtetë nuk është shumë e vështirë" thotë ai.(e.b.)
XS
SM
MD
LG