Ndërlidhjet

logo-print

Ndërrimi i ministrave s’ndryshon qeverisjen


Kabineti qeveritar

Kabineti qeveritar

Kosova ka nevojë për ndryshime konceptuale qeverisëse dhe jo për ndërrim të ministrave, thonë analistët politikë në Prishtinë.

Komentet e tyre pasojnë paralajmërimet e mediave dhe qarqeve qeveritare për disa ndryshime që mund të priten në qeverinë aktuale të Kosovës.

Analisti Halil Matoshi thotë se nga praktika e qeverisë “Thaçi 1”, kur ndërrimet dhe lëvizja e posteve të ministrave u cilësuan si riformatizim, por që në fakt nuk sollën ndonjë ndryshim në qeverisje, as riformatizimi në qeverinë aktuale “Thaçi 2”, sipas tij, nuk pritet të sjellë ndonjë kualitet të ri.

Halil Matoshi

Halil Matoshi

Kosovës i duhet ndryshimi konceptual i qeverisjes. Domethënë nuk mund të shkohet tutje me qeverisje kleptokratike që zyrtarët pasurohen nga zyra dhe se duhet të ketë një koncept të qartë se si të dilet nga kriza shumë dimensionale në të cilën është Kosova, sidomos për sa i përket sundimit të ligjit si dhe zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës dhe stabilitetit social”, thotë Matoshi.

Ndërkohë, drejtori i Institutit për Politika Zhvillimore, Krenar Gashi thotë se riformatizimi i ri i paralajmëruar nga qarqet përreth kryeministrit ka të bëjë vetëm me tërheqjen e vëmendjes nga qeverisja jo e mirë dhe krijimi i përshtypjes së kryeministri po përpiqet që t’i ndryshojë gjërat për të mirë.

Qeverisja nuk ndryshon. Në ato dikastere ku ka pasur më së shumti dështime nuk ka se si ta ndryshojë një person i cili vjen në krye të saj, dhe kësisoj e gjithë kjo po më duket si një orvatje e kryeministrit Thaçi për të mbetur edhe për një kohë të caktuar në pushtet, gjegjësisht për ta përmirësuar pak imazhin e vet të keq si pasojë e keqqeverisjes së tij”, thekson Gashi.

Koalicioni aktual ka një shumicë të thjeshtë në Kuvend, andaj çdo ndryshim në qeveri, mendohet se do të planifikohet mirë nga kryeministri Hashim Thaçi dhe partneri i tij në koalicion Behxhet Pacolli.

Analisti Matoshi mendon se ndryshimet mund të jenë të natyrës kozmetike, sa për të thënë se po bëhet diçka.

Kryeministri i Kosovës, zoti Thaçi, mendoj se din të kalkulojë mirë dhe ai sigurisht që nuk do t’i prekë njerëzit e fuqishëm ose ata që kanë ndikim në partitë e tyre, sidomos ata të partive të koalicionit dhe se ai do t’i lëvizë njerëzit me më pak ndikim dhe ata që nuk ia cenojnë numrat në Kuvendin e Kosovës”, vlerëson Matoshi.

Në anën tjetër, Krenar Gashi kritikon edhe opozitën në Kuvend, e cila, sipas tij, me asgjë nuk po tregon se është e aftë dhe e interesuar që ta sfidojë qeverinë aktuale.

Krenar Gashi

Krenar Gashi

​“Papërgjegjshmërisë së qeverisë në këtë rast është duke i ndihmuar edhe një papërgjegjshmëri e madhe në radhët e opozitës, të cilët asnjëherë nuk janë mobilizuar ngase nuk janë gati që ta sfidojnë qeverisjen e kryeministrit Thaçi".

"Kështu që pa marrë parasysh numrat dhe shumicën e brishtë që e ka koalicioni qeverisës në Kuvend, nuk pres që do të ketë ndonjë rezultat, nismë apo mocion mosbesimi për këtë qeveri, për faktin se asnjë nga partitë kryesore opozitare nuk janë të gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme
”, thotë Gashi.

Në përgjithësi analistët vlerësojnë se ndryshimet e paralajmëruara kanë të bëjnë me sistematizimin e njerëzve të afërt me konjukturën që qeverisë vendin dhe tërheqjen e vëmendjes së mediave dhe opinionit nga problemet e shumta në vend që kanë të bëjnë me qeverisjen, për t’u marrë më shumë me aspekte procedurale - teknike të ndryshimeve në përbërjen e qeverisë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG