Ndërlidhjet

Pse po lëkundet Putini?


Vladimir Putin
Vladimir Putin
"Wall Street Journal"

Shkaku i demonstratave të 10 dhjetorit dhe demonstratave të së shtunës para Krishtlindjeve, ishte dëshmi e mashtrimit në zgjedhjet parlamentare.

Një analizë e votave nga ana e grupit rus të monitorimit, “Grazhdanin Nabludatel”, e bazuar në vendvotimet që ky grup ka monitoruar, sugjeron se partia e Putinit “Rusia e Bashkuar” ka marrë 30% të votave, e jo 49% siç pretendon.

Rezultatet e rrejshme të zgjedhjeve dhe taktikat si: ryshfete, mbushje e kutive, votime të shumëfishta dhe falsifikim protokollesh, nuk janë fort të reja në Rusi.

Ajo çfarë ishte ndryshe kësaj radhe, ishte se prova doli në dritë vetëm 10 javë pasi zoti Putin njoftoi se do të kandidojë përsëri për president, me mbështetjen e presidentit aktual, Dmitri Medvedev.

Kjo i ka bindur rusët më shumë se presidenca e Medvedevit, në të cilën ata i kishin vendosur shpresat e tyre. Reforma e vetme serioze që e ka zhvilluar zoti Medvedev si president, ka qenë zgjatja e mandatit presidencial nga katër në gjashtë vjet.

Sipas një sondazhi të kohëve të fundit nga Qendra Ruse për Hulumtim të Publikuar, pretendimi i z.Putin për të qëndruar në pushtet për 12 vjet është një arsye që 22% e rusëve duan të largohen nga vendi. Në grupin e moshës 18 deri 24 vjeç, numri i atyre që duan ta lënë vendin, është pothuajse 40%.

Një arsye tjetër është fakti më i pashmangshëm i jetës në Rusi sot: korrupsioni i shfrenuar.

Pas kaosit të viteve 1990, kohë kjo gjatë së cilës shumë institucione qeveritare mezi kanë funksionuar, z.Putin ka arritur vendosjen e autoritetit të shtetit. Por, kriminaliteti nuk shënoi rënie – thjesht emigroi në organet e qeverisë. Është normale në Rusi t’u jepet ryshfet burokratëve për miratimet rutinë.

Në kuadër të sistemit të prokurimit të shtetit, shantazhet përfshijnë 50% të kostos së blerjeve. Rusët paguajnë ryshfet për të regjistruar pronën, për të rregulluar një biletë trafiku dhe për të siguruar vende për fëmijët e tyre në shkollë.

Sipas organizatës “Transparency International”, Rusia renditet në vendin 154 nga 178 vendet në korrupsion, në një nivel me Kamboxhian dhe Republikën Qendrore Afrikane.


Terrorizmi në Rusi

Rusët janë rrënuar edhe nga frika e terrorizmit.

Më 24 janar, një vetëvrasje me bombë në aeroportin Domodedovo ka lënë 36 të vdekur dhe 160 të plagosur.

Doku Umarov, i vetëquajturi Emir i Republikës Islamike të Kaukazit Verior, mori përgjegjësinë për sulmin, i cili erdhi nëntë muaj pas shpërthimit vetëvrasës në dy stacione të metrosë në Moskë.

Sipas njoftimeve të shtypit, qeveria kishte marrë paralajmërime anonime të një sulmi terrorist në fillim të janarit për një nga aeroportet e Moskës, por nuk kishte marrë asnjë masë parandaluese.

Në vend të kësaj, numri i policisë në Domodedovo ishte zvogëluar për 50% dhe shumë prej atyre ishin të përkushtuar për të marrë ryshfete nga udhëtarët që vinin nga Azia Qendrore.

Pas sulmeve në metrotë e Moskës, z.Putin pat premtuar se do të kapen terroristët. Por, as kjo e as ndonjë nga kërcënimet e tij të mëparshme nuk e kanë përmirësuar situatën.

Kostoja e fushatës së tij për të shtypur separatizmin çeçen dhe për të dominuar Kaukazin e Veriut me forcë, është ushqyer nga separatizmi dhe ekstremizmi islamik.

Numri i incidenteve terroriste u rrit gjashtëfish në mes të viteve 2000 dhe 2009, nga 135 në 738, dhe Moska mbetet kryeqyteti i vetëm evropian që goditet vazhdimisht nga terroristët.


Mungesa e sundimit të ligjit

Pasiguria ruse gjithashtu rrjedh nga mungesa e sundimit të ligjit. Një shembull i mrekullueshëm ishte dënimi i dytë, në vitin 2010, i Mikhail Khodorkovskit, ish-kreut të kompanisë “Yukos Oil”, për “vjedhjen e rreth 200 milionë tonelatave naftë nga degët e kësaj kompanie”.

Vite më parë, në gjykimin e tij të parë, z.Khodorkovski ishte dënuar për mospagimin e taksave mbi shitjen e naftës - kësaj radhe ai u akuzua për vjedhje.

Në të dyja gjykimet, z.Khodorkovski ishte një viktimë e qartë e prokurorisë selektive; ai mori ndëshkimn e Kremlinit për pavarësinë e tij politike dhe përpjekjet për të transformuar Yukos-in në një ndërmarrje me standarde perëndimore të qeverisjes korporative.

Por, sistemi i padrejtë ligjor i Rusisë prek edhe qytetarët e zakonshëm. Shkalla e pafajësisë në Rusi është më pak se 1% (krahasuar me 15% në gjykatat federale në SHBA dhe 15% - 40% në gjykatat shtetërore).

Dënimet zhvillohen me ndihmën e rrahjeve të shumta, frikësimit dhe shantazheve. Për këtë dhe arsye të tjera, më së shumti rusët parashtrojnë ankesa në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, sesa njerëz nga çdo vend tjetër prej 46 vendeve në Këshillin e Evropës.

Putin & Medvedev
Putin & Medvedev
Shumë pyetje hijezojnë presidencën e parë të Putinit. Këto përfshijnë arrestimin e agjentëve të Këshillit Federal të Sigurimit në vitin 1999, për tentim të vënies së një bombe në një ndërtesë në Ryazan - një incident që kurrë nuk u shpjegua; vendimet e qeverisë për të përdorur forcën në situatat me pengje - e para në një teatër në Moskë në vitin 2002 ku 129 njerëz vdiqën, dhe pastaj në një shkollë në Beslan në vitin 2004, ku 332 persona vdiqën, duke përfshirë 186 fëmijë; helmimi bërthamor i ish-agjentit të FSB-së, Aleksander Litvinenko, në Londër dhe vrasjet e pazgjidhura të gazetarëve rusë, duke përfshirë edhe gazearen Ana Politkovskaja.

Për një kohë të gjatë, asnjëra nga këto nuk dukej se kishte ndonjë ndikim në opinionin publik.

Rusët ishin në dijeni të korrupsionit dhe abuzimeve, por z.Putin vazhdonte të kishte mbështetjen, sepse gjatë dy mandateve të tij ekonomia u rrit me një normë mesatare vjetore prej 7% (e nxitur kryesisht nga çmimet e larta të naftës) dhe varfëria e matur zyrtarisht u ul përgjysmë, në 14% në 2008 nga 30% në vitin 2000.

Z. Putin gjithashtu ka përforcuar pozitën e tij me suksese ushtarake (lufta shumë e njohur e vitit 2008 me Gjeorgjinë), propaganda anti-perëndimore dhe nostalgjinë për Bashkimin Sovjetik.

Kjo ishte nostalgji ironike. Edhe pse z.Putin rivendosi himnin sovjetik, glorifikoi shtetin rus dhe injoroi përpjekjet për të memorializuar viktimat e komunizmit, ai nuk arriti të mësojë mësimin e rënies së Bashkimit Sovjetik: Një regjim i qëndrueshëm ka nevojë për vlera udhëzuese.

Bashkimi Sovjetik kishte një ideologji që ishte imponuar me forcë. Për aq kohë sa definonte kategoritë mendore për miliona njerëz, regjimi ishte i sigurt. Kur u diskreditua, linjat e fajit filluan të shfaqen dhe regjimi totalitar ra.

Dobësia e Rusisë së sotme është se vlerat komuniste kurrë nuk u pasuan nga vërtetësia e normave demokratike. Pa këto norma, dëshira e z.Putin për të sunduar përgjithmonë është joreale. Madje, edhe efekti i prosperitetit relativ fillon të largohet për këtë popullatë, të detyruar të jetojë me paligjshmëri të shfrenuar.

Kjo është arsyeja që vala e protestave në Rusi do të vazhdojë dhe se 20 vjet pas rënies së Bashkimit Sovjetik, rusët kanë një mundësi tjetër që të fitojnë demokracinë që e kanë kërkuar, por nuk e kanë arritur pas rënies së komunizmit. (e.b.)
XS
SM
MD
LG