Ndërlidhjet

logo-print

Serbia po privatizon pronat kosovare


Shkëlzen Lluka

Shkëlzen Lluka

Deri më tani, nuk kemi ndonjë raport se deri ku ka arritur privatizimi i pronave kosovare nga Serbia apo nëse ka përfunduar ai privatizim, thotë për Radion Evropa e Lirë kreu i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Shkëlzen Lluka.




RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Lluka, sa ndërmarrje janë privatizuar deri më tash në Kosovë dhe sa është i sigurt fondi i mbledhur nga shitja e ndërmarrjeve?

SHKËLZEN LLUKA
Deri më tani janë privatizuar 306 ndërmarrje shoqërore, prej të cilave janë krijuar mbi 670 ndërmarrje të reja. Fondi prej tyre është i sigurt, pasi që ne, ashtu siç kërkon edhe ligji, investojmë vetëm në instrumente financiare, të cilat rangohen me AAA.

Në Kosovë nuk ka banka të tilla, andaj mjetet i depozitojmë në Bankën Qendrore, ku janë të sigurta. Interesi dhe kamatat janë të vogla, mu për shkak të sigurisë së tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Pse nuk ka privatizim të ndërmarrjeve në zonat e banuara me shumicë serbe? Fjalën e kam për kompleksin turistik “Brezovica”.

SHKËLZEN LLUKA
Kompleksi “Brezovica” është një element tjetër, një ndërmarrje e veçantë, ndërsa privatizime në vendet e populluara me shumicë serbe ka – nuk qëndron ajo çfarë thuhet.

Kemi pasur privatizime edhe në pjesën veriore të Mitrovicës, edhe në Graçanicë, edhe në Shtërpcë. Ne jemi agjencia e vetme në Kosovë që kemi shtrirje në tërë territorin gjeografik të Kosovës. I kemi zyrat tona në Leposaviq, në Shtërpcë dhe në Graçanicë.

Për sa i përket Brezovicës, është një temë tjetër. Dihet se Brezovica është shpallur në tender nga ish-Agjencia Kosovare e Mirëbesimit. Ne, kur kemi filluar punën, nuk jemi pajtuar me idenë e privatizimit sikur të të gjitha ndërmarrjeve të tjera, pasi mendojmë se është një ndërmarrje e një rëndësie të veçantë, që mund të gjenerojë vende të punës dhe të tërheqë investime të jashtme.

Fillimisht kemi kërkuar nga Komisioni Evropian angazhimin e një kompanie konsulente që të përpilojë master-planin. Faza e parë e master-planit ka përfunduar.

Në bazë të këtij master-plani ka dalë se mund të zhvillohet edhe një Brezovicë e re – do të thotë edhe një plan zhvillimor i Brezovicës, me të cilin do të merret Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila ka krijuar edhe grupin ndërministror.

Ne do të jemi në bashkërendim të veprimeve me këtë grup ndërministror, që të shohim se kur është koha dhe si është mënyra e duhur që të mos i bëjmë garë njëri-tjetrit, që ta ruajmë ekuilibrin, pasi në momentin e duhur, pas zhvillimit të Brezovicës, kjo do të zhvillohet si një tërësi e vetme. Pra, duhet të jemi shumë të vëmendshëm lidhur me privatizimin e Brezovicës.

Por, gjithsesi pjesën e ndërmarrjes shoqërore të Brezovicës, ne do ta privatizojmë. Datë të saktë nuk kemi dhënë asnjëherë. Besoj se gjatë vitit 2012 ne do ta bëjmë privatizimin e aseteve të ndërmarrjes shoqërore, kurse për pjesën tjetër besoj se Qeveria e Kosovës do t’i nxisë investitorët e jashtëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Përveç në këto zona, Kosova ka prona të ndërmarrjeve kosovare që gjenden në shtetet që dikur bashkëjetonin në atë që quhej Jugosllavi. Ka pohime se disa nga këto shtete i kanë privatizuar këto prona të Kosovës. A keni ju informacion mbi to?

SHKËLZEN LLUKA
Po, kemi informacione dhe për këtë çështje kemi alarmuar edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme. Kemi informuar edhe Zyrën Civile Ndërkombëtare dhe vendet e Quint-it, se Republika e Serbisë është duke bërë privatizimin e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës atje.

I kemi dërguar letër edhe Agjencisë së Privatizimit të Serbisë që të bëjë stopimin e privatizimit të këtyre aseteve, pasi që janë pronë e ndërmarrjeve shoqërore. Deri më tani, nuk kemi ndonjë raport se deri ku ka arritur ai privatizim apo nëse ka përfunduar.

Dihet se këto kanë të bëjnë edhe me marrëdhëniet ndërshtetërore në të ardhmen. Republika e Serbisë nuk e ka njohur Republikën e Kosovës dhe për atë kemi edhe probleme.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, ato të shteteve të rajonit që gjenden në territorin e Kosovës?

SHKËLZEN LLUKA
Po, ato janë të pakta dhe ne, për dallim nga shtetet tjera... mënyra se si ne e kryejmë procesin e privatizimit, dallon. Procesi i privatizimit me këto shtete kryhet në atë mënyrë që të gjitha mjetet automatikisht kalojnë në buxhet të atij shteti, kurse ne, gjatë procesit të privatizimit, 80 për qind të mjeteve i ruajmë për kreditorët apo për pronarët e mundshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, edhe shpërndarja e 20 përqindëshit nuk ka shkuar në ritmin e duhur. Cilat janë problemet, me të cilat jeni ballafaquar në këtë fushë?

SHKËLZEN LLUKA
Sa i përket kësaj teme, nuk pajtohem fare. Ne mburremi me procesin e shpërndarjes së 20 përqindëshit. Dihet që bordi i AKP-së ka marrë vendim për ndarje të përkohshme, ka aprovuar strategjinë për shpërndarje të përkohshme... Në të kundërtën, deri më sot, ne si agjenci nuk do ta bënim shpërndarjen e asnjë euroje të punëtorëve.

Dihet se gjatë këtyre tre vjetëve, Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme ka aprovuar vetëm dy lista të punëtorëve. Ne do të mund të bënim shpërndarjen e vetëm këtyre dy listave, por ndoshta as të këtyre, duke pasur parasysh edhe mundësinë e apelimit në shkallën e dytë. Ne vetëm këtë vit, në bazë të kësaj strategjie, kemi shpërndarë 20 milionë euro për punëtorët.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG