Ndërlidhjet

Maqedonia duhet të investojë në kualifikimin e administratës, si në institucionet e pushtetit lokal, ashtu dhe në atë qendror, për të realizuar me sukses fondet evropiane, thekson Lidija Dimova nga Qendra për Arsimim Evropian, duke theksuar se vendi rrezikon që IPA fondet e dedikuara për Maqedoninë, të tërhiqen për t’u ridestinuar për vendet tjera të rajonit.

“Këtë vit për herë të parë, në formë eksplicite, në raportet e Brukselit thuhet se Maqedonia ballafaqohet me probleme serioze me shfrytëzimin e IPA-fondeve, të dedikuara për vendin nga viti 2007 . Ekziston rrezik i madh që mjetet nga komponenti i 3-të dhe ai i 4-të nga IPA-fondet të tërhiqen dhe të ridestinohen”, thotë Dimova.

Ish-ministri i Financave, Xhevdet Hajredini, thotë se për t’i kaluar filtrat e nevojshëm, nevojitet përvojë dhe kuadër profesional i mbështetur nga institucionet përkatëse shtetërore.

Për këtë qëllim, nevojitet një administratë me kapacitete optimale. Jo se administrata në Maqedoni nuk disponon me njerëz, madje ka më shumë të punësuar sesa duhet krahasuar me vendet tjera të Evropës juglindore për kokë banori, por problemi qëndron në atë se administrata te ne rri dhe nuk punon. Thjesht, administratorët në Maqedoni nuk dinë të punojnë sipas vlerave që kërkohen nga BE-ja, sepse ata janë punësuar në baza partiake, për qëllime politike, si aktivistë partiakë dhe jo si profesionistë”, vlerëson Hajredini.

Ndryshe, sipas Qendrës për Arsim Evropian nga të gjitha mjetet e parapara për vitin 2007, që arrijnë vlerën deri në 58.5 milionë euro, vetëm 42 për qind nga to janë shfrytëzuar në projekte konkrete.

Si shkak i shfrytëzimit të dobët të mjeteve evropiane, konsiderohet kapaciteti i pamjaftueshëm i institucioneve të Maqedonisë për t’u ballafaquar me obligimet për realizimin e projekteve konkrete.

“E vëreni, unë flas për fonde të 2007-s dhe 2008-s, të cilat Maqedonia nuk arrin t`i realizojë, ndërkohë që vendet tjera të rajonit tashmë shfrytëzojnë mjete të 2010-s, madje edhe të 2011-s. Andaj, duhet parë realitetin me sy, sado i hidhur që të jetë ai - Maqedonia humbet interesin e Bashkimit Evropian, ndërkohë që sytë orientohen kah Serbia”, thekson Dimova nga Qendra për Arsim Evropian.

Ndërkohë, Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë së Maqedonisë, thotë se vendi ka bërë përpjekje maksimale për të shfrytëzuar fondet gjegjëse për çka ka dhe rezultate konkrete në realizimin e reformave në disa segmente të shoqërisë në Maqedoni.

“Qeveria e Maqedonisë i jep një theks të veçantë këtij instrumenti në realizimin e reformave dhe projekteve të ndryshme, veçanërisht me atë që ka të bëjë me reformat në legjislacion, në administratë, bashkëpunimin ndërkufitar, si dhe projektet tjera që dalin nga bashkëpunimi, sa i përket realizimit të IPA-fondeve, gjatë procesit të aderimit të Maqedonisë në BE”, përfundon Hoxha.
XS
SM
MD
LG