Ndërlidhjet

Objekti i Institutit të Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka filluar të ndërtohet në vitin 2004. Në këtë objekt janë investuar rreth 6 milionë euro.

Edhe pse funksionalizimi i tij i pjesshëm, si kimioterapia, ka filluar kohë më parë, ai ende nuk është funksionalizuar në tërësi.

Derisa ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, pati premtuar se ky institut do të fillojë të funksionojë tërësisht në dhjetor të vitit 2011, kjo gjë nuk ka ndodhur. Kjo si pasojë e një shkrese dërguar EULEX it, për hetime të këtij objekti, për shkak se nuk i përmbush kushtet e parapara teknike.

Ministri Agani thotë se Instituti i Onkologjisë shumë shpejt do të funksionalizohet.

“E kemi planifikuar ta bëjmë në javën e parë të dhjetorit, por e kemi shtyrë edhe për dy javë tërë këtë proces, pasi që ka ardhur shkresa nga EULEX-i që thotë se është ngritur dyshimi se mund të ketë rrezik për shëndetin e qytetarëve. Nuk jam i informuar se kush e ka bërë këtë shkresë, pasi që kjo është pjesë e procedurave hetimore. Por, mesi i janarit do të na gjejë me funksionalizim të plotë të këtij instituti”, konfirmon Agani.

Edhe drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Nijazi Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se edhe pse ky institut ka qenë në prag të lëshimit të aplikimit të radioterapisë, por me një vërejtje që ka ardhur me shkrim, që objekti nuk i plotëson kushtet teknikisht për aplikimin e radioterapisë, është ndërprerë puna.
Ne kemi kërkuar nga Instituti i medicinës së punës të bëjë matjet lidhur me rrezatimet në hapësirat dhe përreth objektit...



“Ne kemi kërkuar nga Instituti i medicinës së punës të bëjë matjet lidhur me rrezatimet në hapësirat dhe përreth objektit, dhe jemi në pritje të raportit të këtij instituti. Unë besoj që javën e ardhshme do të vijë raporti dhe ne do të fillojmë me aplikimin e radioterapisë”, shprehet Gashi.

Por, jo edhe Xhavit Bicaj, radiolog në Institutin e Onkologjisë, mendon kështu. Bicaj thotë se aparatet që kanë ardhur në Institutin e Onkologjisë, janë aparate që askund nuk përdoren me standarde evropiane.

Sipas disa zyrtarëve brenda QKUK-së, një prej iniciatorëve të kësaj çështjeje ka qenë Xhavit Bicaj. Për këtë Bicaj e ka një shpjegim të vetin:

“Është përfolur shumë që unë kam qenë një prej njerëzve që e kam inicuar këtë çështje. Si lëndë, unë e di që ka shkuar në EULEX. Por, unë e kam ngritur zërin për shkak të parregullsive që janë bërë. Nëse EULEX-i ka ndërmarrë ndonjë veprim, unë nuk e di”.

Ndërkaq, ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Lulzim Emini, thotë Instituti Onkologjik prej kur ka filluar të funksionojë, i ka kursyer QKUK-së së dhe Ministrisë së Shëndetësisë afër 600 mijë euro dhe xhepit të pacientëve 450 mijë euro.

Andaj, ankesat e tilla, dërguar EULEX-it, Emini i quan interesa personale të individëve, që kanë përfitime në institucione private dhe nuk duan ta shohin sistemin publik duke funksionuar mirë.
Ky institut i ka kursyer QKUK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë 1 milion e 50 mijë euro vetëm për vitin 2010...



“Ky institut i ka kursyer QKUK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë 1 milion e 50 mijë euro vetëm për vitin 2010, dhe atë vetëm me menaxhim të saktë. Hapja e Institutit të Onkologjisë ka qenë lajm i mirë për ata që duan të punojnë dhe për pacientët që vuajnë nga sëmundjet e kancerit. Ka qenë lajm i keq për ata që dëshirojnë që puna e tyre private në dhënien e citostatikëve, apo edhe të keqpërdorimit të tyre, të lulëzojë dhe me këtë kjo është shkurtuar, si dhe e atyre që asnjëherë nuk dëshirojnë që institucionet publike t’i shohin në nivel më të lartë se institucionet private”, shprehet Emini.

Funksionimi i radioterapisë në Klinikën e Onkologjisë, sipas zyrtarëve shëndetësorë, nuk do të ishte lajm i mirë për të gjithë ata që në klinika private aplikojnë radioterapinë, por do të ishte lajm i mirë për të gjithë pacientët që shpenzojnë shuma tejet të mëdha për ta aplikuar radioterapinë në klinika private , apo edhe jashtë vendit.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG