Ndërlidhjet

2012 - vit i vështirë ekonomik


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë
Njohës të çështjeve ekonomike në Prishtinë thonë se ekonomia e Kosovës në vitin 2012 do të përballet me sfida të shumta. Me këtë rast, ata numërojnë luftën kundër korrupsionit, përmirësimin e ambientit biznesor si dhe zbutjen e papunësisë dhe të varfërisë.

Drejtori i Institutit Riinvest, Lumir Abdixhiku, 2012-ën e parasheh madje si vit mjaft të vështirë ekonomik për Kosovën.

“Kosova ka shumë sëmundje kronike afatgjate, të cilat nuk mund të zgjidhen brenda këtij viti. Në këtë kontekst, Kosova do të ballafaqohet me varfërinë dhe papunësinë edhe në vitin 2012. Në të njëjtën kohë, do ta ketë problemin e menaxhimit të pasurive natyrore, në veçanti të Postës dhe Telekomit të Kosovës, Korporatës Energjetike të Kosovës dhe Trepçës”, thotë Abdixhiku.

Sipas tij, gjatë 2012-ës, çdo qeveri do të përballet me probleme, të cilat kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe jo vonesa. Abdixhiku thotë se institucionet e Kosovës duhet ta forcojnë sundimin e ligjit dhe të krijojnë një ambient të sigurt, ku nuk ka korrupsion.

Ilustrim
Ilustrim
“Institucionet e Kosovës duhet ta forcojnë ligjin, të krijojnë një ambient të sigurt - kur them të sigurt, mendoj në një ambient ku nuk ka korrupsion, meqenëse korrupsioni po shkakton një konkurrencë jo të drejtë. Ndërprerja e korrupsionit do të ishte veprimi më i mirë që do ta bënte Kosova”.

“Rekomandoj që të bëhet heqja e të gjitha barrierave në bërjen e biznesit. Rekomandoj që qeveria të ketë më shumë kujdes në shpenzimin e parasë publike, pasi që kemi një ritëm të paparë, po shpenzojmë shumë më shumë sesa që po gjenerojmë të hyra”, thekson Abdixhiku.

Prioritet i Kosovës, sipas tij, duhet të jetë edhe lufta kundër ekonomisë joformale, pasi, siç shprehet, infromaliteti është shumë i lartë dhe njëherësh, në masë të madhe, dëmton buxhetin e Kosovës dhe bizneset private.


Autoritetet, të bëjnë më shumë punë!

Optimist për ekonominë në 2012-ën nuk është as sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi. Andaj, edhe u kërkon autoriteteve kosovare të bëjnë më shumë punë.

“Fokus në zhvillimin ekonomik të vendit duhet të jetë implementimi i projekteve të mëdha në energjetikë dhe në telekomunikacion; tërheqja e investitorëve të huaj; të promovojmë rritjen e eksportit dhe zëvendësimin e importit, duke përkrahur sektorë konkurrues, siç janë: përpunimi i ushqimit, metaleve, sektori i teknologjisë informative”, thotë Rukiqi.

Sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, gjatë vitit 2012, institucionet e Kosovës duhet të punojnë edhe në rregullimin e marrëdhënieve me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Mosmarrëveshjet e Kosovës me FMN-në kanë të bëjnë me shpenzimet për vitin 2011, në veçanti rritjen e pagave për shërbyesit civilë.

Në 2010-ën, Qeveria e Kosovës u dakordua me këtë institucion ndërkombëtar që pagat në sektorin publik të rriten për 7-8 për qind, por këto pagesa janë ngritur për mbi 30 për qind.

Ndryshe, gjatë vitit që po lëmë pas, ekonomia e Kosovës është ballafaquar me probleme të mëdha, si: deficiti i lartë tregtar, numri i vogël i investitorëve të huaj, burokracia dhe korrupsioni, procesi i ngadalshëm në reformimin e ambientit biznesor, shkalla e lartë e papunësisë, normat e larta të interesit dhe raportet jostabile me mekanizmat financiarë ndërkombëtarë.

Lexoni edhe këtë:
Kriza në Eurozonë: Edhe vendet e Evropës Juglindore në rrezik
XS
SM
MD
LG