Ndërlidhjet

Malazezët e kroatët, në pritje të statusit të pakicës


Flamuri i Malit të Zi

Flamuri i Malit të Zi

Presidenca e Kosovës është e vendosur që në fillim të vitit të ardhshmen të propozojë një amendament kushtetues për njohjen e statusit të pakicës për komunitetin malazez dhe atë kroat. Këshilltari i presidentes, Ramush Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë se një propozim i tillë pritet të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm.

Sipas Tahirit, zyrtarë të institucioneve të Kosovës, autoriteteve të Malit të Zi, por edhe përfaqësuesve të këtyre komuniteteve në Kosovë, u kanë premtuar se një çështje e tillë do të rregullohet me kohë.

Ramush Tahiri

Ramush Tahiri

“Këtë punë do ta kryejmë. Unë besoj se një premtim i dhënë nga presidentja është se do të amendamentojë Kushtetutën dhe si propozim, amendamenti do të shkojë drejtpërdrejt në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe do të miratohet ky ndryshim. Siç po shkojnë punët, unë mendoj që kjo do të ndodhë në muajin shkurt ose mars, më së largu”, deklaroi Tahiri.

Vullneti për ndryshim në përbërjen e komuniteteve në Kosovë ekziston edhe në Komisionin aktual kushtetues për amendamentim.

Kryetari i këtij komisioni, Arsim Bajrami tha se në momentin kur do të ketë kërkesa nga propozuesit e autorizuar, komisioni do të jetë i gatshëm për të trajtuar pozitën kushtetuese të komunitetit malazez dhe atij kroat.

“Ka vullnet politik nga të gjitha partitë politike që kjo çështje të trajtohet në mënyre kushtetuese, kur do të vijë një kërkesë formale nga presidenti, nga Qeveria apo nga Parlamenti, të cilët janë propozuesit e autorizuar të ndryshimeve kushtetuese. Siç e dini, me Kushtetutën e Kosovës ka 20 vende për pakicat, deri tash të rezervuar, e tash edhe të garantuar”, shpjegoi Bajrami.

Me Kushtetutën e Kosovës në Kuvend janë të rezervuar 20 vende për pakicat, nga të cilat 10 janë për komunitetin serb e 10 për komunitetet e tjera.

Bajrami propozoi që brenda përfaqësuesve të komuniteteve në Kosovë të zhvillohet një debat politik lidhur me atë se si do të lirohen dy vende në Kuvendin e Kosovës, për malazezët dhe kroatët.

Por, përfaqësuesit e komunitetet malazez konsiderojnë se atyre në Kuvendin e Kosovës u takon më shumë se një vend.

Sllobodan Vujiqiq, kryetar i Shoqatës së Malazezve të Kosovës, tha se komuniteti serb në Kuvend i ka zënë vendet e komunitetit malazez në Kuvend.

“Mendojmë se ata i kanë marrë vendet tona dhe problemi është që ata nuk po përgjigjen në ftesat tona për debate për të biseduar për këtë çështje. Kjo ndodh pasi që ata e dinë se ne i kemi të gjitha faktet në anën tonë”, tha Vujiqiq.

Arsim Bajrami

Arsim Bajrami

Megjithatë, Arsim Bajrami tha që për komunitetin malazez është e rëndësishme që të ketë një vend të siguruar në Kuvend, kurse çdo ulëse tjetër në Kuvend varet nga votat e qytetarëve.

“Meqenëse po thoni se keni numër të madh të zgjedhësve, atëherë duhet ta demonstroni me vota, kurse sa i përket raportit tuaj me partitë politike serbe, unë propozoj që menjëherë ta filloni debatin se si ta arrini një marrëveshje, sepse unë mendoj se aty duhet të kërkohen”, theksoi Bajrami.

Me përfshirjen e komunitetit malazez dhe kroat në Kushtetutë, mozaiku i komuniteteve të Republikës së Kosovës do të rritet në tetë komunitete të ndryshme, të cilave u garantohen në mënyrë të barabartë të drejtat dhe liria.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG