Ndërlidhjet

Qeveria - pa arsye për shqetësim


Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

Viti 2011 pati nisur edhe me një fillim të ri në skenën politike të Kosovës - krijimin e Qeverisë së re me oponentët e saj partiakë në Kuvend. Gjatë vitit që po lëmë pas, ekzekutivit të vendit me në krye Hashim Thaçin, iu drejtuan një varg kritikash për veprimet e saj në fusha të ndryshme.

Por, çfarë bëri opozita kosovare përveç se kritikoi partitë në pushtet?

Njohësit e rrethanave politike në Prishtinë flasin për ekzistimin e një krize parlamentare në Kosovë, për shkak të, siç thonë ata, mungesës së një opozite apo blloku opozitar, i cili do të duhej ta kryente funksionin e tij si në çdo demokraci parlamentare.

Analisti Jusuf Buxhovi thotë se me opozitën aktuale, kryeministri Thaçi nuk ka arsye për t’u shqetësuar fare për mandatin e kabinetit të tij.
Hashim Thaçi si politikan - madje tani me sa po shihet, nuk ka fare nevojë të brengoset se një opozitë e tillë mund ta rrezikojë.


“Hashim Thaçi si politikan - madje tani me sa po shihet, nuk ka fare nevojë të brengoset se një opozitë e tillë mund ta rrezikojë. Përkundrazi, çdo sjellje e saj, për fat të keq, po i sjell atij pikë”, shprehet Buxhovi, për të shtuar se me hyrjen e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend, ka ndryshuar vetëm përbërja e legjislativit, por nuk është përmirësuar niveli i debatit politik në këtë institucion.

Buxhovi - njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, hedh fajin pikërisht te kjo parti, e cila, siç thotë ai, ka dështuar përgjatë viteve të kaluara - qoftë në rolin e saj gjatë bashkë-qeverisjes së dikurshme me Thaçin, qoftë tani, kur bën pjesë në radhët e partive që s’janë më në pushtet.

“Barra më e madhe i bie Lidhjes Demokratike të Kosovës. Përgjegjësia është tek ajo parti, sepse është një parti shtet-ndërtuese; është një parti, e cila ka udhëhequr lëvizjet shtet-formuese në vitet ’90; një parti që ka merita të mëdha në këtë lëvizje, por që ka dështuar në jetën parlamentare. Ka dështuar edhe në kohën e Rugovës, veçmas nga zgjedhjet e para të vitit 2001 dhe ato të vitit 2004, ku pati hyrë në bashkë-qeverisje me kujtesën se kjo bashkë-qeverisje i ka lejuar apo i ka krijuar një komoditet udhëheqësve të LDK-së për të vepruar keq. Këtu unë e shoh krejt defektin e kësaj që po ndodh”, thekson Buxhovi.

Të kundërtën e thotë analisti Ismail Hasani, me vlerësimin se LDK-ja dallon nga partitë e tjera opozitare.

Lëvizja Vetëvendosja aktualisht operon me gjuhën stigmatizuese verbale karshi pozitës që nuk i kontribuon zhvillimit të proceseve politike në Kosovë - përjashto Lidhjen Demokratike të Kosovës, që si parti opozitare dhe si partia e dytë në Kosovë për nga numri, ka reaguar në situata të ndryshme duke i adresuar kërkesat dhe kritikat Qeverisë me një platformë, e cila është ndryshe nga subjektet e tjera politike, siç është rasti i Vetëvendosjes”, shprehet Hasani.

Subjekti politik, që nuk u përmend fare nga analistët në prononcimet dhënë Radios Evropa e Lirë, është partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, po ashtu parti opozitare.

Subjektet politike që përfaqësohen në Parlament, e që janë në opozitë, ushqehen me ndjenjën e vetëmjaftueshmërisë.
Megjithatë, emërues i përbashkët i vlerësimeve të Buxhovit dhe Hasanit mbetet mungesa e ofrimit të alternativave reale për përmirësimin e qeverisjes aktuale, që, sipas tyre, do të duhej të vinin nga të gjitha partitë opozitare të përfaqësuara në Kuvend.

“Pikërisht insistimi im është te mungesa e platformës për veprim unik të bllokut opozitar. Subjektet politike që përfaqësohen në Parlament, e që janë në opozitë, ushqehen me ndjenjën e vetëmjaftueshmërisë. Ato konsiderojnë dhe e shohin veten si faktor të rëndësishëm në Parlament, si subjekt politik, ndërkohë që sjelljet do të duhej të ishin më të koordinuara si bllok opozitar”, vlerëson analisti Ismail Hasani.
XS
SM
MD
LG