Ndërlidhjet

logo-print

Maqedonia në 2011: Suksese apo dështime?!


Shkup - foto nga arkivi

Shkup - foto nga arkivi

Për partitë në pushtet të Maqedonisë, 2011-ta ka qenë vit i suskesshëm, përkundër vështirësive nëpër të cilat ka kaluar ky vend. Nga partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE, numërojnë disa nga zhvillimet që mendojnë se kanë ngritur imazhin e Maqedonisë.

“Gjatë vitit 2011 do të veçoja pesë zhvillime pozitive: zgjedhjet parlamentare, të cilat u zhvilluan në atmosferë demokratike, pastaj 20-vjetorin e pavarësisë së shtetit që u shënua me aktivitete të shumta; si ngjarje të tretë do të veçoja
susksesin e basketbollistëve maqedonas në kampionatin evropian në Ukrainë, pastaj vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila konfirmoi se pa fajin tonë, Maqedonia nuk është anëtare e strukturave euroatlantike”.

“Si zhvillim të pestë do të veçoja suksesin e Maqedonisë në kapërcimin e pasojave nga kriza ekonomike botërore”,
deklaron Ace Spasenovski nga VMRO-DPMNE-ja.

Ai pret që aktorët politikë të vazhdojnë edhe në vitin 2012 me zhvillimin e vendit si në planin politik, ekonomik dhe integrues, çfarë është edhe synim i qytetarëve të Maqedonisë.

Edhe nga partia tjetër në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, thonë se viti 2011 ka qenë i suksesshëm, ndërsa veçojnë disa nga ligjet e miratuara.

“Kjo përbërje parlamentare u promovua me miratimin e tre ligjeve shumë të rëndësishme për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, në aspekt të përdorimit të gjuhës shqipe, të flamurit si dhe me mbylljen e rasteve të Hagës, që ngjallën reagime shumë serioze”.

“Gjithashtu do të veçoja edhe faktin se gjatë kësaj periudhe vazhdoi fryma e unitetit dhe e koncensuesit për miratimin e ligjeve me shenjën evropiane”,
shprehet Suzana Saliu, nënkryetare e Parlamentit të Maqedonisë nga radhët e BDI-së.

Ajo thotë se gjatë vitit 2012 do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim në avancimin e mëtejmë të çështjes shqiptare.


Për opozitën - vit "katastrofal"

Vlerësime krejt ndryshe japin partitë opozitare, duke e vlerësuar si katastrofal vitin 2011. Nga Partia Demokratike Shqiptare thonë se gjatë këtij viti, shqiptarët nuk arritën t’i realizojnë të drejtat e tyre, pasi “ligji për përdorimin e gjuhës shqipe e kufizon edhe më shumë këtë të drejtë themelore, të garantuar në çdo vend të botës”.

“Për fat të keq, mund të konsideroj se ky vit nuk ka qenë vit i mirë për fajin e atyre që qeverisin. Jemi dëshmitarë se kanë filluar të rriten tensionet ndëretnike. Ne kemi ligje të miratuara, siç është edhe ai për përdorimin e gjuhës shqipe, që nuk është në përputhje me amendamentin pesë të Kushtetutës së Maqedonisë, i cili gjuhën shqipe e garanton si gjuhë të dytë zyrtare në vend”.

“Sa u përket integrimeve në NATO dhe në Bashkimin Evropian, edhe këtu Republika e Maqedonisë vazhdon të vendnumërojë”, thotë anëtari i kryesisë qendrore të PDSH-së, Bekim Fazliu.

Sipas tij, me këtë politikë që po udhëheq garnitura e tanishme qeveriatare, qytetarët nuk duhet të presin asgjë nga viti 2012.

Edhe nga Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë, parti kjo opozitare, drejtojnë një sërë akuzash për dështime gjatë vitit 2011.

“Gjatë këtij viti që po kalon nuk ka ndodhur asgjë e veçantë; përkundrazi, popullata e Maqedonisë vazhdon të varfërohet; në raport me integrimin e vendit, situata vazhdon të mbetet në status-kuo; përkundër vendimit pozitiv nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, kjo nuk mjafton në arritjen e synimit tonë - integrimin në NATO dhe në BE”.

“Gjatë këtij viti kishte edhe tendosje në raportet ndëretnike, si dhe harxhime të shumta të parave të qytetarëve për projektin ‘Shkupi 2014’. Besoj se nuk do të ketë përmirësime as në vitin që po hyjmë, në veçanti në planin e ndonjë përmirësimi ekonmik. Si pasojë e kësaj, qytetarët do të varfërohen edhe më tej”,
thotë Andrej Petrov nga LSDM-ja.
XS
SM
MD
LG