Ndërlidhjet

logo-print

WP: Viti i liderit të hutuar


Amerikanët duke festuar vrasjen e Bin Ladenit. Nju Jork, 2 maj 2011.

Amerikanët duke festuar vrasjen e Bin Ladenit. Nju Jork, 2 maj 2011.

"Washington Post"

Ky ishte një vit, në të cilin ngjarjet rrallë dolën ashtu siç u parashikuan dhe shumica e botës dukej e fshehur në trazira dhe pasiguri. Ishte e vështirë për analistët e Qeverisë në Uashington të dinin se ku ndodheshin në hartë, e lëre më të dinin se nga ishin drejtuar.

Në vend të shprehjes së famshme të Klausvitcit, ‘mjegulla e luftës’, tani bëhej fjalë për ‘mjegullën e revolucionit’ dhe vazhdimësinë e ‘mjegullës së politikës’.

Nëse kërkoni një imazh të unifikuar për vitin 2011, shumë mundësi janë të qarta. Një është “protestuesi” - zgjedhja e revistës “Times” për personin e vitit. Zgjedhja tjetër është “terrorist i vdekur”, Osama Bin Laden, vrasja e të cilit shënoi një përfundim emocional të dekadës, pas 11 Shtatorit të vitit 2001.

Në këtë rishikim dhe përmbledhje të vitit, fokusi drejtohet në një imazh të tretë - atë të “liderit të hutuar”.

Ky vit ka ofruar shumë kandidatë, që nga presidenti Obama, stili i të cilit ishte rezervuar për “udhëheqjen nga prapa”; pastaj evropiania Angela Merkel e Gjermanisë dhe Nikolas Sarkozi i Francës, të cilët e kaluan vitin duke u marrë me krizën e tyre ekonomike, për të vazhduar me totalitarët e tregut të lirë, Vladimir Putinin e Rusisë dhe Hu Xhintaon e Kinës.

Le të mos harrohen edhe liderët më të hutuar nga të gjithë që u përmendën – Hosni Mubaraku i Egjiptit, Ali Abdullah Salehu i Jemenit, Muamer Gadafi i Libisë dhe Bashar Al-Asadi i Sirisë.

Duke pasur parasysh paqartësitë me të cilat po ballafaqohet bota, SHBA-ja sigurisht se është më me fat që nuk ka pasur dramë me presidentin e vet, i cili kërkonte t’iu shmangej gabimeve.

Megjithatë, është i padiskutueshëm fakti se viti 2011 ishte një mësim për fuqinë e zvogëluar të Shteteve të Bashkuara. Një debat i madh për fushatën e vitit 2012 do të jetë nëse është i mundur një rikthim amerikan dhe se çfarë duhet të jenë limitet.

Kajro, janar 2011.

Kajro, janar 2011.

Ky ishte një vit i përçarë nga kontradiktat: Lëvizja qytetare që nisi në Tunizi, si Pranvera Arabe, përfundoi duke fuqizuar grupet politike myslimane gjithandej, deri në atë pikë sa disa arabë laikë filluan të merakoseshin se një "Dimër islamik" po vinte, duke ngrirë të drejtat e grave dhe minoriteteve.

Në Egjipt, një ushtri që këtë vit e filloi si aleat i protestuesve, përfundoi duke qenë armik i tyre.

Po islamikët radikalë? Paradoksi i vitit 2011 ishte se Al Kaida, grupi udhëheqës terrorist, dukej në prag të humbjes pas vdekjes së Bin Ladenit, ndërsa fytyrat politike të Vëllazërisë Myslimane ishin mbizotëruese në Tunizi, Egjipt dhe Siri; të mos përmendet Turqia, e cila në vitin 2011 dukej se ofertonte për një status neo-osman, me Obamën si lehtësues dhe ndonjëherë edhe mbrojtës.

Dy shembujt më shqetësues të liderëve të hutuar ishin në Evropë dhe Pakistan. Edhe pse kulturalisht larg njëra-tjetrës, të dyja vendet përjetuan një vit në të cilin liderët politikë dështuan në adresimin e kërcënimeve ekzistenciale.

Bruksel

Bruksel

Evropa është ende një mister në fund të këtij viti; sidomos Gjermania që vepron sikurse është në gjendje që ta shesë pjesën tjetër të kontinentit për shëndetin ekonomik. Politikat e koordinuara fiskale dhe të kursimit me siguri se do të jenë të nevojshme për të ardhmen e Eurozonës.

Por, ajo çka është e nevojshme tani, është fleksibiliteti dhe rritja, që inkurajohen nga Banka Qendrore Evropiane, që mund të veprojë si Rezervat Federale të SHBA-së, si një huadhënës i fundit.

Pakistani është shembulli më i frikshëm i vitit në dështimin e udhëheqësisë. Është një tregim i përkrahur nga politikat e SHBA-së, që me qëllimet më të mira vazhdoi ta shtonte destabilizimin e Pakistanit.

Fanatizmi i ushtrisë kërkonte që ta mbulonte dështimin e saj për të gjetur një udhëheqës të Al Kaidës dhe për të luftuar një kryengritje islamike që kërcënonte Islamabadin shumë më tepër sesa që do të mund ta kërcënonte SHBA-ja.

Ky vit që po e lëmë pas, është një vit që historianët e së ardhmes do ta shikojnë si një kthesë thelbësore. Dhe e vërteta, edhe pse në shikim të parë duket e frikshme dhe gjallëruese, është se nuk e dimë ende se në çfarë drejtimi do të lëkundet dera.

Amerika do të ishte e mençur po qe se në vitin 2012 do të bënte më shumë për të siguruar se kjo kthesë thelbësore është një hapje, më tepër sesa një mbyllje. (v.k.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG