Ndërlidhjet

Qytetarët urojnë: Politikanët të zhveshen nga e kaluara


Prishtinë - Foto arkivi

Prishtinë - Foto arkivi

Dëshirat për shëndet të mirë, vullnet më të madh politik, por edhe rritje të vetëpërgjegjësisë, janë urimet që u bëjnë politikanëve kosovarë disa qytetarë të Prishtinës.

Ndonëse mendon se ka shumë dështime, korrupsion, padrejtësi dhe nepotizëm, profesori Riza Smaka uron shëndet të mirë për politikanët në vitin 2012.

“Paçin shëndet, fat, por edhe vullnet politik shumë më të madh e më të sinqertë, për punë shumë serioze, të ndershme. Uroj që t’u rritet pak ndjenja e autopërgjegjësisë, që kur dështon, të di të thotë se ka dështuar”, shprehet Smaka.

Sadije Rrushemi, me profesion arsimtare, krahas urimit, shpreh dëshirën për më shumë punë dhe përkushtim nga ana e politikë-bërësve.

“Politikanëve do t’u thosha të punojnë më shumë, në mënyrë që ta stimulojnë rininë; të mos bredhë rinia rrugëve, por të inkuadrohet në vende kyçe”, thotë ajo.

Dëshira e Petrit Hakajt është që të ndodhë sa më shpejt liberalizimi i vizave me vendet e Bashkimit Evropian. Për këtë dhe të tjera, ai i porosit politikanët kosovarë:

“Të punojnë më shumë në vitin 2012. Të angazhohen për liberalizimin e vizave. Të punojnë rreth njohjeve, sepse ashtu zhvillohet ekonomia. T’i kryejnë këto punë që i kanë nisur”.

Por, një mesazh ndryshe ka Genta, e cila është gazetare:

“Urimi im për politikanët e Kosovës është, pa diskutim, çdo e mirë, si dhe ta përmbyllin vitin 2011 me foton e Edi Ramës: të zhveshen nga e kaluara dhe të mendojnë për të ardhmen”.


Duan mirëqenie dhe zhvillim

Urimi i Azemit për politikanët është ky: “Shtetit të Kosovës t’i japin fuqi përbrenda, pa improvizime, me më shumë përkushtim dhe me më shumë profesionalizëm për secilën punë. Sa i përket afirmimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe fitimit të njohjeve të reja, uroj të punojnë më shumë dhe të mos bëjnë propagandë pa rezultate”.

Mimoza Gashi, rreth 25-vjeçare, kërkon mirëqenie.

“Urimi im për politikanët e Kosovës është të bëjnë më pak para, ndërsa neve të na mundësoojnë një jetë pak më të mirë”, shprehet Mimoza.

Edhe Bekim Salihu, me profesion gazetar, kërkon nga autoritetet e Kosovës që puna e tyre prioritare të jetë zhvillimi ekonomik.

“Mendoj që viti 2012 duhet të jetë prioritet i zhvillimit ekonomik. Të dilet nga kjo amulli ekonomike në të cilën është futur Kosova”, thotë ai.

“Urimi im është që të punojnë më shumë”, shprehet në anën tjetër Astrit Berisha, në mesazhin drejtuar politikanëve kosovarë.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG