Ndërlidhjet

Arsimi: Cilësi e dobët, ndikim politik...


Fakulteti Ekonomik (foto arkiv)

Fakulteti Ekonomik (foto arkiv)

Cilësia e ulët e arsimit, si në institucionet parauniversitare, ashtu edhe në ato universitare, edhe gjatë këtij viti mbetet një ndër shqetësimet kryesore për njohësit e kësaj fushe.

Sipas tyre, edhe pse autoritetet kompetente cilësinë në arsim e kishin shpallur si prioritet, në fund të vitit nuk është treguar asnjë rezultat.

Dukagjin Pupovci, nga Qendra për Arsim e Kosovës, shprehet se në Kosovë, edhe sistemi i arsimit është politizuar, çka rrjedhimisht ndikon edhe në cilësinë e arsimit.


Problem tjetër në këtë sektor, sipas tij, mbeten edhe programet e stërngarkuara mësimore.

“Ky politizim është bartur nga niveli qendror në nivelet komunale, shpeshherë emërohen drejtorët e shkollave me idenë se ata do të jenë menaxherë të qendrave të votimit dhe jo menaxher i një institucioni edukativo- arsimor. Kështu që, të gjitha këto ndikojnë pastaj që performanca e shkollës të mos jetë në nivelin e duhur dhe patjetër të ndikojë në cilësinë e arsimit”, thotë Pupovci.

Ndërkaq, Jonuz Salihaj, ekspert për çështje të arsimit, konsideron se gjatë vitit 2011 ka pasur një rënie të cilësisë së arsimit, madje, sipas tij, Kosova është larg standardeve evropiane sa i përket kësaj çështjeje.

Si dëshmi më e mirë rreth cilësisë së ulët të arsimit, sipas Salihajt, është niveli i lartë i analfabetizmit në vend.

Salihaj thotë se autoritetet arsimore nuk kanë një vizon të qartë, nuk kanë caktuar dhe zbatuar në mënyrë të mirëfilltë prioritetet, të cilat do të ndikonin në rritjen e cilësisë së arsimit.

Jonuz Salihaj

Jonuz Salihaj

“Ne kemi edhe analfabetë mjaft - 6 për qind e njerëzve janë analfabetë klasikë, madje ka shumë analfabetë funksionalë, rreth 30 për qind dinë të shkruajnë një fjali, por nuk e dinë kuptimin e tyre. Do të thotë në përgjithësi viti 2011 karakterizohet me ulje të cilësisë, jo bazuar në premisa politike, por bazuar në vlerësime që janë bërë nga institucionet e specializuara për vlerësime të jashtme”, thekson Salihaj.

Problemi më i madh në sistemin e arsimit, sipas Salihajt, paraqitet tek institucionet e larta publike, pasi, thotë ai, diplomat e studentëve nuk garantojnë edhe cilësi të njohurive.

“Ka qindra njerëz që kanë tituj bachelor dhe master. Masteri është bërë më shumë një fjalë që përdoret, kam master - kam përfunduar master, kjo është devalvuar shumë, si nga institucionet private, po ashtu edhe nga Universiteti Publik. UP-ja pranon studentë përtej normave dhe nuk ka kushte për ta, nuk ka laboratorë, s’ka kabinete . Dhe, këto diploma sigurisht që nuk paraqesin atë që do të duhej, arsimi ynë do të thotë cilësi”, vlerëson Salihaj.

Në Kosovë ekziston Agjencia për Akreditim e Kosovës, e cila vlerëson cilësinë në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë.


Basri Muja, nga kjo agjenci, thotë se viteve të fundit ka pasur përmirësim sa i përket cilësisë në arsimin e lartë, por, sipas tij, ka hapësirë të punohet edhe më shumë.

Muja thotë se Kosova në këtë sistem nuk dallon shumë nga vendet e rajonit.

“Ne nuk duhet të harrojmë pak edhe kontestin kosovar, ne e dimë sistemin paralel që ka qenë para lufte dhe sistemin e arsimit që ka ekzistuar pas luftës. Ne vetëm në vitin 2008 kemi menduar vërtet për sigurimin e cilësisë në arsim të lartë. Dhe, jam shumë i lumtur që sigurimi i cilësisë vetëm sa ka etabluar, institucionet janë familjarizuar me sigurim të cilësisë. E them prapë se ka shumë për t’u bërë, ka shumë defekte, por mendoj se jemi në rrugë të mirë”, shprehet Buja.

Kohëve të fundit, ka pasur debate të ashpra për sistemin e arsimit, por vetëm përmes komunikatave për media, ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Grupi i ekspertëve të arsimit të LDK-së, e ka vlerësuar vitin 2011 si vit të dështimit të Ministrisë së Arsimit, sipas të cilëve, kjo ministri nuk ka treguar profesionalizëm dhe transparencë duke dëmtuar në këtë mënyrë gjithë sistemin e arsimit në vend.

Ndërsa, në reagimet e Ministrisë së Arsimit, thuhet se Lidhja Demokratike e Kosovës po bën përpjekje për të minimizuar sukseset e shënuara të këtij institucioni, pasi sipas Ministrisë së Arsimit, viti 2011, është vit i suksesit, transparencës dhe zbatimit të plotë të ligjit.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG