Ndërlidhjet

Kryeministri Hashim Thaçi i dha një notë shumë të lartë qeverisjes së tij gjatë vitit 2011. Ai tha se për këtë vit Kosova arriti që të konsolidojë shtetësinë e saj, kurse në vitin 2012 do të përmbyllë fazën e pavarësisë së mbikëqyrjes ndërkombëtare.

Fillimin e reformave kushtetuese e zgjedhore, aksionin e 25 korrikut për marrjen e pikave doganore 1 dhe 31, dialogun me Serbinë dhe hapjen e perspektivës për liberalizimin e vizave me BE-në, Thaçi i vlerësoi si arritjet më të mëdha politike.

“Viti 2011 ishte vit i Kosovës evropiane, ndërsa viti 2012 do të jetë vit i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, pra i fillimit të funksionimit të pavarësisë së plotë”, deklaroi Thaçi.

Nga aspekti i politikave socio-ekonomike, Thaçi përmendi sidomos ngritjen e pagave për punonjësit e arsimit, shëndetësisë, për policët, pjesëtarët e FSK-së dhe kategoritë tjera që financohen nga buxheti.

Një vlerësim krejt ndryshe për qeverisjen, të arriturat dhe sukseset e vitit 2011 prezantoi lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Gjatë një pritjeje për gazetarët, Kurti tha se viti që po e lëmë pas ishte vit i mungesës së sovranitetit. Përderisa Qeveria, sipas tij, përdori mekanizmat shtetërorë për t’i rehabilituar dhe punësuar militantët e partisë në pushtet.

Albin Kurti

Albin Kurti

“Viti 2011 ishte vit i mungesës së sovranitetit dhe i teprimit të Qeverisë. Mungesa e dorës së shtetit bëri që Kosova të jetë një treg i hapur për secilën ekonomi prodhuese të rajonit dhe, në anën tjetër, ajo të mos ketë ekonomi prodhuese”, tha Kurti.

Derisa opozita në vazhdimësi kritikoi këto ditë kryeministrin dhe Qeverinë për keqqeverisje, por edhe mosbashkëpunim dhe vendosjen e kontrollit mbi Parlamentin, mediat dhe të gjitha sferat e interesit, kryeministri Thaçi tha të kundërtën.

Gjatë këtij viti, sipas Thaçit, për herë të parë është vendosur një bashkëpunim i shëndoshë në relacionet pozitë - opozitë.
Dëshiroj ta falënderoj edhe opozitën për mirëkuptimin që ka treguar dhe angazhimin e përbashkët në disa sfera...



“Dëshiroj ta falënderoj edhe opozitën për mirëkuptimin që ka treguar dhe angazhimin e përbashkët në disa sfera, në veçanti në atë për veriun, reformat kushtetuese e zgjedhore, perspektivën evropiane, të cilën e kemi bërë bashkërisht dhe se në Kosovë po ndërtohet një frymë e mirë e bashkëpunimit pozitë - opozitë”, u shpreh Thaçi.

Në anën tjetër, Albin Kurti jo vetëm që nuk mendon se këtë vit kishte bashkëpunim dhe mirëkuptim midis opozitës dhe pozitës, por tha se uron që për të mirën e Kosovës, Qeveria Thaçi të shkojë sa më shpejt nga pushteti.

“Urojmë që në vitin 2012, deri në ditën kur do ta heqim këtë Qeveri nga pushteti, ajo të bëjë sa më pak të këqija, tash kur na ka dëshmuar se gjërat e mira nuk i bën dot”, theksoi Kurti.

Sidoqoftë, në këtë fundvit, pozita dhe opozita prezantuan pikëpamje diametralisht të kundërta në lidhje me përparimet e vëna në shtetin më të ri në Evropë.

Por, ajo që i bashkoi të dy taborët politikë ishte urimi i tyre drejtuar qytetarëve që ata të kenë një vit të ri më të mirë sesa vitin që po e lënë pas.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG