Ndërlidhjet

Viti i ngrirjes së veriut


Barrikadat e serbëve në veri të Kosovës...
Barrikadat e serbëve në veri të Kosovës...
Viti 2011 filloi nën ethet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 12 dhjetorit të vitit paraprak. Procesi maratonik zgjedhor u përcoll me shumë parregullsi, manipulime dhe rrjedhimisht edhe me shumë ankesa të subjekteve pjesëmarrëse që në disa qendra votimi dhe komuna çuan në rivotime.

Duke vazhduar me përsëritjen e votimeve, Kosova po zhytej në një krizë institucionale. Megjithatë, maratona zgjedhore u përmbyll me rivotimet e 23 janarit në Mitrovicë. Pas rivotimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli fituese Partinë Demokratike të Kosovës, të kryeministrit Hashim Thaçi, e cila siguroi 34 vende në Kuvend. Ajo pasohej nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me 27 vende, Vetëvendosja me 14, Aleanca për ardhmërinë e Kosovës me 12, Aleanca Kosova e Re me 9 vende, si dhe një rol të rëndësishëm kishin edhe pakicat, të cilat edhe ashtu kishin 20 vende të rezervuara me Kushtetutë.

Pas përmbylljes së procesit zgjedhor, fillojnë edhe zyrtarisht negociatat për koalicionin qeverisës. Nga negociatat vullnetarisht largohen LDK-ja dhe Vetëvendosje, të cilat nuk dëshironin në asnjë formë të ishin në koalicion me PDK-në.

Më pas njësoj veproi edhe AAK-ja. Kështu që PDK-së dhe Hashim Thaçit partnerët e vetëm që i mbetën ishin AKR-ja e Behxhet Pacollit me disa parti në koalicion dhe partitë e pakicave.

Marrëveshja e koalicionit u arrit mjaft shpejt me dakordimin fillestar ndërmjet Hashim Thaçit e Behxhet Pacollit, që i pari të marrë mandatin e dytë të kryeministrit, kurse i dyti atë të presidentit. Meqenëse PDK-ja dhe Thaçi bashkë me AKR-në e Pacollit dhe 6 partitë në koalicion nuk kishin vota që të formonin qeverinë, ata u ofruan më pas edhe tri poste ministrore pakicave dhe një post të zëvendëskryeministrit.

Zgjedhja e presidentit dhe e Qeverisë u caktua për 22 shkurt. Pas tre raundeve të votimit me 62 vota për, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Behxhet Pacollin president për mandatin pesëvjeçar. Ndërkaq, me 65 vota të deputetëve, Kuvendi miratoi edhe formimin e Qeverisë së re të Kosovës, të kryesuar nga Hashim Thaçi. Votimi për presidentin dhe Qeverinë u bojkotua nga opozita.

Seanca u kryesua nga kryetari i rizgjedhur i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ndërsa presidenti i zgjedhur atë ditë, Behxhet Pacolli, pas votimit, dha betimin si president i Kosovës.

Behgjet Pacolli
Behgjet Pacolli
“Do të punoj për ruajtjen e integritetit dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës. Do të punoj për barazinë në mes të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera etnike dhe respektimin e së drejtës për të gjithë”, ishte shprehur Pacolli.

Menjëherë pas zgjedhjes së Pacollit, Kuvendi zgjodhi edhe kryeministrin dhe Qeverinë e re të Kosovës. Para deputetëve, një program në pika të përgjithshme me zotimet për angazhimet politike prezantoi kryeministri Hashim Thaçi.

“Nëse mandati ynë i parë ishte shpallja e pavarësisë, tash do të vazhdojmë me reforma të thella demokratike, dhe mandate i dytë do të jetë i Kosovës evropiane”, kishte deklaruar Thaçi.

Me gjithë vërejtjet për parregullsi në zgjedhje, komuniteti ndërkombëtar përgëzoi Kosovën për zgjedhjen e institucioneve të reja.

Por, krahas përgëzimeve, erdhi edhe kërkesa që Qeveria të caktojë një përfaqësues special për nisjen e dialogut me Serbinë. Kryeministri Thaçi iu përgjigj pozitivisht këtyre kërkesave dhe vendosi që ta emërojë zëvendëskryeministren Edita Tahiri si koordinatore në këtë proces nga pala kosovare.

Edhe pse opozita kërkonte që Kuvendi të vendoste për bisedimet me Serbinë, Qeveria arriti që këtë çështje ta zgjidhë me një rezolutë në Kuvend.

Takim i parë u zhvillua më 8 mars në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kurse një ditë më herët, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë për këto bisedime, e cila në emër të PDK-së, u prezantua nga shefi i grupit parlamentar, Adem Grabovci.

“Ju lus që ta përkrahni këtë rezolutë, e cilado t’i japë Kuvendit të Kosovës të drejtë që të mbikëqyrë, përcjellë rrjedhën e bisedimeve dhe të drejtën për çdo rast që të kërkojnë sqarime në Kuvend”, pati thënë Grabovci para Kuvendit.

Përmbyllja e procesit të zgjedhjeve dhe formimi i institucioneve i dha fund edhe heshtjes së misionit për sundim të Ligjit të Bashkimit Evropian - EULEX.

Fatmir Limaj duke hyrë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë...
Fatmir Limaj duke hyrë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë...
Po gjatë muajit mars, EULEX-i ngre aktakuzë për krime lufte kundër 9 personave, ish- pjesëtarë të UÇK-së, në mesin e të cilëve ishte edhe deputeti dhe nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj, por i cili fillimisht nuk mund të arrestohej pasi që atë e mbronte imuniteti prej deputeti.

Sidoqoftë, me kërkesën e komunitetit ndërkombëtar, muaj më pas Qeveria Thaçi iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për sqarimin e çështjes së imunitetit të deputetëve dhe funksionarëve të lartë, me çka më pas iu hap rruga ligjore EULEX-it që t’i shqiptojë masën e arrestit shtëpiak Fatmir Limajt. Procesi “Kleçka”, ku bën pjesë deputeti Limaj zyrtarisht pritet të nisë gjatë muajit janar të vitit 2012.

Gjykata Kushtetuese ishte në qendër të vëmendjes gjatë muajve të parë të vitit. Pasi që më 2010 kjo Gjykatë kishte rrëzuar ish-presidentin Fatmir Sejdiu për shkak të shkeljes kushtetuese, kësaj radhe LDK-ja ishte ajo që kërkonte mendimin e saj në lidhje me pretendimin se Behxhet Pacolli ishte zgjedhur në mënyrë antikushtetuese në postin e presidentit.

Pas një muaji në postin e presidentit, Behxhet Pacolli merr një lajm aspak të këndshëm. Gjykata Kushtetuese vërteton se ai nuk u zgjodh konform normave e akteve kushtetuese, andaj edhe duhej ta lëshonte postin. Në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhej se zgjedhja e Pacollit si president pa asnjë kundër-kandidat ka paraqitur shkelje të nenit 86 të Kushtetutës së Kosovës. Po ashtu edhe mungesa e kuorumit është vlerësuar si antikushtetuese.

Pacolli nuk kishte zgjidhje tjetër pos që ta respektonte vendimin e Gjykatës. Por, apetitet e tij për president ishin ende gjallë dhe ai mendonte të kandidonte sërish. Kjo u konfirmua nga nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Gashi.

“Konsiderojmë që Kuvendi i Kosovës është i vetmi organ kompetent për të ndërmarrë sa më parë hapat e ardhshëm. Duke konsideruar se do të ketë përsëritje të procedurës së zgjedhjes së presidentit të Republikës së Kosovës, ju njoftojmë se zoti Behxhet Pacolli do të jetë kandidat nga radhët e koalicionit, meqenëse sipas vendimit që pranuam sot nga Gjykata Kushtetuese, zoti Pacolli nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese”, vlerësonte Gashi.

Marrëveshja e 7 prillit ndërmjet Hashim Thaçit, Behxhet Pacollit dhe Isa Mustafës nxjerr një kandidate konsensuale për presidente.
Marrëveshja e 7 prillit ndërmjet Hashim Thaçit, Behxhet Pacollit dhe Isa Mustafës nxjerr një kandidate konsensuale për presidente.
Dëshirat e Pacollit për t’u zgjedhur në mënyrë të ligjshme president i dogji përfundimisht opozita. Të tri partitë opozitare i kumtojnë Pacollit se do ta braktisin sallën sa herë që ai kandidon. Tani në duart dhe vendimet e Pacollit ishte që të çonte vendin në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme apo të përfshihej në Qeveri.

E, që gjërat të mos kthehen në pikën zero, përkujdeset edhe përfaqësuesi i shtetit më të fuqishëm në botë.

Ambasadori amerikan, Kristofer Dell, merr rolin e ndërmjetësuesit dhe i mbledh në një takim kryeministrin Hashim Thaçi, presidentin e larguar Behxhet Pacolli dhe liderin e opozitës, Isa Mustafa.

Pas disa ditësh, negociatat përfundojnë me marrëveshjen e 7 prillit, sipas së cilës Kosova do të nxjerr një kandidate konsensuale për president, edhe atë femër dhe ajo ishte presidentja aktuale Atifete Jahjaga, një zyrtare e lartë e Policisë së Kosovës.

Për marrëveshjen foli kryeministri Hashim Thaçi.

“Ne pajtohemi se ligji i reformuar për zgjedhjet e përgjithshme do të përfshijë një dispozitë që thotë se zgjedhjet e para të përgjithshme sipas ligjit të amendamentuar do të mbahen jo më vonë se 18 muaj nga data në të cilën ligji hynë në fuqi”, interpretoi marrëveshjen Thaçi.

Disa e quajtën presidente të propozuar me zarf, të tjerë presidente policore, por duke siguruar votat e LDK-së dhe koalicionit qeverisës, Jahjaga nuk e kishte vështirë të fitonte shumicën prej dy të tretave për postin e presidentes. Ajo iu drejtua deputetëve duke thënë se do të jetë presidente e të gjithëve dhe do të luajë rolin e unitetit.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
​“Si presidente e vendit do të jem garantuese e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë. Faktor unifikues e paanshme politikisht, mbrojtëse dhe përfaqësuese e interesave të Kosovës shtet sovran dhe i pavarur, përfaqësuese e të gjithë qytetarëve pa dallim kombi, feje, race a gjinie”, ishte shprehur Jahjaga.

Marrëveshja e treshes Thaçi, Mustafa e Pacolli përcillej edhe me akordimin e tyre për ndryshime kushtetuese dhe reforma zgjedhore. Mes tjerash, me këtë marrëveshje u vendos që vendi, në të ardhmen, të ketë president të zgjedhur nga populli, kurse në vend të një zone zgjedhore, të krijohen disa zona.

Që marrëveshja të jetë e plotfuqishme, Kuvendi miratoi edhe një rezolutë, me të cilën u formuan dy komisione parlamentare, ai për ndryshimin e Kushtetutës dhe ai për reformat zgjedhore.

Marrëveshja u shkurtonte kohëzgjatjen e mandateve, si presidentes Jahjaga, ashtu edhe Qeverisë së sapozgjedhur, edhe pse në fund të vitit u hapën shumë dilema nëse kjo dispozitë do të respektohet apo jo nga shumica. Njëherësh, marrëveshja sistemoi edhe presidentin e larguar Pacolli në postin e zëvendëskryeministrit të parë, të ngarkuar ekskluzivisht me çështjen e lobimit për njohje të reja.

Opozita në Parlamentin e Kosovës kishte mbledhur 40 nënshkrimet e nevojshme të deputetëve për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme, për të kërkuar ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë. Të tri partitë opozitare këtë nismë e arsyetuan me shqetësimet se marrëveshjet me Serbinë po e dëmtonin shtetësinë dhe po cenonin sovranitetin e Kosovës.

Lideri i LDK-së Isa Mustafa në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kishte kërkuar ndërprerjen e bisedimeve.

“Si Lidhje Demokratike e Kosovës, ne i kemi dhënë edhe qëndrimet tona për dialogun. Kemi theksuar se duhet të përgatitemi më mirë, sepse ishte hyrje shumë e shpejtë në dialog – ashtu siç ka ndodhur nga ana e Qeverisë së Kosovës. Ajo që kemi insistuar dhe insistojmë, është të qartësohen çështjet, për të cilat do të zhvillohen biseda me Serbinë, dhe çështjet, për të cilat nuk mund të bisedohet fare, si: integriteti territorial dhe tërësia territoriale e vendit, kufijtë e vendit, organizimi kushtetues”, kishte deklaruar Mustafa.

Bisedimet Kosovë -Serbi, në Bruksel.
Bisedimet Kosovë -Serbi, në Bruksel.
Një subjekt tjetër opozitar edhe më i zëshëm kundër bisedimeve ishte Vetëvendosja. Lideri i saj, Albin Kurti, po kritikonte Qeverinë se në Bruksel po negocion me Serbinë çështje që kanë të bëjnë me shtetësinë e Kosovës.

“Në Bruksel qartazi po negociohet për çështje të brendshme të Kosovës. Të gjitha këto informata shtesë që i morëm nga Edita Tahiri, paraqesin argument shtesë që këto bisedime janë të padrejta dhe të rrezikshme për të ardhmen e Kosovës”, vlerësonte Kurti.

I një mendimi të ngjashëm kundër bisedimeve ishte shprehur edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini.

“Një Qeveri e dështuar, e cila po hyn në këto bisedime e ka ekskluzivisht qëllimin që ta shpëtojë veten, e jo që ta nxjerr popullin e Kosovës dhe Kosovën prej këtij kolapsi, në të cilin e ka futur vetë”, ishte shprehur Gjini.

Mospajtimet e opozitës nuk ndikuan asgjë te pozicioni i Qeverisë Thaçi. Ashtu siç edhe pritej, Prishtina dhe Beogradi, të paktën në formën e konkluzioneve, i arritën marrëveshjet e para. Fillimisht, palët u pajtuan për tri marrëveshje, atë të lirisë së lëvizjes, librave amzë dhe njohjes së diplomave shkollore e universitare.

Me gjithë kërkesat e opozitës për ratifikimin e marrëveshjeve në Kuvend, Edita Tahiri tregoi se ato nuk janë marrëveshje të formës së shkruar, andaj edhe nuk kanë pse të miratohen. Madje, Tahiri ishte shprehur optimiste se me këto marrëveshje po u jepet fund strukturave paralele serbe në veri.

“Më 1 nëntor vendoset rendi, zbatohet ligji dhe eliminohen strukturat paralele në fushën e lëvizjes së lirë”, deklaronte Tahiri.

Kur të gjithë prisnin se çka do të dalë nga zbatimi i marrëveshjeve Prishtinë - Beograd, më 20 korrik, kryeministri Hashim Thaçi i shoqëruar nga zëvendësit e tij Behxhet Pacolli e Mimoza Kusari-Lila kumtojnë vendimin për vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, e cila nuk lejonte qarkullimin e mallrave të Kosovës nëpër territorin e saj.

Pesë ditë më vonë, Thaçi shkarkon shefin e Policisë së Kosovës pa dhënë asnjë arsyetim shtesë dhe në orët e mbrëmjes nis një ekspeditë policore në veri për marrjen e pikave kufitare 1 dhe 31 në kufi me Serbinë, të cilat ishin nën kontrollin e EULEX-it, por që nuk funksionin si dogana.

Aksioni befasoi edhe miqtë e Kosovës. Por, kryeministri Hashim Thaçi doli para mediave dhe qortoi ashpër EULEX-in për mosveprim dhe tha se para miqve, interesi i Kosovës është në rend të parë.

“Ne nuk mund të tolerojmë që përjetësisht sovraniteti ynë të cenohet, ne nuk mund të lejojmë që një pjesë e atdheut të shfrytëzohet si vendkalim për mallrat e kotrabanduara. I bëj thirrje Beogradit që të reflektojë dhe të evropianizojë qasjen në raport edhe me shtetin e Kosovës”, zotohej Thaçi.

Në aksionin e 25 korrikut në veri, humb jetën pjesëtari i Policisë Speciale, Enver Zymberi.
Në aksionin e 25 korrikut në veri, humb jetën pjesëtari i Policisë Speciale, Enver Zymberi.
Aksioni i 25 korrikut ka mbetur edhe sot e tutje çështje vlerësimi e komentimi. Njësitë speciale arritën një njërën pikë, kurse në tjetrën u detyruan të kthehen për shkak të rezistencës së serbëve lokalë. Si pasojë, një pjesëtar i Policisë Speciale me emrin Enver Zymberi, humb jetën nga një pusi e ngritur për pengimin e zbarkimit të policisë në pikat doganore. Menjëherë, reagoi presidentja Jahjaga duke e shpallur atë hero të Kosovës.

Se marrja e pikave doganore nuk ishte një punë e lehtë vërtetohet edhe më 27 korrik kur disa pjesëtarë, të cilët nga KFOR-i më pas u cilësuan si banda kriminale, i vunë zjarrin pikës doganore 1. Nga kjo ditë, KFOR-i merr situatën nën kontroll për aq sa ishte e mundur, pasi që rrugët e veriut mbushen përplot me barrikada duke mos lejuar qarkullimin në këtë zonë për institucionet e Kosovës, e madje as për EULEX-in.

Që aksione të tilla të mos përsëriten më nga Qeveria e Kosovës, KFOR-i shpall veriun zonë ushtarake.

I gjithë muaji gusht kaloi në negociata midis KFOR-it, përfaqësuesve lokalë serbë dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë për heqjen e barrikadave, por negociatat nuk sollën marrëveshje.

Në anën tjetër, kryeministri Thaçi zbut fjalorin e tij në raport me EULEX-in dhe BE-në dhe merret vesh që të nisin një aksion të ri, por ajror përmes KFOR-it, për zbarkimin e doganierëve dhe policëve kufitarë të Kosovës në Pikat 1 dhe 31, edhe pse Pika 1 ishte e djegur dhe jashtë funksioni.

Ky operacion u zbatua më 16 shtator. Bashkëpunimi i ndërkombëtarëve me Qeverinë e Kosovës ngrinë gjendjen në veri, e cila edhe sot e kësaj dite mbetet e njëjtë me plot barrikada dhe e qarkullueshme vetëm për serbët lokalë dhe KFOR-in.

Kriza në veri kishte efekte edhe në dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Palët nuk u takuan pothuajse për dy muaj rresht. Por, me insistimin e BE-së dhe kushtëzimet që i bëhen Serbisë me humbjen e fitimit të statusit të kandidaturës për integrim, Beogradi vendos që të kthehet në tavolinë në muajin tetor.

Si përpjekje për të zhbllokuar dhe gjendjen në veri, duke ia veshur edhe procesit integrues evropian, palët merren vesh për arritjen e marrëveshjes për Menaxhim të Integruar të Kufijve. Kjo marrëveshje u cilësua nga kryeministri Thaçi si njohje e kufijve të Kosovës nga Serbia.

“Menaxhimi i Integruar i Kufirit si model evropian, garanton kalim të shpejtë të kufijve për njerëz dhe mallra, por në të njëjtën kohë me këtë marrëveshje është edhe një njohje ‘de jure’ e kufijve të Kosovës nga ana e Serbisë”, ishte shprehur Thaçi.

Vizita e kancelares Gjermane në Kosovë, Angela Merkel.
Vizita e kancelares Gjermane në Kosovë, Angela Merkel.
Se veriu është një sfidë serioze, kjo iu kumtua Qeverisë në Prishtinë edhe nga kancelarja gjermane Angela Merkel, gjatë një vizite që ajo po u bënte ushtarëve gjermanë të KFOR-it për festën e Krishtlindjes. Ajo takoi për pak çaste edhe kryeministrin Hashim Thaçi, nga Qeveria e të cilit kërkoi që të japë kontributin e saj për të normalizuar raportet me Serbinë, por edhe t’i shtojë përpjekjet për normalizimin e gjendjes në veri.

Ndërsa gjendja në veri mbeti e ngrirë bashkë me barrikadat, dhjetori i solli një lajm shprese Kosovës në lidhje me liberalizimin e vizave. Brukseli ishte pajtuar që edhe me Kosovën, nga janari, të nisin bisedimet për liberalizim, por ky proces u tha se mund të zgjasë deri në dy vjet.

Në fund të vitit, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës uruan qytetarët duke u dëshiruar atyre një vit të ri e të mbarë, duke harruar apo lënë anash për pak çaste problemet me veriun, bisedimet me Serbinë, problemet ekonomike, papunësinë, si dhe mangësitë që Komisioni Evropian ka evidentuar në vazhdimësi në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, e që kanë të bëjnë me mungesën e luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit.
XS
SM
MD
LG