Ndërlidhjet

logo-print

Njëra nga çështjet më të diskutuara gjatë vitit2011, në aspektin ekonomik, ka qenë reciprociteti ndaj produkteve të Serbisë.

Autoritetet kosovare, gjatë vitit 2011 kishin marrë vendim për të bllokuar produktet serbe, pasi që Serbia për tri vjet radhazi nuk kishte lejuar produktet kosovare të hyjnë në tregun e Serbisë.

Serbisë iu është dhënë mundësia disa herë që ta evitojë marrjen e vendimit për reciprocitet, por është tërhequr.

Deri në marrjen e këtij vendimi, Qeverisë së Kosovës iu nevojit mjaft kohë.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Mimoza Kusari – Lila, në atë kohë kishte theksuar se masat e reciprocitet ishin marrë në për arsye ekonomike dhe jo politike, pasi Kosova kishte humbur shumë nga bllokada, që i kishte vënë Serbia produkteve kosovare.

Mimoza Kusari

Mimoza Kusari

Sot do te merret vendimi për masat reciproke të plota për Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e tërheqjes se Serbisë nga bisedimet, ku kjo e fundit nuk kishte pranuar vulat e doganës së Kosovës, të cilat për tri vjet kishin bllokuar mallrat kosovare”, kishte theksuar Kusari – Lila.

Vendimi për masa të reciprocitetit ndaj produkteve të Serbisë, ishte marrë më 20 korrik të vitit 2011, dhe menjëherë kishte filluar të zbatohet në të gjitha pikat kufitare.

Por, vendosmëria e ekzekutivit të vendit, për zbatim të reciprocitetit me Serbinë, ka detyruar qeverinë që më 25 korrik, të dërgojë njësitë speciale të policisë, në pikën 1 dhe 31 në veri të vendit.

Sidoqoftë, pas këtij vendimi, udhëheqësit e institucioneve të vendit kishin folur për përftime të mëdha ekonomike.

Vetëm nga Doganat e Kosovës patën deklaruar se ishin shënuar të hyra deri në 5 milionë euro.

Ndërkaq, Oda e Tregtisë së Serbisë, Këshilli për Investitorët e Huaj, Oda Ekonomike Amerikane e Serbisë dhe Klubi “Biznesmeni” kishin kërkuar nga Bashkimi Evropian që ta anulojë vendimin e qeverisë kosovare për ndalimin e mallrave që hyjnë nga Serbia në Kosovë.

Por, e gjithë kjo nuk zgjati më shumë se 40 ditë. Gjatë bisedimeve të cilat janë zhvilluar në Bruksel, ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe ishte arritur marrëveshja për njohje reciproke të vulave.

Pas arritjes së kësaj marrëveshjeje u hapen kufijtë e Kosovës për produktet serbe, por Serbia prapë nuk lejonte kamionët me mallra komerciale nga Kosova të hyjnë në Serbi me dokumente në të cilat shkruante Republika e Kosovës.

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë çdo herë tregonin se marrëveshja mbi vulat doganore në mes Kosovës dhe Serbisë, nuk është duke u zbatuar në mënyrë të rregullt nga ana e Beogradit zyrtar. Ata edhe tani thonë se kjo marrëveshje nuk po zbatohet.

Zbatimi i kësaj marrëveshjeje, sipas tyre, po bëhet vetëm atëherë kur Serbia po ka presion nga mekanizmat ndërkombëtarë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se bizneset kosovare po kanë shumë vështirësi në eksportin e produkteve të tyre në Serbi.

Ata eksportues të paktë që janë të Kosovës, kanë vështirësi në mos pranimin e dokumentacionit të ndryshëm të Republikës së Kosovës, qoftë ato të transportit, qoftë të tabelave, figuracionet, disa raste edhe dokumentet e eksportit nuk i pranojnë, por në disa raste i pranojnë”, thotë Shahini.

Së fundi, në Kuvendin e Kosovës ishte miratuar mocioni për marrjen e masave reciproke ndaj produkteve serbe. Ky mocion ishte iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Marrjen e masave reciproke e kishin kërkuar edhe përfaqësues të bizneseve.

Bedri Kosumi, pronar i kompanisë “Pestova” në Vushtrri thotë se Serbia asnjëherë nuk e ka respektuar marrëveshjen për njohje reciproke të vulave. Ai thotë se edhe pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ata nuk kanë mundur të eksportojnë në Serbi.

Një muaj sa ka zgjatur masa e reciprocitet, ne kemi marrë frymë lirshëm.
Një muaj sa ka zgjatur masa e reciprocitet, ne kemi marrë frymë lirshëm. Kjo nuk do të thotë se ne dëshirojmë ta mbajmë monopolin. Jo monopolin, por ne dëshirojmë të jemi të barabartë. Nëse Serbia shet në Kosovë, edhe ne dëshirojmë të shesim në Serbi, e ne në asnjë mënyrë nuk po arrijmë, për arsye se përveç bllokadës institucionale, ata bëjnë edhe bllokada tjera të produkteve tona”, thotë Kosumi.

Sidoqoftë, pavarësisht mocionit për marrjen e masave reciproke në raport me mallrat serbe, të miratuar në Kuvendin e Kosovës, në ekzekutivin e vendit thonë se nuk do të mund të merret ky hap, meqë vendimi për reciprocitet me Serbinë, në aspektin tregtar, “ekziston dhe aktualisht është duke u zbatuar”.

Pas të gjitha këtyre zhvillime të cilat ndodhën gjatë një viti rreth çështjes së reciprocitetit, njohësit e çështjeve ekonomike mbesin në atë se Kosova duhet të praktikojë tregtinë e lirë.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Lekë Musa thotë se Qeveria e Kosovës është përcaktuar për një tregti të lirë dhe i tërë i debati duhet të shihet nëpërmjet politikave tregtare të Kosovës.

Barrierat tregtare në fund të fundit nuk do të ndihmojnë ngritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Duhet të shikohet rrugëdalje tjetër për të ngritur prodhimin vendor”, thotë Musa.

Ndërkaq, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari – Lila, tani thotë se aplikimi i reciprocitetit me Serbinë iu ka dhënë shteteve tjera sinjal që mund t’i aplikojnë këto masa edhe me ta.

Prandaj, Kusari Lila, thekson se edhe zgjidhja e problemeve tani duket se është më e afërt edhe me e lehtë.

Ky vendim ka sjellë një praktikë të re në politikën ekonomike të Kosovës, për arsye se për herë të parë është aplikuar si vendim i tillë dhe gjithashtu janë evituar barrierat tjera tregtare që kanë ekzistuar edhe me Shqipërinë dhe me Maqedoninë. Ky vendim i cili tani jep një precedan tjetër në raport me bllokadat e mundshme që mund t’i kemi qoftë nga Serbia apo edhe nga vendet tjera të rajonit”, thotë Kusari – Lila.

Sfidë për vitin 2012 në aspektin e marrëdhënieve tregtare me vendet e rajonit dhe me gjerë mbetet avancimi i mëtutjeshëm i tyre.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG