Ndërlidhjet

logo-print

Veriu - instrument i Beogradit


Barrikadat e serbëve në veri të Kosovës

Barrikadat e serbëve në veri të Kosovës

Veriu i Kosovës - në qendër të debatit politik në Prishtinë e Beograd, përgjatë më shumë se 10 vjetëve të kaluara do të vazhdojë të jetë sfidë për politikanët e të dyja vendeve, të cilët duket se kanë nisur të përpilojnë plane të reja për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Ngjarjet që ndodhën në këtë pjesë të vendit që nga muaji korrik i vitit që po lëmë pas, reagimet ndërkombëtare për veprimet e palës kosovare dhe asaj serbe pas atyre ngjarjeve, por edhe një presion i shtuar ndërkombëtar ndaj Beogradit, mund të kenë ndikuar në ndryshimin e kursit politik rreth veriut të Kosovës.

Derisa në Beograd thanë se shuarja e strukturave paralele serbe në veri, si kërkesë e diplomacive të disa vendeve evropiane, nuk mund të bëhet brenda natës, në Prishtinë kanë nisur të krijojnë një strategji të re me qëllim integrimin e pjesës veriore nën ombrellën shtetërore të Kosovës.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq, kishte paralajmëruar këtë muaj përfundimin e një strategjie të tillë gjatë muajit janar të vitit të ardhshëm. Por, i pyetur nëse kjo strategji do të mund të zbatohet brenda vitit të ardhshëm, ai u shpreh:

Slobodan Petroviq

Slobodan Petroviq

“Situata në veri ka kulmuar me vite. Ajo, thjesht, nuk është situatë që mund të zgjidhet lehtë. Janë shumë faktorë që duhet të merren parasysh. Unë shpresoj që qytetarët, para së gjithash ata të veriut të Kosovës, ta kuptojnë qëllimin e mirë të Qeverisë dhe të Ministrisë për vendosjen e rendit dhe ligjit, e pastaj edhe proceseve të tjera demokratike”, u shpreh Petroviq gjatë një bisede të shkurtër për Radion Evropa e Lirë.

Për zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës, deri më tani, janë paraqitur ide, plane por edhe modele të ndryshme.

Autoritetet kosovare, sikurse bashkësia ndërkombëtare, mbesin në kundërshtimin kategorik për ndarjen e kësaj pjese të vendit, shkëmbimin e territoreve apo ndonjë plan, me të cilin do të ndryshoheshin kufijtë në Ballkan.

Sadri Ferati

Sadri Ferati

Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, tha se parakusht për zbatimin e çfarëdo strategjie që ka për qëllim vënien e veriut nën autoritetin shtetëror të Kosovës, është vendosja e sundimit të ligjit. Ferati, megjithatë, theksoi se “loja” e Beogradit me veriun do të vazhdojë.

“Tani mua nuk më befason se Beogradi është duke tentuar që me një plan prapë të thotë se ‘është, por nuk është’-do të thotë se nuk e pranon Kosovën, e në anën tjetër shtron kërkesa për serbët e veriut që, në njëfarë forme, do t’i bëhen pengesë zhvillimit të Kosovës".

"Pra, Beogradi është një prej pengesave që të arrihet mirëkuptimi dhe te kthesat politike që duhet të ndodhin edhe në atë pjesë të Kosovës”,
tha Ferati.

E bindur për instrumentalizimin e pjesës veriore të Kosovës nga shteti serb shprehet edhe analistja serbe, Sonja Biserko.

Sonja Biserko

Sonja Biserko

​Ajo tha se në skenën politike në Serbi ekziston një konfuzion i madh rreth hapave të ardhshëm që duhet të ndërmerren karshi Kosovës.

Pasojat për tërë këto, sipas Biserkos, i bartin serbët lokalë të pjesës veriore të Kosovës.

“Problemi është se serbët thonë se serbët e veriut nuk mund të jetojnë me shqiptarët, ndërsa serbët në jug u inkurajuan të marrin pjesë në zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme të Kosovës dhe janë në proces të integrimit në institucionet kosovare. Kjo flet qartë për standarde të dyfishta për serbët në veri dhe ata në jug. Andaj, kjo dëshmon se ata nuk janë të interesuar për serbët, por për atë pjesë të territorit, e cila u nevojitet për arsye të tjera”, vlerësoi Biserko.
XS
SM
MD
LG