Ndërlidhjet

Përfitimet dhe humbjet



​(Pamje nga disa takime të palëve në Bruksel)


Çka ka përfituar Kosova nga dialogu me Serbinë? Hapjen e negociatave për liberalizimin e vizave dhe marrëdhëniet kontraktuale me Bashkimin Evropian apo ka penguar njohjet e reja të saj dhe ka ndihmuar Serbinë në shkurtimin e rrugës së saj drejt BE-së?!

Kjo është një çështje që shtrohet për debat në qendrat e këtushme politike. E, pikëpamjet dhe vlerësimet janë nga më të ndryshmet.

Për kryeministrin Hashim Thaçi, nga dialogu ka përfituar Kosova dhe askush tjetër. Meritat për hapjen e negociatave me Brukselin për liberalizimin e vizave, Thaçi ia atribuon pikërisht dialogut.

Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

“Qasja konstruktive dhe e përgjegjshme evropiane që kemi dëshmuar si shtet i Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, ka shkuar në dobi të Kosovës dhe askujt tjetër. Për neve si Kosovë, duke pasur një të tretën e qytetarëve në diasporë, procesi i liberalizimit të vizave është më se më i rëndësishmi aktualisht”, thotë Thaçi.

Krejt ndryshe nga kryeministri mendon ish-shefi i Ekipit Negociator të Kosovës në procesin e zgjidhjes së statusit, Blerim Shala, aktualisht nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ai thotë se qeveria ka gabuar rëndë që ka ndërlidhur fatin dhe zhvillimin e çështjeve të brendshme dhe atë të liberalizimit të vizave me dialogun me Serbinë. Kosova, sipas tij, ka hyrë e papërgatitur në dialog dhe si pasojë është bërë peng e përparimeve në këto bisedime me Serbinë.

“Tema e liberalizimit të vizave, objektivisht, nuk ka fare lidhje me dialogun,
Kemi bërë gabime të shumta dhe dështimi i dialogut solli deri te zhvillimet e 25 korrikut.

me suksesin apo dështimin e tij. Kemi hyrë të papërgatitur. Kemi bërë gabime të shumta dhe dështimi i dialogut solli deri te zhvillimet e 25 korrikut (në veri) e tutje”.

“Mendoj se Kosova objektivisht nuk ka përfituar prej këtij dialogu, por në fakt, në një apo tjetër mënyrë, jemi bërë peng i tij, sepse raportet Kosovë – Bruksel, para së gjithash, shihen nga prizmi i dialogut dhe jo nga prizmi i detyrave e obligimeve që i ka Kosova ndaj BE-së”,
vlerëson Shala.

Dialogu me Serbinë, i filluar në muajin mars, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian dhe asistim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka prodhuar edhe disa rezultate, të cilat nga qeveria u prezantuan herë si marrëveshje, e herë si konkluza.

Skënder Hyseni

Skënder Hyseni

Ish-ministri i Jashtëm kosovar, Skënder Hyseni, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, mendon se Kosova, jo vetëm që nuk ka përfituar asgjë nga ky proces, por edhe ka humbur shumë në aspektin e njohjeve të reja ndërkombëtare.

“Përfitimet janë kurrfarë krahasuar me koncesionet që janë bërë. Unë kam frikë që Kosova do të detyrohet t’i kthehet riparimit të dëmit, që është shkaktuar me koncesionet e caktuara. Janë improvizime, janë zgjidhje gjysmake dhe zgjidhjet gjysmake zakonisht rezultojnë me një problem më të madh sesa ai që ka ekzistuar. Asnjë dobi nuk ka sjellë ky dialog”, shprehet Hyseni.

Ish-ministri thotë se konkluzionet e arritura në dialogun Kosovë – Serbi nuk janë marrëveshje ndërkombëtare dhe nuk kanë kurrfarë mekanizmash garantues për zbatimin e tyre.

Por, në anën tjetër, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, koordinatore e palës kosovare në bisedimet me Serbinë, thotë se Kosova, jo vetëm që është shpërblyer nga Brukseli me hapjen e perspektivës për liberalizimin e vizave dhe marrëdhëniet kontraktuale, por ka detyruar Serbinë që ta njohë indirekt atë.

Në lidhje me zbatimin e marrëveshjeve, Tahiri thotë se praktikat ndërkombëtare nuk njohin një zbatim të menjëhershëm, siç po pretendon opozita.
Askund në botë nuk ndodh që të arrihet një marrëveshje dhe prej nesër të zbatohet plotësisht.

“Zbatimi i marrëveshjeve nuk është një spektakël aksionesh. Askund në botë nuk ndodh që të arrihet një marrëveshje dhe prej nesër të zbatohet plotësisht. Është një proces i mundësive operacionale dhe afateve optimale”, thotë Tahiri.

Dialogu Prishtinë-Beograd pritet të vazhdojë edhe gjatë vitit 2012. Përparimet në këtë dialog mendohet se Serbinë do ta përafrojnë me statusin e kandidatit për në BE, kurse Kosovën me negociatat për liberalizimin e vizave.

Megjithatë, ajo që ende nuk është thënë, por që nga analistët parashihet se mund të jetë pjesë e bisedimeve të ardhshme, është çështja e veriut të Kosovës, e cila, nëse do të shtrohej në tavolinën e bisedimeve, do t’i jepte një kah krejtësisht tjetër këtij procesi.

Lexoni edhe këtë:
Dialogu nuk çon në BE
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG