Ndërlidhjet

Skepticizëm për sigurimet shëndetësore


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese


Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se qysh në vitin 2004, ligji për sigurime shëndetësore është hartuar dhe është dorëzuar në Qeverinë e Kosovës.

Por, deri tani ky ligj asnjëherë nuk është jetësuar.

Me marrjen e mandatit të ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, më 23 shkurt të vitit 2011, si punë primare i ka rreshtuar ligjin për sigurime shëndetësore dhe atë për shëndetësi.

Sipas zotit Agani, këto dy ligje do të jenë një pako reformuese legjislative për tërë sistemin shëndetësor.

Andaj, në tremujorin e parë të marrjes së mandatit, zoti Agani me ekipe profesionale e kanë rishkruar ligjin për sigurime shëndetësore, për ta dorëzuar në Qeverinë e Kosovës.

Por Kuvendi i Kosovës në seancën e datës 19 dhjetor, i ka thënë jo kërkesës së tij, për t’i ndarë dhjetë milionë euro më shumë, nga buxheti i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, për financimin e dy ligjeve të reja.

E zoti Agani ka një shpjegim për këtë.

Nuk kanë mundur të jenë të parapara mjetet pasi që këto dy projektligje nuk janë miratuar në Kuvendin e Kosovës. Andaj, nuk janë obligative për qeverinë që të parashihen kosto specifike për zbatimin e tyre, por janë marrë zotime nga Ministria e Financave, që në shqyrtimin afatmesëm të buxhetit, do të merren parasysh këto kosto, në momentin kur këto projektligje do të miratohen në Kuvendin e Kosovës”.

Por derisa ministri është shumë optimist se ligji për sigurime shëndetësore do të jetësohet shumë shpejt, drejtues të KLMDNJ-së dhe sindikalistët e shëndetësisë, thonë se ky ligj do të mbetet vetëm një përshkrim i dëshirave, nga pamundësia për t’u funksionalizuar, pikërisht në mungesë fondesh.

Drejtuesi i sindikatës së shëndetësisë Blerim Syla, njëherazi anëtar i grupit punues për këto dy ligje, thotë se është skeptik se këto ligje do të jetësohen.

Ai shton, se në rishkrimin e ligjit për sigurime shëndetësore është punuar nga muaji mars, e deri në muajin qershor, dhe se, sipas tij, nga ana teknike dhe infrastruktura ligjore është kryer puna, por kostoja e lartë është pengesa e jetësimit të ligjeve.

Duke e parë realitetin dhe buxhetin e shëndetësisë, unë jam shumë skeptik që edhe këtë vit mund të arrihet një gjë e tillë, pasi që qeveria arsyetohet që kostoja buxhetore është ajo që e pengon”, thotë Syla.

Ferid Agani

Ferid Agani

Por megjithatë, ministri Agani pohon se pasi që është marrë miratimi përfundimtar edhe nga mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, si ai i Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, edhe Qeveria e Kosovës së shpejti do t’i jetësojë këto ligje.

Përkrahja ka qenë prezente nga Qeveria e Kosovës edhe Ministria e Financave. Kanë shprehur interesin që të na mbështesin procesin reformues. Aty ku unë kam pritur një mbështetje më të madhe ka qenë buxheti i përgjithshëm për sektorin e shëndetësisë, sepse kemi pasur kërkesa më të mëdha sesa ato që na u kanë ofruar. Por sa i përket ligjeve reformuese, mbështetja ka qenë optimale dhe pres që të jetë e tillë edhe në të ardhmen”.

Ka pasur disa herë reagime dhe zëra nga opozita, por edhe nga shoqëria civile, gjatë dëgjimeve publike që janë bërë në vazhdimësi, deri në draftimin e ligjit për sigurime shëndetësore dhe të atij për shëndetësi.

E ministri Agani pohon se gjatë dëgjimeve publike janë marrë parasysh shumë sugjerime, ku edhe janë futur brenda ligjit.

Kemi pasur shumë dëgjime publike, dhe natyrisht ka pasur ide, sugjerime dhe Ministria e Shëndetësisë i ka marrë parasysh. Organizata Botërore e Shëndetësisë, Komisioni Evropian, e shumë të tjerë kanë qenë të kyçur. Pra, gjatë këtij debati aktiv, kemi ardhur deri te dy versione të këtyre ligjeve”, shprehet Agani.

Ndërkaq, drejtuesi i këshillit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, Behxhet Shala, njëherësh anëtar i grupit punues për draftimin e ligjit për sigurime shëndetësore dhe atë për shëndetësi, pohon se këto ligje janë shumë të nevojshme për qytetarët e Kosovës.

Por, ai shprehet skeptik se në vitin 2012 do të mund të jetësohen.

Jemi skeptikë që ky ligj mund të jetë implemetues, pikërisht për shkak të mungesës së fondeve, ngase kërkon mjaft fonde. Për ne si KLMDNJ, është e papranueshme që pjesa dërmuese e qytetarëve të Kosovës të mos kenë mbulesë shëndetësore. Qeveria e Kosovës, duhet ta bëjë të pamundurën që së paku të fillojë zbatimin e këtij ligji dhe të gjinden mjete shtesë, që ky ligj të funksionalizohet”.

Zoti Shala shton se rreth 98 për qind e popullsisë në Kosovë janë pa sigurime shëndetësore, ndërsa edhe ai 2 përqindëshi i tyre sa kanë sigurime shëndetësore, shërbimet nuk i kanë në nivel të duhur.

Ndërkaq ministri Agani thotë se këto projektligje parashohin themelimin e institucioneve të reja shëndetësore si fondi i sigurimeve shëndetësore, fondi publik i sigurimeve shëndetësore, shërbimi kombëtar i shëndetësisë si dhe odat e profesionistëve të Kosovës, andaj është shumë optimist se këto ligje do të jetësohen në pranverën e vitit 2012.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG