Ndërlidhjet

FT: Demokracia e kërcënuar në Budapest


Hungari...

Hungari...

"Financial Times"

Disa muaj para vdekjes së tij në dhjetor, ish presidenti çek dhe lideri i revolucionit antikomunist, Vaclav Havel, nënshkroi një peticion në të cilin kritikonte shkatërrimin e demokracisë në Hungari.

Paralajmërimet e tij, që i bënë jehonë edhe paralajmërimeve tjera, përfshirë gazetat, nuk u vunë re.

Një shtet, që gjeografikisht gjendet në zemrën e Evropës pësoi një grusht shtet kushtetues.

Kushtetuta e re e Hungarisë, që hyn në fuqi më 1 janar, e kombinuar me një mori ligjesh bazike që nxituan të miratohen në fund të 2011, i ka larguar të gjitha mundësitë e kontrollimit të qeverisë dhe partisë në pushtet.

Ndërkohë, rregullat zgjedhore kanë ndryshuar në atë mënyrë, që i mundësojnë partisë së kryeministrit Vikor Orban, ta ruajë pushtetin në vitet e ardhshme.

Ndryshimet legjislative i japin qeverisë një ndikim të gjerë mbi media, drejtësinë, bankën qendrore, buxhetin dhe agjencitë e auditimit.

Në sferën legale, një mik i afërt i Orbanit ka fuqi për të emëruar gjykatësit. Fuqia e gjykatës kushtetuese është vënë në hije.

Kufijtë zgjedhorë, ndërkohë, janë riformuluar në atë formë, që shkojnë në favor të partisë së kryeministrit, Fidezit.

Një grup joqeveritar ka llogaritur se po që se do të ishin në fuqi këto rregulla të reja, partia do t’i kishte fituar edhe dy palë zgjedhjet e kaluara, në të cilat pësoi humbje.

Fidesz ka shkuar aq larg sa ka kërkuar që të ketë rregullore shtetërore për religjionin, duke ulur numrin sekteve fetare të regjistruara në 14.

Këtu nuk përfshihet asnjë religjion tjetër botëror përpos Krishterimit dhe fesë hebreje.

Shumë nga ajo që ka bërë qeveria nuk është në përputhje me anëtarësimin e Hungarisë në Bashkimin Evropian. Brukseli dhe shtetet anëtare të BE-së, duhet t’i bashkohen SHBA-së në dënimin e fuqishëm.

Duhet t’i bëhet e qartë zotit Orban se këto veprime minojnë mbështetjen me mjete financiare nga BE dhe FMN-ja, ndihmë kjo aq e nevojshme për Hungarinë.

Po ashtu duhet ekspozuar të metat në kornizën legale të BE-së. Përderisa anëtaret e reja duhet të dëshmojnë se po veprojnë në përputhshmëri me normat demokratike, nuk duhet të ketë kthim mbrapa.

Ndërsa Bashkimi Evropian zgjerohet me shtetet ku demokracia nuk ka rrënjë të thella, duhet patjetër të adresohet ky problem.

Hungaria është bërë shteti i parë që sfidon supozimin se demokracia është e pakthyeshme. Dhe duket, se mjerimi ekonomik i Evropës, mund të mos jetë i fundit.(a.i.)
XS
SM
MD
LG