Ndërlidhjet

Hamasi kritikon bisedimet në Jordan


Grupi palestinez Hamas tha se takimi i parë në 16 muajt e fundit në mes të negociatorëve izraelitë dhe palestinezë, në përpjekje për të ringjallur bisedimet e paqes, ishte “një farsë” dhe “humbje kohe”.

Favzi Barhum, një zëdhënës i grupit islamik, që kontrollon Rripin e Gazës, tha se bisedimet e së martës në Jordani “janë në kundërshtim me shpresat dhe aspiratat e popujve tanë”.

Kryengociatorët izraelitë dhe palestinezë kanë mbajtur të martën takimin për të diskutuar perspektivën e ringjalljes së bisedimeve të paqes.

Takimet u mbajtën krahas takimit të përfaqësuesve të Quartetit ndërmjetësues ndërkombëtar për Lindjen e Mesme -Bashkimit Evropian, Rusisë, Kombeve të Bashkuara dhe Shteteve të Bashkuara.

Bisedimet paqësore të mbështetura nga SHBA-të u ndërprenë në shtator të 2010-ës.

Palestinezët kanë thënë se do të rifillojnë bisedime, po që se Izraeli ngrin ndërtimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.

Izraeli thotë se bisedimet duhet të rifillojnë pa kushte.
XS
SM
MD
LG