Ndërlidhjet


Përfaqësuesit serbë të Leposaviqit të mërkurën kanë shprehur qëndrimin e tyre për mbajtjen e referendumit, përmes të cilit serbët do të deklarohen nëse i pranojnë ose jo institucionet e Republikës së Kosovës.

Në këtë mënyrë, ata kanë ndjekur shembullin e përfaqësuesve të tri komunave tjera serbe në veri të Kosovës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe veriut të Mitrovicës, të cilët ditë më parë kanë vepruar ngjashëm.

Ndonëse mendimi ishte i ndarë ndërmjet përfaqësuesve serbë të Leposaviqit, një pjesë e të cilëve nuk morën pjesë në mbledhjen e sotme në të ashtuquajturin Kuvend Komunal i Leposaviqit, drejtuesi i saj, Slavko Stevanociq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se megjithatë shumica e përfaqësuesve serbë kanë qenë në mbledhje.

Ne e kemi pasur të pranishme në mbledhje shumicën e domosdoshme për të marrë vendimin e nevojshëm dhe të ligjshëm.
Ne e kemi pasur të pranishme në mbledhje shumicën e domosdoshme për të marrë vendimin e nevojshëm dhe të ligjshëm”, tha Stevanoviq.

Ai ka komentuar mospjesëmarrjen e përfaqësuesve serbë të Partisë Demokratike, duke thënë se secili përfaqësues dhe secili subjekt politik ka të drejtë t’i përmbahet qëndrimeve dhe pikëshikimeve të veta.

Pikëshikim të kundërt lidhur me çështjen e mbajtjes së referendumit ka shfaqur i ashtuquajturi kryetar i komunës së Leposaviqit, Branko Niniq, i cili i takon Partisë Demokratike, lider i së cilës është kryetari serb Boris Tadiq.

Niniq, thotë se nuk e përkrahë idenë e një referendumi, për shkak se mbajtja e tij bie ndesh me politikat shtetërore të Serbisë.

Unë dhe jo vetëm 12 delegatë të Partisë Demokratike, por 15 delegatë, nuk kemi marrë pjesë në mbledhje, duke konsideruar se është e panevojshme të vendoset për diçka të tillë, për shkak se qytetarët kanë treguar, që nga 25 korriku, se janë kundër institucioneve të Prishtinës. Me këtë i përmbahemi Kushtetutës së Republikës së Serbisë dhe qëndrimeve të udhëheqësve në Serbi”, tha Niniq.

Në anën tjetër, situata në veriun e Kosovës, gjatë ditëve të fundit ka qenë e qetë por me tensione, vlerësojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj policie për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se nuk është shënuar ndonjë incident, i cili do ta rrezikonte sigurinë e përgjithshme. Por, sipas tij, atmosfera në veri mbetet e tensionuar.

Besim Hoti

Besim Hoti

Sigurisht që janë prezente këto pakënaqësitë e shumta të vetë qytetarëve. Në radhë të parë me situatën, e cila vazhdon të qëndrojë e ngjashme apo e pandryshueshme tash e disa muaj me radhë, e në veçanti me barrikadat dhe me prezencën fizike të personave në afërsi të barrikadave. Ata vazhdojnë të shkaktojnë tensione brenda vet qytetarëve, për shkak të vet prezencës së tyre si një faktor i pasigurisë për individë, e në veçanti për qytetarët shqiptarë, të cilët duhet të qarkullojnë nga jugu, në drejtim të vendbanimeve në lagjet e ndryshme në veri të Mitrovicës”.

Ndryshe, ekspertët e çështjeve të sigurisë vlerësojnë se paralajmërimet e serbëve në veri për mbajtjen e referendumit apo vet mbajtja eventuale e referendumit, nuk do përkeqësojnë edhe më shumë gjendjen e sigurisë në veri të vendit.

Naim Maloku, ekspert për çështje të sigurisë, thotë se mbajtja eventuale e referendumit do të jetë me mbështetjen e Serbisë, ndonëse një gjë e tillë Serbia nuk do ta bëjë në mënyrë zyrtare.

Sipas tij, shteti serb do ta paraqesë mbajtjen e referendumit si vullnet të serbëve lokalë të veriut të Kosovës, në mënyrë që ta paraqesë veten të paimplikuar në këtë proces para Bashkimit Evropian, i cili në muajin mars pritet ta shqyrtojë vendimin për dhënien e statusit të kandidatit për Serbinë.

Maloku vlerëson se me përkrahjen eventuale zyrtare të këtij referendumi, Serbia do të rrezikonte përsëritjen e situatave të ngjashme brenda vet territorit të saj, në hapësirat ku jetojnë pakicat kombëtare.

Unë mendoj se përveç një efekti, për të pasur vetëkënaqësi disa liderë të serbëve lokalë (ne veri të Kosovës) dhe, po e përsëris, që Serbia ta ketë një argument për të thënë ‘nuk kam ndikim në vendimet e serbëve, që i marrin në Kosovë’, nuk ka ndonjë ndikim dhe nuk mund të ketë ndonjë ndikim tjetër në sigurinë në Kosovë”.

Sido që të jetë, përfaqësuesit serbë të komunave në veri, tashmë kanë marrë vendimin që referendumi të mbahet më 14 dhe 15 shkurt të këtij viti.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG