Ndërlidhjet

Drejt pavarësisë së plotë


Republika e Kosovës

Republika e Kosovës

Viti 2012, nga krerët e institucioneve të Kosovës, është paralajmëruar si fazë përmbyllëse e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

Grupi Ndërkombëtar Mbikëqyrës, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian që e kanë njohur shtetin e Kosovës dhe Turqia, fillimisht do të duhej të arrinin një pajtim që kjo fazë të përmbyllej dhe më pas, institucionet e Kosovës do të marrin përsipër kompetenca shtesë, të cilat sot janë nën ingerencat e Zyrës Civile Ndërkombëtare. Këto fusha kryesisht përkasin në çështjet e decentralizimit dhe të drejtave të pakicave.

Deputeti Arsim Bajrami, ekspert i çështjeve kushtetuese, thotë se çfarëdo marrëveshje politike për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë, nuk mund të jetë i efektshëm pa ndryshimet e nevojshme kushtetuese e ligjore.

Arsim Bajrami

Arsim Bajrami

“Nëse vjen deri te përmbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur siç po shihet, atëherë kjo domosdoshmërisht kërkon ndryshime kushtetuese dhe ndryshime në sistemin legal të Kosovës, për shkak se në Kushtetutën e Kosovës ekziston një kaptinë e tërë që quhet dispozitat e tranzicionit, ku janë përfshirë autorizimet e përkohshme të prezencës civile ndërkombëtare dhe ato kompetenca duhet automatikisht t’u barten institucioneve vendore. Ky proces ka edhe dimensionin legal dhe ai nënkupton ndryshimin e disa ligjeve sistemore të ashtuquajtura ligje të Pakos së Ahtisarit, në mënyrë që të instalohet plotësisht një qeverisje vendore”, thotë Bajrami.

Ndryshimet kushtetuese, sipas Bajramit, mund të përmbyllen shpejt, përderisa ndryshimet e ligjeve do të kërkojnë më shumë kohë.

Në anën tjetër, përfaqësues të opozitës thonë se Kosova është vonuar për një vit me përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, mendon zgjatja e mbikëqyrjes ndërkombëtare erdhi si pasojë e mungesës së përparimeve të nevojshme, sidomos për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Ndërkaq, një sfidë tjetër në këtë rrafsh, mbetet edhe çështja e veriut, për çka Ramadani mendon se Kosova do të ketë nevojë të ketë një prani të mëtutjeshme të KFOR-it dhe EULEX-it, por jo edhe të Zyrës Civile ndërkombëtare si mbikëqyrëse e zbatimit të Planit të Ahtisarit.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

“Tema e veriut të Kosovës duhet të përmbyllet krahas fundit të mbikëqyrjes së shtetit të Kosovës, për shkak se vazhdimi i temës së hapur të veriut ose i mungesës së ligjit atje nënkupton vazhdim të prezencës mbikëqyrëse ndërkombëtare. Besojmë që KFOR-i dhe EULEX-i duhet të qëndrojnë, kurse Zyra Ndërkombëtare Civile duhet ta përfundojë mandatin”, shprehet Ramadani.

Ndërkohë, deputeti Arsim Bajrami thotë se çështja e misionit të EULEX-it do të mbetet e veçantë, pasi që ai nuk është paraparë decidivisht me Pakon e Ahtisarit, por i është bërë ftesë nga ana e institucioneve të Kosovës. Bajrami parasheh se EULEX-i do të mund t’i nënshtrohej një lloj rikonfigurimi.

“Mendoj se ky mision duhet të rikonfigurohet në kuptimin që duhet të merret vetëm me disa çështje shumë të specifikuara, jo me çështje penale të rregullta, në mënyrë që çështjet e rregullta të barten te gjykatat vendore. Kurse, segmentet tjera besoj se duhet të barten tërësisht. I vetmi segment i EULEX-it është ai i gjyqësisë. Mendoj se proceset e filluara eventuale duhet të përfundojnë, por proceset e reja eventuale penale duhet të kalojnë te gjyqësia e rregullt”, potencon Bajrami.

Sidoqoftë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është zotuar se sivjet, pas katër vjet të shpalljes së pavarësisë, Kosova do të ketë mëvetësinë e plotë duke i dhënë fund mbikëqyrjes së saj ndërkombëtare.

“Viti 2012 do të jetë vit i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, pra i fillimit të funksionimit të pavarësisë së plotë”, ka deklaruar Thaçi.

Pavarësia e Kosovës ishte shpallur pas një procesi negociatash ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Marti Ahtisari, përfaqësues special i Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.

Dokumenti, i quajtur Plani i Ahtisarit ishte bazë për shpalljen e koordinuar të pavarësisë së Kosovës me SHBA-në dhe vendet më të fuqishme evropiane, përderisa Serbia, Rusia dhe aleatët e kishin kundërshtuar.

Në bazë të këtij dokumenti, Kosova duhej të kalonte edhe një fazë të mbikëqyrjes ndërkombëtare, të cilën tani institucionet vendase mendojnë se e kanë përmbushur.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG