Ndërlidhjet

Tahiri: Dialogu vazhdon nga mesi i janarit


Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit pritet të vazhdojë nga mesi i muajit janar, ka deklaruar zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, koordinatore e palës kosovare në bisedimet me Serbinë.

Ajo e ka informuar Qeverinë e Kosovës për temat që pritet të diskutohen me palën serbe, e ku bëjnë pjesë çështjet që ndërlidhen me telekomunikacionin dhe energjinë, bashkëpunimin rajonal dhe diskutimi për rrjedhat e dialogut dhe zbatimit të marrëveshjeve të deritashme.

“Dua t’ju njoftoj se ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjeve. Liria e lëvizjes ka filluar mirë të zbatohet - përveç faktit se ka tarifa të larta, por po punohet që, për të mirën e qytetarëve, këto tarifa të hiqen”, ka thënë Tahiri.

Ajo ka vlerësuar po ashtu se barrikadat nëpër rrugët në veri të Kosovës vazhdojnë të pengojnë seriozisht zbatimin e marrëveshjeve në fushën e tregtisë së lirë.

Më 11 janar, Tahiri ka thënë se fillon zbatimi i marrëveshjes për kthimin e dokumenteve kadastrale nga Serbia, konform marrëveshjes së arritur në Bruksel.

Dialogu Prishtinë – Beograd po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Përmes këtij procesi, Brukseli po synon që të ndihmojë vendosjen e një bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve, duke lënë tash për tash anash çështjet politike që ndërlidhen me statusin, marrë parasysh pozicionin kundërshtues që mban Beogradi zyrtar në raport me pavarësinë e Kosovës.
XS
SM
MD
LG