Ndërlidhjet

Vizita e Tadiqit me "karakter fetar"


Autoritetet kosovare konfirmuan ardhjen e presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, në Kosovë.

Ato thanë se përmes zyrave ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Beograd e Prishrtinë kanë marrë kërkesën e kreut të shtetit serb për ta vizituar Kosovën, por theksuan se vizita ka për qëllim kryesor kremtimin e Krishtlindjeve ortodokse serbe.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, theksoi se kërkesa për viztë e Tadiqit dhe disa zyrtarëve të tjerë serbë në Deçan ka karakter fetar.

“Ka një kërkesë të tillë dhe unë besoj se kërkesa është mbi bazën e vizitës religjioze në Manastirin e Deçanit. Besoj se këtu do të kemi qasje pozitive për një trajtim të tillë”, u shpreh Kuçi.

I pyetur nga gazetarët për mundësinë e mosrespektimit të “rregullave” të vizitës, Kuçi, tha:

“Është një prej kërkesave tona që ai ta trajtojë këtë vizitë si religjioze, ta trajtojë si vizitë të karakterit jopolitik. Ne e dimë që ai mund të bëjë shkarje, tejkalim, por megjithatë kemi garanci ndërkombëtare për një mesazh të tillë që i është dërguar drejtpërdrejt edhe atij”.

Presidenti serb, Tadiq, pritet të qëndrojë në Deçan më 6 dhe 7 janar për të festuar Krishtlindjet ortodokse serbe.

Edhe në vitin e kaluar ai kishte realizuar një vizitë të tillë në Kosovë, e cila ishte përcjellë me një varg paqartësish lidhur me deklarimet politike, të cilat, bazuar në kërkesën për vizitë dhe miratimin e saj, nuk do të duhej të bëheshin.
XS
SM
MD
LG