Ndërlidhjet

PS: Njeriu i paqes


Kiro Gligorov
Kiro Gligorov
“Project Syndicate”

Shkruan: Kristofer Hill, ish i dërguar i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, njëherësh edhe ish-ambasador në Maqedoni.



Filmi i ri i Anxhelina Zholit, “Në tokën e gjakut dhe të mjaltit”, flet për tensionet etnike që ka prodhuar konflikti më i përgjakshëm në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore. Filmi tashmë ka fituar dy çmime dhe konsiderohet të jetë një zhvillim i suksesshëm.

Për ata që kanë jetuar dhe punuar në rajon gjatë dekadës së trazuar, luftërat post-jugosllave mbeten ende plagë të freskëta. Dhe, ashtu siç dëshmon dhe filmi i Zholit, as bashkësia ndërkombëtare e as udhëheqësit lokalë nuk kanë bërë përpjekje të bashkërenduara për të ndaluar gjakderdhjen.

Një përjashtim – ndoshta i vetmi – ishte Kiro Gligorov, presidenti i Maqedonisë, i cili ndërroi jetë në ditën e Vitit të Ri, në moshën 94-vjeçare. Fakti që Zholi ka bërë filmin për luftën në Bosnjë dhe jo në Maqedoni ka të bëjë kryesisht me Gligorovin – liderin e vetëm të ish-Jugosllavisë, i cili mbajti vendin e tij larg këtyre konflikteve.

Gligorovi shpesh ka folur për historinë me gjyshin e tij në vitin 1923, kur edhe ka shkuar të regjistrohet në shkollë. Në atë kohë, Maqedonia ka qenë pjesë e Turqisë, Bullgarisë dhe Serbisë. Andaj, kur është pyetur nga drejtori serb se cili ishte emri i nxënësit, gjyshi i Gligorovit është përgjigjur: Kiro Gligoroviq.

Gligorovi ka tentuar ta përmirësonte gjyshin e tij, por ai e ka heshtur atë. Pra, e tillë ishte jeta në fillim-shekullin e njëzetë në Ballkan, ku përkatësia etnike dhe identiteti përbënin rrezik.

Gligorovi ishte ai që udhëhoqi Maqedoninë drejt pavarësisë përmes referendumit të vitit 1991, ndërsa ndërroi jetë duke punuar shumë për anëtarësimin e Maqedonisë në Evropë dhe në institucionet euro-atlantike.

Sfida e parë e tij ishte mosmarrëveshja me Greqinë fqinje në lidhje me të ashtuquajturën “çështje të emrit”. Nga pikëpamja greke, një shtet i pavarur i Maqedonisë mund të nënkuptojë edhe kërkesën për pjesën tjetër të Maqedonisë gjeografike, të njohur ndryshe si Greqia veriore. Qesharake!

Por, komuniteti ndërkombëtar, për ta futur Maqedoninë në Kombet e Bashkuara, ka krijuar një emër të përkohshëm për vendin e ri: Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë apo IRJM.

Maqedonia ka qenë prej kohësh një pikëpyetje në historinë e Ballkanit dhe Gligorovi e ka ditur se pasiguria në lidhje me identitetin e popullit të tij mund të çojë në konflikt. Dhe, në të vërtetë, nuk ka dyshim se bullgarët dhe serbët besojnë se maqedonasit janë bullgarë, përkatësisht serbë… Apo edhe siç ka thënë një herë Sllobodan Millosheviqi “vëllezërit tanë të vegjël”.

Sfidë tjetër e Gligorovit ka qenë edhe popullsia shqiptare, e cila jeton atje me shekuj. Energjia e saj është zhytur në dallimet në mes të maqedonasve, serbëve dhe bullgarëve. Por, ajo nuk ka dashur të jetojë as si pakicë kombëtare, duke besuar se një gjë e tillë do t’i bënte “qytetarë të klasës së dytë”.

Kushtetuta e Maqedonisë – një tjetër kontribut i rëndësishëm i Gligoriovit – garanton të drejta të plota dhe të barabarta për të gjithë qytetarët, ndërsa e përshkruan vendin si “shtet kombëtar” të maqedonasve – çfarë është problematikë për pakicën shqiptare, turke e vllehe.

Kur NATO-ja përgatitej për luftë me Serbinë, për shkak të Kosovës, Gligorovi menaxhoi fqinjësinë me kujdes. Kur komandanti i NATO-s, Ueslli Klark, kishte pyetur nëse Maqedonia do të lejonte pozicionimin e furnizimeve në rast se ndërhyrja tokësore do të ishte e nevojshme, Gligorovi ishte përgjigjur: Vetëm nëse na lejoni brenda NATO-s.

“Serbët janë fqinjët tanë. Ata kanë thika të gjata, e kujtime edhe më të gjata”, ka sqaruar Gligorovi.

Ballkani nuk ka shumë mëshirë për liderët e tij. Andaj edhe mund të kalojë kohë e gjatë derisa të njihen kontributet e Gligorovit në atdheun e tij të trazuar.

Por, sido që të jetë, ai ka realizuar diçka që udhëheqësit e tjerë në Ballkan, në vitet 1990, por edhe në vende e kohë të tjera, nuk do të mund ta bënin ose nuk do të donin ta bënin. Ai e mbajti vendin e tij larg luftës. (v.t.)
XS
SM
MD
LG