Ndërlidhjet

logo-print

Vizita e Tadiqit – Gjashtë të arrestuar


Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje bëjë të ditur se gjashtë aktivistë të saj janë arrestuar në magjistralen Prishtinë-Podujevë. Dardan Molliqaj tha për radion Evropa e Lirë se aktivistët janë arrestuar deri sa po udhëtonin në drejtim të vendkalimit kufitar Merdare, me qëllim të pengimit të hyrjes në Kosovë të presidentit serb, Boris Tadiq.
Molliqaj deklaroi se aktivistët kanë pasur për qëllim bllokimin e rrugës në momentin e ardhjes së eskortës së presidenti serb.

Ai tha po ashtu se të arrestuarit po mbahen në njërin nga stacionet policore në Prishtinë.
Kurse zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se policia në magjistralen Prishtinë- Podujevë ka ndaluar një furgon me 30 goma të vjetra të automjeteve dhe ka arrestuar deri tash tetë persona.

“Ne të njëjtën magjistrale janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, po ashtu edhe ata janë në procedurat e verifikimit, pra po flas për magjistralen Prishtinë – Podujevë, që në total janë 8 persona në procedura të verifikimit”, deklaroi Kelani.

Zëdhënësi i policisë bëri të ditur po ashtu se në rajoni e Pejës ka lëvizje të qytetareve për t’u përgatitur, siç tha ai, për ndonjë tubim.

Sido që të jetë, edhe pse përfaqësuesit e Policisë së Kosovës do të kujdesen për sigurinë dhe përcjelljen e delegacionit nga Serbia, deri më tash nuk kanë mundur të konfirmojnë nëse Tadiq ka arritur në Kosovë.

Për sigurinë dhe transportin e presidentit serb Tadiq si edhe ambasadorëve të Rusisë dhe Bjellorusisë në Beograd, pritet që të përkujdesen KFOR-i dhe EULEX-i. Transporti i tyre për në Patriarkanën e Pejës besohet se do të bëhet me helikopterë.

Tadiq dhe delegacioni që ai kryeson pritet të qëndrojnë sonte dhe nesër paradite në Patriarkanën e Pejës, ku do të marrin pjesë në liturgjinë fetare për festën e Krishtlindjeve ortodokse.
XS
SM
MD
LG