Ndërlidhjet

logo-print

Amerikanët i liruan iranianët nga piratët

  • RFE /RL

Iranianët përqafojnë ushtarët amerikanë në shenjë falënderimi që i shpëtuan nga piratët.

Iranianët përqafojnë ushtarët amerikanë në shenjë falënderimi që i shpëtuan nga piratët.

Pentagoni tha se Marina e Shteteve të Bashkuara i ka shpëtuar 13 marinarë iranianë, që ishin rrëmbyer nga piratët në Detin Arabik.

Zëdhënësi i Pentagonit, Xhon Kirbi, tha se “iranianët dhe anija e tyre ishin liruar dhe ata janë në rrugën e tyre për në shtëpi”, pas kësaj përvoje të hidhur.

Aeroplanbartësi amerikan USS Xhon Stenis, që ishte i involvuar në operacion e shpëtimit, i takon grupit të njëjtë të aeroplanbartësve amerikanë, për të cilët Irani ka kërkuar që ata të mos kthehen në Ngushticën e Hormuzit.

Anija "USS Kidd" në Detin Arabik...

Anija "USS Kidd" në Detin Arabik...

Një anije e Marinës së Shteteve të Bashkuara i ka shpëtuar 13 iranianë, të cilët ishin mbajtur peng nga piratët në Somali në Detin Arabik, me gjithë tensionet në rritje ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit.

Të 13 detarët iranianë ishin shpëtuar të enjten më 5 janar, pasi Marina amerikane kishte pranuar një thirrje shqetësuese nga një anije peshkuese iraniane, që ishte zënë nga piratët para më tepër se një muaji.

Ekipi nga anija amerikane USS Kidd, iu përgjigj thirrjes dhe e shpëtoi ekuipazhin iranian.

Po ashtu, janë arrestuar 15 piratët e dyshuar, që mendohet se janë somalezë, ka kumtuar Marina e Shteteve të Bashkuara.

Në Uashington, zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Viktoria Nuland, vlerësoi se ky “ishte një tregim i jashtëzakonshëm”.
Ata, qartazi, ishin shumë falënderues që ishin shpëtuar nga piratët...

“Marina e Shteteve të Bashkuara i ka marrë iranianët në bord, u ka dhënë ushqim, ujë dhe përkujdesje shëndetësore. Ata, qartazi, ishin shumë falënderues që ishin shpëtuar nga piratët. Pastaj iranianët u dërguan në anijen e tyre dhe ata u nisën në drejtimin e vet”, tha Viktoria Nuland.

Xhosh Shminki, agjent i shërbimit hetues të Marinës, që ishte në anijen e Shteteve të Bashkuara, tha se forcat amerikane i kishin trajtuar iranianët me kujdes dhe respekt.

Pentagoni njoftoi se 13 iranianët ishin mbajtur nga piratët në kushte të vështira dhe ishin detyruar t’i ndihmonin piratët në operacionet e tyre.

Ky operacion shpëtimi u bë vetëm disa ditë pasi zyrtarët iranianë i kishin tërhequr vërejtjen Shteteve të Bashkuara, që të mos e dërgojnë aeroplanbartësin Stenis nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Irani, po ashtu, ishte kërcënuar me mbylljen e kësaj ngushtice në përgjigje të sanksioneve ekonomike perëndimore lidhur me programin kundërthënës atomik iranian.

Në fjalimin e tij më 3 janar të këtij viti, shefi i armatës iraniane, gjeneral Ataollah Salehi, tha se ai “rekomandon”, që aeroplanbartësi amerikan të mos kthehet në Gjirin Persik.

“Ne nuk e kemi zakon që të bëjmë më tepër se një vërejtje”, pati thënë gjenerali iranian.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Viktoria Nuland, u shpreh se këtu e sheh një lloj ironie.

“I njëjti aeroplanbartës dhe një numër i anijeve, për të cilat iranianët protestuan për udhëtimin e tyre të fundit nëpër Hormuz, pra grupi i anijeve sulmuese Xhon Stenis, posa i shpëtoi iranianët nga piratët”, tha Viktoria Nuland.

Irani deri tash nuk ka reaguar në mënyrë publike ndaj shpëtimit të shtetasve të vet nga ana e Marinës së Shteteve të Bashkuara.

Agjenti Shminki tha se kapiteni i anijes iraniane, kishte shprehur “falënderim të sinqertë” për ndihën amerikane dhe kishte theksuar se “ishte frikësuar se pa ndihmën amerikane, ata nuk do të ishin liruar për muaj të tërë”. (f. b.)
XS
SM
MD
LG